Prishtinë, 6 tetor 2026
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Mirëmbrëma të gjithëve edhe një herë.
Pas refuzimit të profesor Bekim Sejdiut për president, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, refuzoi që të votohet njëherë projektligji mbi gjykatën speciale e mandej të bëhet votimi për president të ri në një seancë të njëjtë, me dy pika të rendit të ditës.
Me këtë rast kryetari Hamza refuzoi Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, duke thënë që ata janë politikë andaj të papranueshëm. Më lejoni të citoj kryetarin Hamza, se çfarë tha para jush para një ore:
“Cili është qëllimi politik?”, pyet ai, “që me pasë një president politik dhe me përmbyllë, me thanë, në masën qind për qind kapjen e institucioneve të shtetit. Unë vazhdimisht kam qenë në takime, kemi bisedu, sa ka seriozitet në këtë punë kur veç sot ku ju po na përcjellni që tri-katër herë ka qëndrime të ndryshme”.
Ndërkaq në pyetjen e gazetares “Feride Rushiti nuk është me kartelë të Vetëvendosjes, pse nuk është e pranueshme për ju?”, kryetari Bedri Hamza tha: “Unë mendoj që është, nuk e di a e ka librezën, mendoj se është fort Vetëvendosje. Nuk e di a e ka librezë, është Vetëvendosje”.
Të nderuar gazetarë, kur ai thotë që tri-katër herë ka qëndrime të ndryshme, në fakt bëhet fjalë për propozime të reja. Natyrisht që propozimet e reja, nuk janë propozime të vjetra, janë propozime të ndryshme sepse janë propozime të reja, e para. Dhe, së dyti, e dëgjova edhe kritikën e tij, se Glauk Konjufca na qenka politik e partiak, e në anën tjetër edhe Feride Rushiti, doktoresha e nderuar, na qenka fort Vetëvendosje. Atëherë më lejoni që këtu, para jush, propozimin tonë të orës 20 ta modifikoj dhe ta përshtas edhe ca më tutje.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le të del publikisht sonte, pas meje menjëherë, që 22 deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë me votë në zgjedhjen për president, ne po ua votojmë projektligjin për gjykatën speciale paraprakisht, pra jo më pas, përpara. Një seancë me dy pika: pika e parë, leximi i dytë i projektligjit mbi gjykatën speciale. E ka votën tonë. Dhe mandej votimi për presidente profesoresha Justina Shiroka-Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ish-ministres e PDK-së në Qeverinë Thaçi 1.
Pra, një seancë Kuvendi me dy pika: votimi i projektligjit mbi gjykatën speciale, në lexim të dytë, dhe zgjedhja e presidentes së re të Republikës, profesoreshës Justina Shiroka-Pula. Pra, Justina Shiroka-Pula, do të pranohej nga mazhoranca, nga Vetëvendosja me 53 deputetë sa jemi dhe gjithsej me pakica 62, vetëm le të del pas kësaj konference që po e mbajë unë këtu edhe kryetari i PDK-së Bedri Hamza, të cilin s’po arrij ta takoj, duke u zotuar publikisht pasi që e voton leximin e dytë vazhdon me qëndru edhe për pikën e dytë të seancës së njëjtë, votimi i presidentes së re të Republikës.
Faleminderit!