Pejë, 10 tetor 2026
Fillimisht dua të përshëndes kryetarin e Komunës, Gazmend Muhaxherin, pastaj Drejtoren e Kulturës, znj. Sykën, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Taulant Kelmendin dhe Armend Balokun. Por, natyrisht dy njerëzit që na kanë sjellur këtu sot më së shumti, i pari Afrim Spahiu, profesori i nderuar me të cilin njihem prej rreth dy dekadash, dhe ndoshta edhe pak më shumë se dy dekada, Sislej Xhafa, kuratori i ekspozitës së sotme, të cilën natyrisht mezi presim që ta shohim të gjithë.
“Duke vallëzuar me re”, ky është titulli i kësaj ekspozite në të cilën do të kemi fotografi, por njëkohësisht edhe filmin dokumentar të jashtëzakonshëm të Besim Sahatçiut “117”.
Duhet theksuar që profesor Afrim Spahiu është i njohur jo vetëm për fotografitë por edhe për fotografitë në film. Pra është i njohur për filmografi. Është i njohur për punën e tij me fotografi me kinematografi. Dhe kemi diskutime bashkë të panumërta, e unë njëkohësisht, jo vetëm që jam kënaqur e gëzuar duke i pa punimet e tij, por gjithashtu edhe jam edukuar estetikisht nëpërmjet punës së tij.
Kësisoj, ta zëmë në zyrën time në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje!, e kam një fotografi të profesor Afrim Spahiut. Natyrisht është një arkitekturë e thepisur brutaliste dhe rrotull ca re të purpurta me të cilat vallëzon shikimi jonë.
Profesor Afrim Spahiu, karakterizohet nga një lloj dokumentimi që, transformimi që bën koha, nuk është zhdukje e realitetit që transformohet. Pra, teksa rrjedha e kohës ndryshon thellësisht realitetin e në të njëjtën kohë ka diçka e cila ngelet dot. E ajo që ngelet në kuptimin artistik është pikërisht fotografia e jashtëzakonshme e profesor Afrim Spahiut, i cili ka një karrierë prej më shumë se gjysmë shekulli, pra nuk është bash i ri siç duket dhe ka marrë shumë çmime e shpërblime, ndër të cilat duhet theksuar çmimin për Veprën Jetësore “Bekim Fehmiu”, dhe janë mbi 25 filma në të cilët ka kontribuar, e tash aktualisht është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Arteve ku përfaqëson filmin dhe fushën audio-vizive.
Gjithashtu mua më ka bërë përshtypje që është me prejardhje nga Dibra e unë nuk e njohë asnjë dibran që është njeri i zakonshëm. Njoh jo pak dibranë, po asnjëri nuk është i zakonshëm. E natyrisht edhe profesor Afrim Spahiu është i jashtëzakonshëm e ju e dini se çka thuhet për dibranët. Ata i kanë bërë veç dy gjëra: Skënderbeun edhe e kanë themeluar Tiranën.
Atëherë, nuk kam dyshim që të gjithë do të kënaqeni duke shikuar ekspozitën e profesor Afrim Spahiut dhe me këtë rast dua ta falënderoj edhe mikun tonë, edhe artistin e madh po edhe artdashësin e paepur, i cili ndihmon artistët e tjerë, Sislej Xhafën.
Faleminderit edhe njëherë që keni ardhur këtu dhe sa më shumë bukuri, Peja e di mirë se si ta bëjë këtë, natyrisht që jeta është më e këndshme.
Faleminderit.