Fjala e kryeministrit Thaçi në takimin me kryetarët e Komunave të Kosovës, me përfaqësuesit e Këshillave Komunal të Sigurisë në Bashkësi dhe me përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë


Image


Image


Image

Prishtinë, 29.10.2012

Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e sotëm me kryetarët e Komunave të Kosovës, përfaqësuesit e Këshillave Komunal të Sigurisë në Bashkësi, me përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë dhe pjesëmarrës tjerë

I nderuari z. Zbogar,

Ambasador i OSBE-së,

Përfaqësues të UNDP-së,

Të nderuar ministra,

Të nderuar kryetarë të komunave,

Të nderuar përfaqësues të Këshillave Komunal të Sigurisë në Bashkësi,

Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,

Kemi thirrur këtë takim në vazhdën e punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe përkushtimit tonë që të jemi sa më afër qytetarëve tanë, që të dëgjojmë nga kryetarët e Komunave dhe përfaqësuesit e Këshillave Komunal të Sigurisë në Bashkësi se cilat janë preukopimet e tyre dhe brengat që mund t’i kenë ata.

Që nga viti 2008, procesi i reformës së pushtetit vendor dhe decentralizimit në Kosovë, ka përfshirë miratimin e ligjeve të reja, dhe rishikimin e atyre ekzistuese, krijimin e komunave të reja, bartje të kompetencave sektoriale, reformë të sistemit të financave lokale, të sigurisë dhe ngritje kapacitetesh për vetëqeverisje lokale efektive.

Bazuar në shembujt e suksesit lidhur me decentralizimin dhe krijimin e komunave të reja në Kosovë, mund të themi se kemi shënuar progres substancial në përmirësimin e klimës ndëretnike, dhe integrimin e minoriteteve.

Por, kuptohet, ka edhe sfida të cilat jemi të përkushtuar t’i tejkalojmë bashkërisht.

Kemi arritur që t’iu mundësojmë qytetarëve të vendosin vetë për gjërat që lidhen me vetëqeverisjen lokale.

Dua të theksoj edhe njëherë se në të gjitha përkushtimet që ju keni si pushtet lokal, si kryetarë të Komunave, si Ministri e Administrimit të Pushtetit Lokal, të gjitha ministritë, që ndërlidhen me këto çështje dhe ju autoritete të nderuara lokale, do të keni përkrahjen maksimale të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ne si Qeveri, si institucione të Republikës së Kosovës, si shoqëri e Kosovës, mund të themi se kemi dy sfida përpara nesh.

Njëra sfidë mund të themi se nuk është edhe aq reale, është perceptimi që njerëz të ndryshëm mund të kenë se minoritetet kanë probleme, se nuk janë të integruar, se nuk janë të sigurt ose që nuk bashkëpunojmë me institucionet. Këto nuk qëndrojnë.

Ky është një perceptim i gabuar, që i shkon përshtati vetëm Serbisë, kurse realiteti është krejtësisht tjetër.

Mirëpo, sfidë e dytë mund të jetë se në mesin tonë mund të ketë persona apo zyrtarë që për shkak të neglizhencës apo moskujdesit, mund të injorojnë edhe problemin më të vogël që një qytetar nga komuniteti minoritar mund të ketë.

Të nderuar kryetarë,

Ju them se kjo nuk duhet të ndodhë. Nga ky takim sot jam shumë i interesuar të dëgjoj mendimin e kryetarëve të komunave, si dhe përfaqësuesve të Këshillave Komunal të Sigurisë në Bashkësi.

Mirëpo, këtu sot kemi edhe përfaqësuesit më të lartë të organizatave ndërkombëtare, të cilat qe një dekadë kanë kontribuar dhe kanë qenë partnerët tanë kryesor në përmirësimin e të drejtave të njeriut, të komuniteteve dhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm në Kosovë.

Ata gjithashtu kanë edhe mandatin që të merren me këto çështje të rëndësishme, si dhe kanë mundësinë që të vlerësojnë situatën reale.

Gjatë këtyre viteve kanë ofruar ekspertizën e tyre, resurset, kapacitetet, si dhe përvojën e mjaftueshme në praktikë, prandaj kërkoj nga ju, kryetarë të nderuar, ministra, Drejtor i Policisë, nëse s’keni pasur rast t’i njihni dhe bashkëpunoni deri më tash, ja ku i keni, dhe shfrytëzoni këtë përvojë të tyre që kanë për të përmirësuar raportet mes komuniteteve në Kosovë.

Të nderuar të pranishëm,

Nga ky takim sot jam shumë i interesuar  të dëgjoj edhe mendimin tuaj, përfaqësues të organizatave në lidhje me situatën në komuna ku jetojnë komunitetet nga radhët e minoriteteve.

Edhe njëherë dua t’iu garantoj dhe t’iu siguroj se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës kanë mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të të gjitha institucioneve për të adresuar çdo çështje, që ata mund të kenë, qoftë në aspektin e sigurisë, qoftë në aspektin ekonomik, apo çfarëdo aspekti tjetër, që ndikon në përmirësimin e mëtejmë të jetës së tyre të përditshme.

Ju faleminderit shumë edhe njëherë. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors