Prishtinë, 29 prill 2026
Jemi këtu bashkë në Kuvendin e Republikës, me kandidaten për Presidente të Republikës, dr. Feride Rushiti, e cila mbrëmë gjatë përpjekjes për të konsumuar raundin e parë të zgjedhjes së Presidentes së re, mori 63 vota, që ishte dëshmi se Kosova si shtet i pavarur, si Republikë demokratike mund të ketë presidente të re, mirëpo ajo çfarë mungon është opozita aty, e cila me sjelljen e saj jo shtetërore, anti institucionale, me bojkotin dhe me bllokimin, pamundësoi konsumimin e raundit të parë për të vazhduar në raundin e dytë dhe të tretë.
Doktoresha Feride Rushiti i ka votat për presidente. Ajo çfarë nuk ka Kosova, është kuorumi në Kuvend.
Unë e falënderoj përzemërsisht, së pari, që ka pranuar të jetë kandidate, dhe si lidere e shoqërisë civile, si një personalitet i dëshmuar me punën në fushën e të drejtave të njeriut për pothuajse tri dekada. Është nder për Republikën tonë që e kishim kandidate, por njëkohësisht e përgëzojmë për punën dhe kontributin që ka dhënë.
Unë pa humbur kohë ja kisha kaluar fjalën doktoreshës Feride Rushiti, sepse ajo është personaliteti i cili në fakt u pengua nga opozita që të bëhet Presidente e Republikës dhe të kemi funksionim demokratik e kompletim të udhëheqjeve institucionale të legjislaturës së dhjetë.


