Prishtinë, 28 prill 2026
Të nderuar gazetarë,
Faleminderit shumë që i jeni përgjigj pozitivisht ftesës tonë, për një adresim të radhës ndaj opinionit publik në ditën e fundit kur mund ta zgjedhim presidenten, presidentin e ri të Republikës së Kosovës, meqenëse sonte në mesnatë skadon afati i përcaktuar me Kushtetutë dhe me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.
Ju e dini që Lëvizja Vetëvendosje, unë si kryetar i saj, kemi bërë një mori ofertash për Lidhjen Demokratike të Kosovës, për Partinë Demokratike të Kosovës, mirëpo deri më sot të gjitha propozimet tona kanë hasur vetëm në refuzimet e tyre.
Në anën tjetër nuk kemi pas asnjë propozim nga pala tjetër se si të dalim nga ky ngërç, nga kjo krizë. Ne njëmend i kemi fituar 51.1 për qind të votave të qytetarëve, Vetëvendosja me partnerët e saj, Partinë GUXO dhe partinë Alternativa, njëmend i ka 57 deputetë, njëmend mazhoranca i ka 66 deputetë edhe me pakicat që kanë deputetë në Kuvendin e Republikës, mirëpo përgjegjësia për t’i dhënë Republikës së Kosovës institucionet e saj të plota, me këtë rast përveç Kryesisë së Kuvendit dhe Qeverisë edhe Presidentin e Republikës, nuk është vetëm e fituesit, nuk është vetëm e mazhorancës.
Pra, edhe për opozitën ka përgjegjësi në konstituimin e institucioneve, në përmbushjen e të gjitha përgjegjësive tona si pjesëmarrës e vendimmarrës, si përfaqësues të vullnetit qytetar në institucionet e sistemit.
Andaj, kemi bërë thirrje, kemi bërë propozime, kemi kërkuar takime, mirëpo nuk kanë qenë të suksesshme deri më tani, asnjëra për fajin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të mazhorancës, që të gjitha për shkak se propozimeve tona i janë përgjigjur me refuzime.
Nata e mbrëmshme dëshmoi që Republika e Kosovës mund të ketë presidente të re, ajo është doktorja Feride Rushiti. Meqenëse në kuti me votim të fshehtë i kishte 63 vota. 63 vota në një Kuvend me 120 deputetë është shumica. Pra, Feride Rushiti i ka votat për presidente. Ajo çfarë nuk është, është kuorumi në Kuvend. Kuvendi nuk po ka kuorum, ndërkaq Feride Rushiti i ka votat.
Mos harroni që 63 vota të fshehta, janë më shumë se sa votat e Qeverisë Thaçi II dhe janë më shumë sesa Qeveria e PAN-it, me Haradinajn kryeministër. Plus janë vota nga votimi i fshehtë që janë më të vështira se me ato me votim të hapur.
Pra, Feride Rushiti i ka votat për presidente. Ajo çfarë nuk kemi është kuorumi në Kuvend. Jo për fajin e mazhorancës, për fajin e partive opozitare. Dhe besoj që të gjithë e keni vërejtur që katër parti mungojnë në Kuvend: PDK, LDK, AAK, Lista Serbe. Por, shumë më tepër ka prani të partive në Kuvend, sesa të atyre që mungojnë. Përveç Vetëvendosjes me partnerë, i keni edhe partitë e pakicave. Pra, për nga numri i partive, jo vetëm për nga numri i deputetëve, por edhe për nga numri i partive, ne jemi më shumë në Kuvend sesa jashtë.
Pra, merreni me mend çfarë paradoksi është ky. Më shumë keni deputetë në sallë se jashtë dhe më shumë keni parti brenda Kuvendit sesa të atyre që e bojkotojnë prej jashtë, e megjithëkëtë ndodhemi në këtë ngërç apo krizë institucionale për shkak të mos zgjedhjes së presidentit që na shpije në zgjedhje të reja, të përsëritura, të panevojshme, e të cilat do të kushtojnë së paku 10 milionë euro, plus dhjetëra milionë euro nga financimet e munguara të bashkësisë ndërkombëtare, për shkak se nuk do të kemi Kuvendi i cili funksionon dhe miraton.
E tash, në këtë situatë unë shumë jam përballur me interesimet dhe pyetjet e juaja lidhur me atë listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës me 15 nënshkrime, e cila e kishte datën e pardjeshit, mbrëmë, por edhe nuk kishte emër sipër se për kë janë ato 15 nënshkrime.
Pasi që përfundoi edhe ky vazhdim i një seance që s’po përfundon e do të vazhdojë në ora 23:00, unë kam komunikuar menjëherë me kandidaten, profesoreshën Hatixhe Hoxha, dhe kam biseduar me të, me ç’rast ajo është dakorduar që të tërhiqet nga kandidatura nëse Lidhja Demokratike e Kosovës i sjellë 15 nënshkrime për kandidatin e saj, kushdo që është.
Me atë rast, Lëvizja Vetëvendosje i plotëson edhe 15 nënshkrime të tjera nga mazhoranca, meqenëse tash lirohen ato nënshkrime me tërheqjen e Hatixhe Hoxhës dhe në këtë mënyrë do ta kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe sonte le ta zgjedhim presidenten apo presidentin e ri të Republikës.
Pra, këtu jam në katin e dytë të Kuvendit, te zyra e Lëvizjes Vetëvendosje, C202, shpresoj ta xhironi. Këtu mund të më gjejë Lidhja Demokratike e Kosovës për t‘mi sjellë 15 nënshkrime me emrin e kandidatit të tyre për president. 15 nënshkrime ata, tërhiqet Hatixhe Hoxha, i shtojmë edhe 15 nënshkrime edhe kualifikohet një kandidat i LDK-së për president edhe në këtë mënyrë i futemi garës sonte, edhe nuk ka nevojë që të shkojmë në zgjedhje në këtë pranverë.
E tash, Hatixhe Hoxha pra ka shprehur gatishmërinë dhe unë jam mirënjohës e falënderoj për këtë qasje të saj që të tërhiqet, në rast se na vinë këto 15 nënshkrime nga LDK-ja me emrin e kandidatit dhe me datën e sotme. Kërkoj që edhe data me qenë sot jo ndonjë datë tjetër, ashtu pardje. S’ka pardje, sot. 15 nënshkrime, emri i kandidatit zyrtarisht. Unë këtu i pres, C202, kati i dytë në ndërtesën e Kuvendit të Republikës.
Tash edhe diçka, krejt në fund para se t’ju përgjigjem pyetjeve tuaja. Mund të mos i kenë 15 nënshkrime. Ndoshta i kanë 14, po nëse s’i kanë 14, ndoshta i kanë 13. 14, 13 sa t’i kanë le t’mi binë. Unë i marr ato edhe çka mungojnë i plotësoj, a po kupton. Veç le të na e sjellin kandidatin e tyre Lidhja Demokratike e Kosovës, ne ja plotësojmë çka i mungojnë. Tash, teorikisht e teknikisht ata i kanë të gjithë nënshkrimet për kandidatin e tyre, por nëse u mungon ndonjë se këqyrim ne për 1 deputetë a 2, le të na i sjellin i plotësojmë dhe vazhdojmë.


