Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti në shënimin e 12 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Rinisë

E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla,
I nderuari Blerim Gashani, ministër i Sportit dhe Rinisë,
E nderuar znj. Saranda Bogujevci, ministre e Kulturës dhe Turizmit,
I nderuari z. Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal,
E nderuar znj. Fitore Pacolli- Dalipi, ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,
E nderuara shefe e zyrës së UNICEF-it, Veronika Vashchenko,
Të dashur të rinj e të reja,
Të nderuar kolegë të tjerë nga institucionet e shtetit, nga ekzekutivi dhe nga legjislativi,

Mirë se po takohemi në këtë aktivitet me rastin e 12 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, e që praktikisht i bie në vendin tonë të jetë dita e rreth 40% të popullsisë. Përtej të qenit shifër, kjo na dëshmon se të rinjtë e të rejat janë vetë shoqëria në Republikën tonë.

Derisa ky aktivitet për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë shënohet me parullën “Zëri i të rinjve në qendër”, si Qeveri e Republikës me politikat qeverisëse, nëpërmjet programeve të ndryshme, masave e veprimeve të llojllojshme, sikurse edhe reformave në përgjithësi, e kemi dëshmuar që i duam të rinjtë e të rejat, vajzat e djemtë, pikërisht në qendër.

Kjo duke krijuar mundësi më të mira, që nga rinia e hershme, në shkolla, nëpërmjet zhvillimit të sistemit dual të arsimit, si orientim në karrierë, duke krijuar një lidhje midis aftësimit profesional dhe tregut të punës.

Për të vazhduar pastaj me arsimin e lartë falas, nga i cili kanë përfituar dhjetëra mijëra studentë, shto këtu mbështetjen me më shumë se 18 mijë bursa në vlerë nga 1 mijë deri në 10 mijë euro, nga viti 2021 deri sivjet në vitin 2026. Për të mos harruar edhe rritjen e vlerës së bursës, nga 700 sa ka qenë në 1000 euro sa është tani.

Në këtë mbështetje përfshihen rreth 7300 bursa në fushat STEM-Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, dhe afër 9700 bursa elitare për studentët me notë mesatare më të lartë se 9. Por, edhe afër 250 bursa, në vlerë 7500 deri në 8500 euro për studentët e doktoratës në top 500 universitetet në botë.

Gjithashtu janë financuar afër 700 studentë tanë të nivelit bachelor dhe master që kanë studiuar ose po studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francë, Japoni, Hungari e në vende të tjera. Sikurse janë dhënë afër 170 bursa për studime jashtë vendit, me vlerë maksimale të mbështetjes deri në 7000 euro. Ndërkaq, në vitin akademik 2025-2026, kemi nisur edhe mbështetjen për studime post-doktorale, duke përkrahur 8 kandidatë, prej tyre 6 gra e dy burra.

Në Qeverisjen tonë, kemi ndarë edhe rreth 2000 bursa për nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në vlerë të përgjithshme rreth 625 mijë euro, si dhe 170 bursa për studentë nga këto komunitete, në vlerë 1000 euro (92 djem, 23 vajza). Pra, trefishim i mbështetjes në krahasim me të gjitha qeveritë e kaluara marrë së bashku.

Pra, qasje e barabartë dhe arsim cilësor për rininë tonë, është udhërrëfyesi i qeverisjes së Republikës.

Përtej kësaj kemi ofruar edhe programe, sikurse edhe masa e veprime konkrete, për lidhjen e tregut të punës dhe krijimin e kontaktit me punëdhënës potencial afatgjatë.

Më shumë se 23 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare SuperPuna, e cila për 6 muaj garanton pagën minimale nga shteti. Prej tyre 51% vajza dhe 49% djem, ndërkaq 10 mijë e 500 biznese kanë përfituar nga kjo platformë kur i kanë punësuar këta të rinj.

Të rinjtë e të rejat tona, të mirë edukuar, dhe shumica prej të cilëve në tërësi, edhe prej jush këtu, flasin rrjedhshëm së paku një gjuhë të huaj, natyrisht që përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm, që veçse ka nisur të përmbushet sidomos në sektorin e eksportit të shërbimeve dhe teknologjisë së informimit dhe komunikimit, e ku janë punësuar tashmë dhjetëra mijëra të rinj e të reja. Por, mund të kapitalizohet natyrisht edhe më shumë se kaq.

Më shumë se sa shifra, këto janë dëshmi të një qasje qeverisëse që përveçse pashmangshëm janë e ardhmja, rininë e sheh edhe si të tashmen, meqenëse është një pjesë e madhe dhe e çmuar e shoqërisë sonë. Pra, ne nuk i premtojmë rinisë, ne zotohemi dhe realizojmë tash dhe këtu për të.

Për të rinjtë e të rejat tona po punojmë edhe në sektorin e kulturës dhe sportit, duke shtuar aktivitetet dhe hapësirat. Por, mbase në veçanti për sportin, shumë më tepër për këtë, dhe më mirë, mund të flasë ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani.

Andaj, rini, urime ditën tuaj. Dhe, mos hezitoni të komunikoni me ne, sepse ne jemi këtu për juve. Pra për të rinjtë dhe të rejat e Republikës së Kosovës, pa dallim.

Gëzuar e ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors