Prishtinë, 29 maj 2026
E nderuara familja Gagica,
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti,
Të nderuar, miq, bashkëpunëtorë dhe bashkudhëtarë të z. Gagica,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Jemi mbledhur këtu, shumë të pikëlluar, por edhe shumë krenarë, për të nderuar një njeri që ka bërë shumë më shumë për Kosovën, lirinë dhe pavarësinë e saj, sesa mund ta imagjinojnë apo ta dinë shumica e qytetarëve të vendit tonë.
Por, ne që jemi mbledhur në këtë sallë, e dinim këtë shumë më herët. Edhe unë, e dija mirë se kush ishte Hafiz Gagica, kur pas viteve në Shqipëri u ktheva në vendin ku ishte vrarë babai im.
Nëna ime, e cila gjithashtu ndodhet këtu, por edhe unë vetë, e kujtojmë sa shpesh vinte Hafizi tek babai im dhe sa shumë e vlerësonte dhe mbështeste Babi si një djalë të ri e patriot, të mençur e të guximshëm. Dhe kujtojmë po ashtu sa fort ishte goditur edhe ai dhe gjithë organizimi nga atentati ndaj Babit, Bacës Bardhosh dhe Kadri Zekës dhe me sa krenari mbante epitetin nxënës i Jusuf Gërvallës.
Ndonjëherë, kur koha dhe rrethanat e kërkojnë, histori shkruajnë edhe njerëz që deri atëherë kanë bërë një jetë krejt të zakonshme.
Hafiz Gagica ishte një njeri i tillë.
Ai ishte bashkëshort i mirë i Emines, baba i dashur i Dardanes e Zarifes, pjesë e mërgatës sonë që në moshë shumë të re. Në kompaninë gjermane ku punonte ishte i respektuar dhe kishte një pozitë shumë të mirë.
Por, kur gjendja në Kosovë, nën represionin serb, u bë gjithnjë e më e rëndë, ai hoqi dorë nga ajo pozitë dhe iu përkushtua tërësisht luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si kryetar i LDK-së për Gjermani dhe si kryetar i Kolegjiumit të LDK-së për Diasporë, pra për Evropë, Amerikë e deri në Australi.
Në vitet e 90-ta, Hafiz Gagica luajti një rol të rëndësishëm në mbrojtjen dhe çlirimin e Republikës së Kosovës, në ngritjen dhe forcimin e sistemit paralel gjatë represionit të ushtruar nga Serbia, si dhe në përfaqësimin e një zëri të fuqishëm dhe të padiskutueshëm të shqiptarëve për Kosovën në Gjermani por edhe më gjerë.
Për këtë angazhim, ai hoqi dorë nga një vend i tij i punës në Gjermani, për t’iu përkushtuar plotësisht veprimtarisë politike, duke u kthyer pa asnjë hezitim në bartësin kryesor të aktivitetit të mërgatës së viteve të 90-ta. Në Gjermani, në Evropë edhe më tej, duke marrë përsipër rol kyç të lidhjes mes Prishtinës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Hafiz Gagica ishte shtylla e organizimit të mërgatës. Ishte iniciator, ideator, organizator dhe gjithmonë njeriu tek i cili drejtoheshin shqiptarët e shqetësuar, sepse tek ai shihnin përfaqësuesin legjitim të Dr. Rugovës në mërgatë.
Gjatë viteve të 90-ta, si për Presidentin Rugova, ashtu edhe për përfaqësues të tjerë përgjegjës të Republikës së Kosovës, zyra në Shtutgart, faktikisht ishte qendra e dytë politike krahas Prishtinës, dhe nën drejtimin e Hafiz Gagicës shërbeu si pikë qendrore për logjistikë, koordinim, kontakte politike dhe veprimtari të shumta të tjera. Një numër i madh udhëtimeve të Presidentit Rugova dhe të delegacioneve të tjera në Gjermani, Zvicër, vende të tjera evropiane si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u organizuan nga kjo qendër në Shtutgart nën udhëheqjen e tij.
Dr. Rugova nuk mund të udhëtonte çdo javë jashtë vendit. Hafiz Gagica ishte nyja lidhëse. Në Stuttgart, ku kishim selinë tonë kryesore në Gjermani, Hafizi, miku ynë i ngushtë Sali Çekaj dhe të tjerë, përfaqësonin krahun e dytë të fuqishëm të Kosovës që ishte mërgata.
Ai pati gjithashtu rol vendimtar në organizimin dhe sigurimin e financimit të sistemit paralel të Republikës së Kosovës, veçanërisht në fushat e shëndetësisë, arsimit, si dhe të furnizimit ushqimor. Në këtë periudhë tejet të vështirë, qindra mijëra shqiptarë përfituan mbështetje jetike falë organizimit të qëndrueshëm dhe angazhimit edhe personal të Hafiz Gagicës, si dhe të shumë e shumë veprimtarëve të tjerë në mërgatë. Dëshmitarë të gjallë e pashë diku në sallë, Hamdi gërvalla këtu në sallë për të gjitha këto që them.
Në Gjermani, ai inicioi dhe institucionalizoi kontakte intensive të Kosovës në vendin më të madh të Bashkimit Evropian dhe partnerin më të rëndësishëm evropian të NATO-s me Bundestagun, qeverinë federale dhe mediat kryesore.
Hafizi nuk ishte njeri i zhurmshëm, por ishte një organizator jashtëzakonisht efektiv dhe një nga figurat qendrore të Republikës së Kosovës nën represionin serb. Me të dhe me njerëz si ai, Republika e Kosovës u vendos në hartën politike të botës.
Së bashku me Presidentin tonë historik Dr. Rugova dhe me shumë e shumë të tjerë, ai krijoi bazën e besimit që bëri të mundur që bota demokratike të mos rrinte më duke parë sesi regjimi serb ushtronte barbarisht dhunë kundër civilëve, familjeve dhe lirisë së Kosovës.
Po ashtu, ishte nismëtar i organizimit të demonstratave të mëdha të shqiptarëve në Gjermani dhe Evropë ku dhjetëra mijëra bashkatdhetarë, së bashku me miq vendas, u mblodhën për ta bërë zërin e Kosovës të dëgjueshëm në proceset politike në Gjermani dhe në arenën ndërkombëtare. Demonstrata më e madhe e organizuar ndonjëherë nga një organizatë jo-gjermane në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë ishte tubimi ynë pas masakrave të Prekazit në vitin 1998 në Bonn, ku morën pjesë mbi 100.000 pjesëmarrës, duke kërkuar qartë dhe fuqishëm lirinë për Kosovën dhe përfundimin e shtypjes serbe.
Qysh në vitin 1991, Hafiz Gagica kontribuoi në organizimin e ushtrimeve të grupeve të para ushtarake në Shqipëri. Figura të shquara dhe heronj të Kosovës, si Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Sali Çekaj, ishin ndër ata që morën pjesë në këto përgatitje për mbrojtjen e Kosovës të cilat vendosen themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë viteve ‘98–‘99, Hafiz Gagica duke shfrytëzuar të gjitha kontaktet dhe mundësitë e tij, bashkëorganizoi një mbështetje të gjerë politike, logjistike, ushtarake dhe financiare për mbrojtjen e Kosovës.
Shumë nga ju që jeni të pranishëm, ju kujtohet aksioni i madh i vitit 1991i mbledhjes së fondeve për vetëmbrojtjen e Kosovës
Personalitete si Hafiz Gagica janë të pandara nga lufta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Qindra mijëra shqiptarë në Gjermani dhe në Kosovë janë dëshmitarë të kësaj.
Ai pa asnjë dyshim është një nga shtyllat themelore të Republikës së pavarur të Kosovës. Si zëvendëse dhe bashkudhëtare e afërt për shumë vite, jam dëshmitare se ai nuk luftoi për Kosovën tonë vetëm me zemër e shpirt, por edhe me mençuri e urtësi politike.
Hafizi gjithnjë dha dhe pasi Kosova u çlirua asnjëherë asgjë nuk kërkoi, duke treguar kështu shëmbëlltyrën e një patrioti të jashtëzakonshëm.
Puna e tij, kontributi i tij për pavarësinë, lirinë dhe demokracinë e Kosovës do të mbetet i përjetshëm.
Lavdi i qoftë Hafizit dhe gjithë atyre që kontribuuan për vendin tonë!