Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 26 tetor 2026

E nderuara Kryetare e Kuvendit të Republikës, znj. Albulena Haxhiu,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra,
Të dashur qytetarë,

Një bashkëqytetare e jona kërkoi por nuk e mori mbrojtjen që i duhej për të mbetur gjallë. Arlinda Zekaj u vra dje. Vrasja mizore e Arlinda Sylaj Zekaj është tejet tronditëse për të gjithë neve. Tri ditë para se të vritej, Arlinda i ishte drejtuar Prokurorisë, duke paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj. Këto rrethana kërkojnë hetim të plotë dhe të menjëhershëm, ndërkohë që dorasi është në arrati. Pra, ende nuk është i arrestuar. Prokuroria dhe institucionet përgjegjëse duhet të sqarojnë se si janë trajtuar denoncimet e saj, pse paralajmërimi për rrezikun ndaj jetës nuk është parandaluar me masa konkrete mbrojtëse dhe nëse ka pasur neglizhencë apo mosveprim nga zyrtarët përgjegjës. Çdo shkelje duhet të zbardhet dhe çdo përgjegjësi të trajtohet sipas ligjit.

Familjes së saj i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Vrasja e saj na detyron të kërkojmë përgjegjësi në çdo hallkë institucionale dhe ta shqyrtojmë ndërgjegjen tonë shoqërore. Çfarë po mbrojmë kur, në emër të familjes, kërkojmë heshtjen e gruas; kur, në emër të nderit, gjykojmë zgjedhjet e saj; kur durimin përballë dhunës ia njohim si virtyt, ndërsa kundërshtimin ia ngarkojmë si faj? Një shoqëri nuk mund ta quajë vlerë atë që ruhet duke cenuar dinjitetin dhe jetën e një njeriu. E dënoj ashpër këtë krim. Për Arlindën kërkoj drejtësi dhe zbardhjen e çdo përgjegjësie; nga të gjithë ne kërkoj gatishmërinë për ta kundërshtuar atë mendësi që ende e mat vlerën e gruas me nënshtrimin e saj.

Për ta kundërshtuar këtë mendësi, duhet të jemi të qartë për atë që e bën një vlerë të denjë për t’u mbrojtur, respekti për dinjitetin njerëzor. Familja, tradita dhe rendi shoqëror e humbin legjitimitetin moral kur përdoren për t’i kërkuar një njeriu të durojë poshtërimin. Asnjë gruaje nuk mund t’i kërkohet ta paguajë ruajtjen e tyre me heqjen dorë nga vetvetja. Dinjiteti i saj nuk varet nga bindja, durimi apo gatishmëria për sakrificë; ai i përket, i takon çdo qenie njerëzore.

Të duash veten të lirë do të thotë ta duash edhe tjetrin të lirë. Kjo kërkon që lirinë ta njohim edhe aty ku nuk e kontrollojmë përfundimin e saj. Një burrë që të drejtën për të vendosur e konsideron të natyrshme për veten, ndërsa te gruaja e trajton si leje që mund t’ia japë ose t’ia tërheqë, e ka vendosur veten mbi të. Pikërisht këtë pabarazi duhet ta kundërshtojmë: pretendimin se njëri mund ta përcaktojë jetën e të dyve.

Gruaja ka një ekzistencë që nuk shterohet në rolet që kryen për të tjerët. Ajo ka mendimin, ambiciet dhe të drejtën e saj për një jetë ku e njeh vetveten. Të qenët bashkëshorte, nënë apo bijë, nuk ia zvogëlon këtë të drejtë dhe nuk ia kalon askujt autoritetin mbi trupin, ndërgjegjen apo të ardhmen e saj. Afërsia krijon përgjegjësi ndaj saj, nuk krijon pushtet mbi të.

Pranimi i kësaj barazie provohet kur gruaja kundërshton, kur kërkon ndryshim, kur refuzon ose vendos të largohet. Nëse liria i njihet vetëm për aq kohë sa zgjedh atë që presim ne prej saj, ose dikush veçmas prej saj, atëherë i kemi njohur vetëm hapësirën për t’u bindur ajo. As zhgënjimi, as xhelozia dhe as ndjenja e refuzimit nuk e bëjnë legjitime përpjekjen për ta detyruar të qëndrojë. Askush nuk mund ta kërkojë vazhdimin e një marrëdhënieje duke ia mohuar tjetrit të drejtën për të dalë prej saj.

Dhuna e vendos pikërisht këtë detyrim, që gruaja ta organizojë jetën sipas frikës nga dhunuesi. Kontrolli mbi paratë, punën, lëvizjen dhe lidhjet me familjen mund t’ia kufizojë gradualisht mundësitë për të vepruar. Kur çdo kundërshtim mund të pasohet nga kërcënimi, edhe heshtja bëhet mënyrë për t’u mbrojtur. Një institucion që nuk e kupton këtë rrethanë rrezikon ta interpretojë si pajtim atë që mund të jetë përpjekje për mbijetesë.

Dukuria e vrasjes së grave është pasojë e mendësisë së patriarkalizmit, që fatkeqësisht nuk i përjashton as institucionet, ku ushqen neglizhencën dhe mosveprimin përballë dhunës ndaj grave. Kjo është arsyeja pse kur të hetojmë duhet t’i hetojmë edhe hetuesit, kur të presim prej prokurorëve do të na duhet t’i akuzojmë edhe ata, e kur kemi të bëjmë me gjykatësit do të na duhet të mendojmë edhe kush do t’i gjykojë ata.

Sivjet janë vrarë tetë gra. Na duhet një debat publik për mënyrën se si shoqëria dhe shteti i trajton gratë që kërkojnë shkurorëzim, pavarësi dhe të drejtën e tyre në pronë e në trashëgimi. Për bindjen time të fuqishme ky është thelbi. Ne kemi një raport të vështirë me shkurorëzimin dhe me barazinë gjinore kur vije puna tek trashëgimia dhe pronësia. Duhet të flasim për mënyrën se si kërkesat legjitime të grave për të drejtat e tyre shndërrohen në burim konflikti, si normalizohet kontrolli mbi jetën dhe vendimet e tyre dhe si, në vend që të mbështeten, ato shpesh lihen të përballen të vetme me dhunën dhe institucionet të cilat dështojnë t’i mbrojnë.

Prandaj, pyetja pse një grua nuk është larguar, nuk mund të shtrohet duke shpërfillur atë që largimi do t’i kushtonte dhe mbrojtjen që do të kishte në dispozicion. Qëndrimi, kthimi apo hezitimi për të denoncuar nuk ia kalojnë asaj përgjegjësinë për dhunën. Ato na obligojnë ta kuptojmë më mirë rrezikun dhe pengesat me të cilat përballet. Përgjegjësia për dhunën mbetet te ai që e ushtron, përgjegjësia për mbrojtjen duhet të përmbushet nga institucionet që e kanë marrë përsipër.

Këtu liria bëhet çështje konkrete e qeverisjes. Një gruaje nuk i mjafton t’i thuhet se ka të drejtë të largohet, nëse largimi e lë pa strehim, pa të ardhura dhe sërish të ekspozuar ndaj kërcënimit. Njohja e së drejtës na obligon të krijojmë kushtet për ushtrimin e saj. Përndryshe, gruas i kërkojmë të bëjë e vetme atë që shteti, me të gjitha kapacitetet e tij, nuk ka arritur t’ia mundësojë. Për këtë arsye, punësimi, qasja në pronë dhe mbështetja ekonomike e grave kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe pavarësinë e tyre. Të ardhurat e veta mund t’i japin një gruaje mundësinë për të refuzuar një varësi që e mban të ekspozuar ndaj dhunës. Politikat që kemi ndërmarrë janë thelluar me këtë qëllim, që gratë të kenë mundësi reale për të vendosur dhe që nevoja për mbijetesë të mos i detyrojë të mbeten pranë personit i cili i rrezikon.

Të nderuar deputetë,

Pushteti për të gjykuar dhe për të ndjekur penalisht është një përgjegjësi publike e jashtëzakonshme. Shoqëria ua beson këtë autoritet njerëzve prej të cilëve pret zotësi profesionale, ndërgjegje morale dhe ndjenjën e nderit që buron nga shërbimi ndaj tjetrit. Pavarësia i mbron nga presioni dhe ndërhyrja, ushtrimi i saj i nënshtrohet ligjit dhe llogaridhënies. Askush nuk mund ta interpretojë pavarësinë si të drejtë për të mos dhënë përgjegjësi, ndërkohë që pasojat e neglizhencës i bart qytetari mandej. Autoriteti publik kërkon përulësi përpara dinjitetit njerëzor dhe guxim për ta përmbushur detyrën, edhe kur kjo sjell vështirësi, kërcënim apo rrezik personal. Askush nuk është ulur në kolltukun e pushtetit që t’ia lejojë vetes ta presë një grua të dhunuar me pyetjen: “Çka i ke bërë burrit ashtu, zonjë?”. Një pyetje e tillë e përdor autoritetin e shtetit për t’ia ngarkuar viktimës fajin e dhunuesit dhe për ta thelluar nënshtrimin prej të cilit ajo po kërkon të dalë.

Gjyqtarit dhe prokurorit shteti u ka besuar një pjesë të autoritetit të vet për të ndarë drejtësi. Duhet ta kuptojmë peshën e këtij besimi. Në ushtrimin e detyrës së tyre, vendimet mund të përcaktojnë nëse një person do të mbrohet nga dhuna apo do të ngelet i ekspozuar ndaj saj. Një përgjegjësi e tillë kërkon përkushtim profesional, ndërgjegje morale dhe ndershmëri për t’u përballur me pasojat e veprimeve të veta. Autoriteti, statusi dhe kompensimi që e shoqërojnë funksionin kanë kuptim vetëm në shërbim të kësaj detyre. Emërimi në drejtësi nuk të vendos mbi qytetarin, të ngarkon me përgjegjësi ta dëgjosh, ta mbrosh kur këtë kërkon, të vërtetosh provat dhe të sjellësh vendimin që mbi të gjitha mbron të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Aq shumë herë kam dëgjuar fjalët “pavarësi e gjyqësorit” aq herë sa kam kritikuar apo komentuar çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë. Të qenit i pavarur nga ndikimi i jashtëm, nuk do të thotë që je i pavarur nga përgjegjësia, nga profesionalizmi, nga integriteti e urtësia që domosdo duhet ta zotërosh si autoritet i sistemit të drejtësisë. Në raste si ky, kur viktima kërkon mbrojtjen e ti nuk ia jep ankesës së saj tërë peshën e përgjegjësisë tënde ndaj pozitës, ndaj shtetit, e ndaj vetvetes, gjithsesi ke dështuar. Aty ti e tregon sa i pavarur je dhe si vendos ti kur vie puna që pozita jote të vie në shprehje. Në drejtësi nuk ke fituar të drejtën të sillesh si sovran ndaj qytetarit. Të është besuar detyra t’i shërbesh ligjit që e mbron atë. Masa e denjësisë për funksionin që mban është serioziteti me të cilin e trajton jetën, sigurinë dhe dinjitetin e atij, të cilitdo që vjen para teje.

Prandaj, të nderuar deputetë, edhe unë i bashkëngjitëm kësaj iniciative dhe propozoj dy ndërhyrje konkrete.

Të ngarkojmë Ministrinë e Punëve të Brendshme që, përmes strukturave kompetente të Policisë, të organizojë brenda 72 orëve rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse qendrore dhe lokale, përfshirë zbatimin policor të urdhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike.

Gjithashtu, brenda 72 orëve Ministria e Drejtësisë të vijë me një raport të detajuar që zbardh gjithë reagimin apo mos reagimin e secilës hallkë të zingjirit institucional në këtë rast.

Të dashur qytetarë,

Mendimi se liria jonë na obligon ndaj lirisë së tjetrit ka peshë të veçantë në shoqërinë tonë. Ne e dimë çfarë do të thotë të kërkosh që jeta jote të mos i nënshtrohet vullnetit arbitrar të dikujt tjetër. Këtë bindje duhet ta zbatojmë me të njëjtin seriozitet në familje, në shoqëri dhe në institucione.

Për Arlindën kemi detyrimin e drejtësisë. Për gratë që sot jetojnë nën kërcënim kemi detyrimin e mbrojtjes në kohë. Për secilën prej tyre kemi përgjegjësinë që dinjiteti i njohur me ligj të përjetohet si siguri dhe liri, konkretisht në jetën e përditshme. Vetëm kësisoj e trajtojmë lirinë si të drejtë që na bashkon dhe që secili prej nesh është i detyruar ta respektojë.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors