I nderuri z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari z. Driton Hapçiu, Kryetar i Fondit të Fondacionit “Lumbardhi”,
I nderuari z. Ares Shporta, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Lumbardhi”,
E nderuar znj. Aslıhan Demirtaş, arkitekte udhëheqëse e projektit të revitalizimit të Lumbardhit,
I nderuari z. Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i “DokuFest”-it,
Të nderuar të pranishëm, miq të artit e të kulturës,
Mes për mes qytetit të Prizrenit rrjedhë një lum i bukur, i cili bënë zë sikur një shirit filmik gjatë projeksionit në një kinema të vjetër. Kjo ndërlidhje zanore me këtë lum mund të jetë njëra prej arsyeve nga e ka huazuar kinemaja “Lumbardhi” emrin e tij. Mirëpo më kanë thënë se ekziston një arsye tjetër, se si kjo Kinema i ngjan lumit.
Ashtu si lumi edhe kinemaja Lumbardhi e dokumenton jetën e qytetit – lumi me rrjedhën e ujit që i jep jetë Prizrenit qysh nga krijimi i tij, ndërkaq kinemaja nga rrjedha e ngjarjeve kulturore që i kanë dhënë shpirt këtij qyteti tash e 73 vjet. Dy festivalet më të rëndësishme si Zambaku i Prizrenit dhe DokuFest-i kanë nis rrugëtimit mu në këtë ndërtesë. Ndër vite, me miliona shikues janë inspiruar në këtë ambient.
Të nderuar të pranishëm,
Historia e kësaj kinemaje, e vendosur në zemër të Prizrenit dhe që mban emrin e lumit që përshkon qytetin, është e mbushur me ndjenja të thella – nga lidhja emocionale e komunitetit me të, deri te periudhat e refuzimit dhe braktisjes.
Rrugëtimi i Kinemasë “Lumbardhi”, nga themelimi e deri më sot, përfshin ngjarje dhe përjetime të rëndësishme:
- Nga një simbol i reformës shoqërore dhe kulturore në mesin e viteve ’50, në vendtakimin dhe shënjuesin e kujteses kolektive;
- Nëpër udhëtimin e vështirësuar nga rrethana politike e ekonomike, ku rrezikohej nga privatizimi rrënues e deri te ndërtimet privatizuese;
- E deri te triumfi i aktivizmit qytetar dhe i vlerave kulturore e shoqërore, kur u shpall aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore dhe ruajti karakterin publik e kulturor.
Kësisoj, Kinema “Lumbardhi” dëshmoi se i përket komunitetit – mbi të gjitha, i përket Kulturës.
Rasti i kësaj kinemaje solli lindjen e një festivali me përmasa botërore dhe një mobilizimi qytetar për ta shpëtuar nga harresa dhe tjetërsimi.
Në vitin 2002, Kinema “Lumbardhi” u bë shtëpia e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest – ngjarja më e madhe kulturore ndërkombëtare në Kosovë – duke i rihapur dyert për publikun.
Vendimi për rrënimin e kinemasë, i miratuar nga Komuna në vitin 2007, nxiti aktivizmin qytetar: përmes iniciativës së organizatave DokuFest dhe Ec Ma Ndryshe, me ç’rast u mblodhën 8 mijë nënshkrime për të ndalur rrënimin.
Një tjetër moment kyç ishte riangazhimi në vitin 2014, kur iniciativa përfshiu 57 organizata joqeveritare nga mbarë Kosova, të cilat u bashkuan për të ndalur procesin e privatizimit.
Kjo bëri të mundur shpalljen e Kinema “Lumbardhi” si aset i trashëgimisë kulturore, dhe themelimin e fondacionit “Lumbardhi” – një entitet që synon rijetësimin e kinemasë si institucion i pavarur kulturor, duke ruajtur vlerat e trashëgimisë, por edhe duke zhvilluar një vizion të qartë që lidh si kohërat, ashtu edhe brezat.
Është kënaqësi e veçantë të jem sot në mesin e nismëtarëve që e kanë mbrojtur me përkushtim këtë institucion, dhe që së bashku po e festojmë këtë moment kthese, atë të shumëpritur, për fillimin e restaurimit dhe revitalizimit të plotë të Kinemasë “Lumbardhi”.
Më lejoni të falënderoj secilin e secilën që ka kontribuar në këtë rrugëtim, që kjo kinema të vazhdojë të jetë pikë gravitimi për kulturën dhe qytetin, një vend frymëzimi për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme.
Më lejoni të falënderoj gjithashtu edhe të gjitha organizatat e ndryshme të cilat nuk i përmenda me emër, e të cilat e kanë ndërtuar atë rezistencë të suksesshme të aktivizmit qytetar në Kosovën e pasluftës.
Gjatë viteve të fundit, mbështetja e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë thelbësore për zhvillimin e kulturës dhe artit. Në veçanti, në fushën e kinematografisë. Kemi buxhetin më të lartë ndonjëherë për prodhimin e filmave dhe mbështetjen e kinemave. Kemi nënshkruar marrëveshje bashkëprodhimi me disa shtete, duke krijuar mundësi shtesë financimi për kineastët tanë.
Sa i përket kinemave publike në Kosovë, përmes Ligjit për Kinematografi po krijojmë bazë ligjore që këto kinema të zhvillohen si hapësira të rëndësishme të ekosistemit kulturor në vendin tonë.
E posaçërisht për Kinemanë “Lumbardhi”, nga java e ardhshme fillojmë procesin e shumëpritur të restaurimit dhe të rijetësimit të saj, me një investim prej 1 milion euro. Ky institucion – ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore – do të vazhdojë edhe për dekada të jetë shtëpi e krijimtarisë kulturore dhe artistike, të punëtorive të ndryshme ku mblidhen edhe aktivistët edhe artistët, e ku takohen vlerat e së kaluarës me potencialin e së ardhmes.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që vit pas viti të rrisë mbështetjen për artin dhe trashëgiminë kulturore – si një nga shtyllat e zhvillimit kulturor, shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë.
Faleminderit të gjithëve për përkushtimin, vizionin dhe kontributin e deritanishëm.
Ju dëshiroj mbrëmje të këndshme dhe frymëzuese!