Të dashur pjesëmarrës të gjeneratës së dhjetë të programit OriginAL,
Të nderuar bashkëdrejtues të GERMIN-it, znj. Sihana Bejtullahu dhe z. Lirim Krasniqi,
Të nderuar bashkëthemelues të GERMIN-it, znj. Liza Gashi dhe z. Behar Xharra,
E nderuar znj. Silke Bellmann, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë,
I nderuar z. Elvin Guri,
Shkëlqesi ambasadorë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar anëtarë të bordit, partnerë, donatorë, staf, alumni dhe mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,
Mirëmbrëma dhe mirë se erdhët në Prishtinë dhe mirë se e gjejmë këtu bashkë njëri-tjetrin.
Për disa prej jush, Kosova është vendlindja e prindërve apo e gjyshërve. Për të tjerë, rrënjët familjare janë në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi apo në Luginën e Preshevës. Ju vini nga vende të ndryshme të botës, por sillni me vete histori familjare që burojnë nga hapësira të ndryshme të banuara me shqiptarë. Dhe pikërisht këtu qëndron bukuria e OriginAL-it.
Ky program nuk ju fton të gjeni një rrënjë të vetme dhe as një version të vetëm të shqiptarisë. Ju fton të njihni një histori më të gjerë se kufijtë shtetërorë dhe më të vjetër se hartat e sotme. Për disa prej jush, kjo histori është përcjellë përmes gjuhës shqipe në shtëpi, në familje. Për të tjerë, përmes një kënge, një lloj ushqimi apo një rrëfimi të gjyshes a të gjyshit.
Por lidhja me vendin e prejardhjes nuk trashëgohet automatikisht. Ajo duhet zbuluar. Duhet përjetuar. Dhe, mbi të gjitha, duhet ndërtuar. Sepse rrënjët nuk janë vendi prej nga vijmë, pa qenë edhe vendi drejt të cilit zgjedhim të kthehemi. E kthimi nuk bëhet gjithmonë me një biletë avioni. Nganjëherë fillon me një pyetje: Kush jam? Nga vij? Çfarë lidhjeje kam me këtë vend? Dhe çfarë mund të bëj e t’i jap atij?. Pra rrënjët janë të tilla pikërisht për shkak se rikthehemi tek ato.
Kjo është fuqia e OriginAL-it. Nuk ju sjell këtu për t’ju paraqitur një fotografi të idealizuar të së kaluarës. Ju sjell që ta njihni vendin nga afër: historinë dhe të tashmen, bukurinë dhe kontradiktat, sukseset dhe problemet, por sidomos mundësitë e tij. Sepse përkatësia e vërtetë dhe e qëndrueshme nuk ndërtohet mbi mitin. Ndërtohet mbi njohjen.
OriginAL lindi në vitin 2022 nga GERMIN dhe Global Albanians Foundation me një ide të thjeshtë, por të fuqishme: që të rinjve shqiptarë të diasporës t’u krijohet mundësia ta zbulojnë vetë prejardhjen e tyre, jo përmes historive të trashëguara apo hulumtimit të ADN-së, por përmes njerëzve, vendeve, kulturës, vullnetarizmit dhe përvojës së drejtpërdrejtë.
Deri më sot, 278 të rinj e kanë kaluar këtë përvojë. Sonte, atyre u bashkoheni edhe ju, 42 pjesëmarrësit e gjeneratës së dhjetë, duke e çuar kësisoj në 320 numrin e të rinjve që janë bërë pjesë e OriginAL-it që nga viti 2022. Por numrat nuk e tregojnë tërë historinë. Historiku i OriginAL-it është te miqësitë që kanë nisur këtu dhe kanë vazhduar përtej Atlantikut e Evropës.
Është te një e re e cila ka ardhur duke ditur vetëm disa fjalë shqip dhe është kthyer me dëshirën për ta mësuar gjuhën. Është te një vajzë apo djalë që ka ardhur duke pyetur: A jam mjaftueshëm shqiptar? Dhe është larguar duke kuptuar se shqiptaria nuk është provim që duhet kaluar. Është një përkatësi që zbulohet sepse jetohet, që ndërtohet sepse zhvillohet.
