Prishtinë, 7 maj 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, për shënimin e Ditës së Evropës.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
Shkëlqesitë e Juaja, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga, ish-presidentë të Republikës së Kosovës,
E nderuara znj. Eva Palatova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,
Të nderuar ministra,
Të nderuar ish dhe deputetë të ardhshëm të Kuvendit,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Zonja dhe zotërinj,
Të dashur miq,
Më duhet të kërkoj falje që do të më duhet të përsëris shumë gjëra nga ato që sapo tha Eva, por kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së koordinimit.
Është privilegj ta shënojmë Ditën e Evropës së bashku me ambasadorët dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të familjes më të gjerë evropiane.
Në deklaratën e tij, Schuman foli për Evropën si tërësi. Jo si një klub selektiv kombesh, por si një kontinent popujsh. Ai tha në mënyrë të njohur se “Evropa nuk do të ndërtohet menjëherë, apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete që së pari krijojnë solidaritet de facto.”
Ajo që pasoi ishte Traktati i Parisit i vitit 1951, i cili themeloi Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut. Nga Traktati i Parisit deri te Traktati i Mastrihtit i vitit 1992 — që i dha jetë Bashkimit Evropian — dhe Traktati i Lisbonës, i cili i dha BE-së një personalitet të vetëm juridik, projekti evropian ka arritur një piketë pas tjetrës. Pikërisht ashtu siç kishte parashikuar Schuman. Arritjet konkrete sollën dhe rritën solidaritetin.
Kanë kaluar më shumë se tetëdhjetë vjet që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe më shumë se shtatëdhjetë e pesë vjet që nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Evropa rrallëherë ka qenë më e begatë se sa është sot.
Themeluesit e Bashkimit Evropian e dinin se, që Evropa të ishte e pasur dhe e sigurt, duhej të kishte institucione të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta.
Institucionet e përbashkëta do të nxisnin bashkëpunimin, ndërsa bashkëpunimi do ta bënte konfliktin më pak të mundshëm. Ky vizion ka triumfuar.
Bashkimi Evropian është projekti më i madh dhe më i suksesshëm i paqes në Evropë. Dhe si i tillë, ai duhet të mbrohet dhe të mbështetet.
Pikërisht për vlerat dhe standardet që përfaqëson Bashkimi Evropian, ushtarët po luftojnë dhe janë të gatshëm të vdesin në Ukrainë.
Vendosmëria e palëkundur e popullit ukrainas për të luftuar për vlerat evropiane dhe për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian, është kujtesa më e fortë për atë se çfarë përfaqëson BE-ja. Këtë nuk duhet ta harrojmë. Dhe duhet ta ndihmojmë Ukrainën të ketë sukses, sepse suksesi i tyre është suksesi ynë dhe fitorja e tyre është fitorja jonë.
Dhe ashtu si Ukraina e sheh Evropën si destinacionin e saj, po ashtu edhe ne.
Për Kosovën, Bashkimi Evropian nuk është një realitet i largët apo një grup standardesh që duhen përmbushur. Ai është shtëpia natyrore e shoqërisë sonë, korniza e reformave tona dhe e ardhmja e qytetarëve tanë, e cila tashmë është zgjedhur.
Mbi 80% e qytetarëve tanë e mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një nga normat më të larta të mbështetjes kudo në Evropë.
Kemi bërë përparim të konsiderueshëm në rrugën tonë. Kemi një nga normat më të larta të rritjes ekonomike në Evropën Juglindore dhe më të lartën në Ballkanin Perëndimor.
Jemi ndër vendet prijëse sa i përket avancimit demokratik, qoftë sipas matjeve të World Justice Project, Freedom House, Transparency International apo Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit.
Po ashtu, jemi vendi më i sigurt në rajonin tonë, me shkallën më të ulët të kriminalitetit. I gjithë ky përparim meriton njohje në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Pas një dekade pritjeje, tani gëzojmë liberalizimin e vizave dhe kemi marrë vendimin historik për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022.
Jemi pjesë e Planit të Rritjes, ku po bëjmë çdo përpjekje për të zbatuar secilin hap. Këtu përballemi me disa sfida, siç e dini mirë edhe ju — me ligje që ende duhet të miratohen nga Kuvendi.
Muajin e kaluar, më 15 prill, shënuam dyzet muaj që kur dorëzova aplikimin tonë për anëtarësim në Pragë. Besoj se BE-ja duhet të punojë së bashku për ta realizuar statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. Duhet të ketë unitet të angazhimit në BE, në mënyrë që Kosova të mos lihet pas.
Ndërkohë, derisa presim vendimin e BE-së, ne po ndërmarrim hapa konkretë për të siguruar që nga ana jonë të mos humbet kohë.
Do të punojmë ngushtë me Shqipërinë dhe me Malin e Zi, për të mësuar nga përvoja e tyre, pasi ata janë përpara nesh në këtë proces.
• Së pari, do të fillojmë përgatitjen e përgjigjeve tona për mijëra faqet e Pyetësorit dhe do t’i përgatisim ato duke pasur parasysh procesin e verifikimit.
• Së dyti, do të përgatitemi edhe për krijimin e strukturave ndërinstitucionale negociuese, me qëllim që të kursejmë vite përgatitjeje.
Premtimi i BE-së është zgjerimi. Premtimi ynë janë reformat. Ne mundemi dhe duhet t’i realizojmë të dyja. Kjo është përgjegjësi e përbashkët.
Dhe më lejoni të rikujtoj edhe një libër interesant dhe të rëndësishëm. Në vitin 1939, pak para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Fan Noli, i cili kishte qenë Kryeministër i Shqipërisë për gjashtë muaj në vitin 1924, mbrojti disertacionin e tij të titulluar “Beethoveni dhe Revolucioni Francez”. Një libër shumë interesant dhe i rëndësishëm. Po mendoja për të ndërsa qëndroja në këmbë dhe dëgjoja “Odën e Gëzimit”. Për të gjithë ju që nuk e keni këtë libër ose nuk mund ta gjeni, mund të mbështeteni tek unë dhe unë do t’jua dërgoja versionin PDF po të mos ishte çështja e të drejtave të autorit.
Ju faleminderit. Dhe gëzuar Ditën e Evropës!










