Prishtinë, 14 tetor 2026
I nderuari Drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, z. Kushtrim Mehmeti,
E nderuara ministre e Kulturës dhe Turizmit, znj. Saranda Bogujevci,
E nderuara Kryeshefe e Postës së Kosovës, znj. Nora Raci,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Të dashur artistë dhe pjesëtarë të komunitetit teatror,
Të nderuar të pranishëm,
Sot shënojmë 80-vjetorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, një institucion i cili ka zënë një vend të rëndësishëm në jetën kulturore të vendit tonë dhe në historinë e artit skenik në Kosovë.
Historia e tij nisi në Prizren, në vitin 1946, për të vazhduar më pas në Prishtinë, ku u ndërtua një traditë e rëndësishme teatrore, e bartur dhe e pasuruar në breza të tërë artistësh. Përgjatë tetë dekadave, kjo skenë ka sjellë vepra e interpretime të cilat kanë lënë gjurmë në kulturën tonë dhe kanë krijuar një lidhje të veçantë me publikun.
Kjo histori ka njohur edhe periudha të vështira. Gjatë viteve të ’90-ta, përjashtimi i artistëve shqiptarë nga institucionet dhe kufizimi i lirisë krijuese e vunë teatrin përballë sfidave të mëdha. Megjithëkëto, vullneti për të krijuar dhe për të mbajtur gjallë jetën kulturore nuk u shua asnjëherë.
Sot, kur shënojmë këtë përvjetor, nderojmë jo vetëm historinë e institucionit, por edhe njerëzit të cilët e kanë ndërtuar e zhvilluar, që e mbajtën gjallë dhe po e përparojnë atë.
Dua të shpreh mirënjohjen time për gjithë komunitetin teatror të Kosovës: aktorët, regjisorët, dramaturgët, skenografët, kostumografët, muzikantët dhe të gjithë punonjësit teknikë e administrativë. Faleminderit për talentin dhe inspirimin, për punën dhe përkushtimin tuaj, që kanë bërë të mundur vazhdimësinë dhe avancimin e teatrit ndër vite.
Përgjegjësia jonë është që kjo trashëgimi të ruhet dhe teatri të ketë kushte për të ecur përpara. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po investojmë mbi shtatë milionë euro. Me përfundimin e punimeve, synojmë t’i kthejmë institucionit një pamje të rinovuar dhe kushte shumë më të mira, duke ruajtur autenticitetin e tij. Sepse Teatri Kombëtar nuk është vetëm shtëpi e artit, por edhe pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.
Si Qeveri e Republikës, Ministri e Kulturës dhe Turizmit, do të vazhdojmë të mbështesim krijimtarinë artistike dhe zhvillimin e institucioneve tona kulturore, me synimin që teatri të mbetet një skenë e hapur për ide të reja, për artistët e rinj dhe për publikun. Duke e bërë kulturën sa më artistike dhe artin kulturë të shoqërisë, sfera publike shfaqet si shkollë e hapur për edukim estetik të qytetarëve. E teatri është në qendër. Teatri si arti që na e mëson e shqyrton më së miri raportin e secilit me tjetrin dhe rikthimin te vetja.
Tetëdhjetë vjet janë një histori e çmuar, por edhe përgjegjësi për të ardhmen.
Urime 80-vjetori i Teatrit Kombëtar të Kosovës! Ju dëshiroj edhe shumë dekada të tjera të reja përpara.
Ju uroj suksese të mëdha, krijimtari cilësore dhe panumër takime të bukura me publikun, që e keni njerëzor, dhe me njerëzit që ju i bëni publik.
Gëzuar dhe faleminderit!