Prandaj dua t’jua them: Nuk ka vetëm një mënyrë për të qenë shqiptar. Mund ta flisni shqipen rrjedhshëm. Mund ta kuptoni. Mund të dini vetëm disa fjalë. Mund të jeni duke e mësuar pikërisht tani. Mund të jeni lindur në New York, Berlin, Zürich, Londër, Stockholm, Toronto apo Melbourne. Kjo nuk ju bën më pak pjesë të kësaj historie. Përkundrazi. Ju jeni vazhdimi i saj në një vend tjetër, sado të largët, e në të njëjtën botë. Dhe pikërisht për këtë arsye mërgata jonë nuk mund të shihet vetëm përmes nostalgjisë.
Mërgata nuk është vetëm kujtesë e atdheut. Mërgata është kapacitet i atdheut. Kapacitet ekonomik. Profesional. Shkencor. Kulturor. Diplomatik. Fan Noli, një nga figurat që e kuptoi herët fuqinë e shqiptarëve jashtë atdheut, shkruante: “Mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!”. Sot, një shekull më vonë, do të mund ta zgjeronim këtë mendim, thirrje apo thënie të tij: Mbahu, sepse i ke bijtë e bijat e tua në gjithë botën.
Për një kohë të gjatë, të nderuar të pranishëm, marrëdhënia jonë me mërgatën është përshkruar kryesisht përmes remitencave, dërgesave financiare në familje, farefis, e në mesin e miqve e dashamirëve. Mirënjohja për atë kontribut është e pakufishme. Por ambicia jonë duhet të jetë shumë më e madhe se kaq. Ne duam që gjenerata juaj të mos jetë vetëm gjenerata që dërgon para në Kosovë. Duam të jetë gjenerata që sjell ide, dije e përvojë. Që krijon kompani. Që lidh universitete. Që sjell profesorë dhe studiues. Që hap dyer në institucionet ndërkombëtare. Që investon. Që punon me Kosovën.
Prandaj, gjatë viteve të fundit, institucionet e shtetit kanë filluar ta ndryshojnë mënyrën e marrëdhënies me mërgatën, nga një politikë që vetëm e mirëpret kontributin, drejt një politike që synon ta organizojë, ta lehtësojë dhe ta shumëfishojë atë për dobi të dyanshme. Këtë logjikë e kemi ndërtuar edhe përmes disa programeve konkrete.
Programi për Diplomaci Qytetare i cili u krijua mbi idenë se një profesionist i ri nga diaspora nuk duhet të vijë në Kosovë vetëm për pushime. Mund të vijë edhe për të punuar për Kosovën, duke sjellë në institucionet tona eksperiencën dhe ekspertizën, kulturën e punës profesionale dhe rrjetet që i ka krijuar jashtë.
Pra, jo vetëm t’u themi të rinjve tanë: mos e harroni Kosovën. Por ejani. Punoni me ne. Silleni aftësinë e shkathtësinë tuaj. Ndërtojeni e përparojeni Kosovën bashkë me ne.
Pastaj është programi “Shijo Kosovën”, sepse lidhja me vendin nuk ndërtohet vetëm përmes dokumenteve dhe institucioneve. Ndërtohet duke e njohur atë. Duam që një i ri që vjen nga New Yorku, Berlini apo Londra të mos e njohë Kosovën vetëm nga shtëpia e gjyshit apo dasmat e verës. Ta njohë Prizrenin dhe Rugovën. Artin dhe festivalet. Universitetet dhe kompanitë. Të rinjtë dhe institucionet. Problemet dhe mundësitë. Ta njohë Kosovën jo vetëm si vend ku vjen për pushime, por si vend ku mund të punojë, të krijojë dhe të kontribuojë.
Made in Kosova, ndërkaq, synon t’i tregojë diasporës dhe botës se Kosova nuk është vetëm vendi prej nga dikur u larguan njerëzit. Është edhe vendi ku sot prodhohet, krijohet, eksportohet dhe investohet.
Dhe për ta kthyer interesimin në investim, është krijuar Dritarja për Investime të Diasporës, përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, me potencial financimi prej rreth 100 milionë eurosh për investimet e bizneseve të diasporës në Kosovë. Sepse nuk mjafton t’i themi mërgatës: investoni në Kosovë.
Dhe nëse duam që lidhja të mbijetojë në gjeneratën e dytë, të tretë e të katërt, ajo nuk mund të mbështetet vetëm në mallëngjim. Duhet të mbështetet në mundësi.
Kjo është logjika: Diplomacia Qytetare sjell dijen. Shijo Kosovën ndërton lidhjen.
Made in Kosova prezanton mundësinë. Dritarja për Investime shndërron mundësinë në investim. Pra: nga remitencat te investimet; nga investimet te transferimi i dijes; nga vizitat verore te angazhimi gjatë gjithë vitit; nga diaspora jashtë vendit te kapaciteti kombëtar në botë. Dhe kësisoj OriginAL ka një rol tejet të rëndësishëm.
Prandaj dua t’i falënderoj sot këtu ata që janë mes jush e para meje, znj. Liza Gashi dhe z. Behar Xharra, bashkëthemelues të GERMIN-it, për një ide të mbjellë shumë vite më parë, që diaspora shqiptare të mos jetë spektatore e zhvillimit të vendeve tona, por pjesëmarrëse e vendimmarrëse në të. Një organizatë bëhet institucion i vërtetë pikërisht atëherë kur ideja bëhet më e madhe se themeluesit e saj. Prandaj falënderoj edhe drejtuesit, përveçse themeluesit e organizatës, znj. Sihana Bejtullahu dhe Lirim Krasniqi, gjithë ekipin e GERMIN-it dhe të OriginAL-it, partnerët, donatorët, ish-ndjekësit e këtij programi dhe të gjithë ata që po e çojnë këtë nismë përpara, gjeneratë pas gjenerate.
Dhe, mbi të gjitha, falënderoj mërgatën tonë. Ata që për dekada e mbajtën atdheun pranë vetes, edhe kur atdheu ishte larg. E mbajtën gjuhën në shtëpi. Historinë në kujtesë. Dhe vendin në zemër. Por ju jeni një gjeneratë tjetër tani. Prindërit dhe gjyshërit tuaj, shumë prej tyre, e njohën këtë vend përmes mungesës. Ju keni mundësinë ta njihni përmes pranisë. Prandaj, gjatë këtyre dy javëve, bëni diçka më shumë sesa fotografi. Pyetni. Dëgjoni. Debatoni. Njihni njerëzit.
Shiheni Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ashtu siç janë, me bukuritë dhe sfidat e tyre, me historinë dhe me të ardhmen që ende po shkruhet. Vizitojeni Prekazin dhe kuptojeni çmimin e lirisë. Ecni në kalldrëmin e Prizrenit dhe shihni shtresat e historisë sonë. Njihni institucionet, universitetet, ndërmarrjet, qytetet dhe malet tona.
Por, mbi të gjitha: njihni njëri-tjetrin. Sepse pas dhjetë apo njëzet vjetësh, njëri prej jush mund të jetë profesor në Harvard, një tjetër sipërmarrës në Zürich, mjek në Stockholm, diplomat në Washington, ndërsa dikush tjetër mund të zgjedhë të jetojë këtu.
Por nëse pas OriginAL-it njiheni, bashkëpunoni dhe e konsideroni këtë hapësirë pjesë të përgjegjësisë suaj, atëherë ne nuk do të kemi vetëm një diasporë. Do të kemi një rrjet global shqiptar. Dhe ky është një transformim që na duhet.
Diaspora e djeshme na ndihmoi të mbijetojmë. Diaspora e së nesërmes duhet të na ndihmojë të zhvillohemi bashkërisht. E para e mbajti atdheun gjallë në kujtesë. E dyta duhet ta bëjë atë më të fortë, shumë më të fortë, në botë.
Të dashur të rinj,
OriginAL quhet program për të gjetur rrënjët. Por shpresoj që pas këtyre dy javëve të kuptoni se: rrënjët nuk janë destinacion. Janë pikënisje. Nuk ka rëndësi vetëm prej cilës familje, cilit qytet apo cilit fshat vini. Rëndësi ka se çfarë do të bëni me atë lidhje pasi ta keni zbuluar.
Sepse trashëgimia më e mirë që mund të marrim nga ata që erdhën para nesh nuk është detyrimi për t’u bërë si ata. Është përgjegjësia për ta çuar më tej atë që ata e nisën. Prandaj, gjeneratës së dhjetë të OriginAL-it u them: Gjeni rrënjët tuaja. Njihni historinë tuaj. Ndërtoni miqësitë tuaja. Dhe pastaj, ndërtoni edhe më tej mbi to.
Mirë se erdhët në Kosovë. Mirë se erdhët në OriginAL. Dhe, mbi të gjitha, mirë se erdhët në një pjesë të historisë suaj që, nga sonte, nuk do t’ju duhet më vetëm t’ju tregojnë të tjerët. Tani do ta jetoni atë vetë.
Faleminderit dhe ju uroj një udhëtim të paharrueshëm.