Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në Kuvendin e Kosovës


Image

Prishtinë, 12 shkurt 2015

Faleminderit z. Kryetar i Kuvendit
Të nderuar deputetë,
Të nderuar kabinet qeveritar,

Unë kam kërkuar nga Kryesia e Kuvendit që sot t‘iu informoj për dialogun e zhvilluar në Bruksel, më datën 9 shkurt, dhe të përfunduar në orët e mëngjesit të datës 10 shkurt të këtij viti.

Dialogu u zhvillua me ndërmjetësimin e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, znj. Federica Mogherini. Dialogu i zhvilluar në Bruksel është vazhdimësi e dialogut, që është në harmoni me Rezolutën e Kuvendit të datës 22 prill të vitit 2013 për dhënien e pëlqimit për nënshkrimin e marrëveshjes së parë të parimeve që rregullon normalizimin e marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Në takimin paraprak me znj. Mogherini dhe me përfaqësues të tjerë të BE-së, delegacioni ynë me datën 9 shkurt, në përbërje nga unë, Kryeministër i Kosovës, z.Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër, z. Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, z.Bekim Çollaku, ministër i Integrimeve Evropiane, znj. Edita Tahiri, ministre pa portofol për dialog, z. Blerim Shala, anëtar i ekipit për dialog, dhe z. Valon Halimi, këshilltar i kryeministrit për emigracion dhe migrimet, prezantuam vlerësimet tona lidhur me procesin e deritanishëm të dialogut.

Theksuam vizionin euro-atlantik të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe se qëllimet tona kombëtare  janë integrimi i Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian dhe strukturat euro-atlantike. Andaj, poashtu se jemi të angazhuar me përkushtim për reforma evropiane të gjithanshme, ku prioritet kryesor kemi forcimin e sundimit të Ligjit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe të punësimit, për ta bërë shtetin tonë sa më prosperues, për të gjithë qytetarët dhe për të gjitha komunitetet.

Për neve Bashkimi Evropian dhe partnerët trans-atlantik janë partnerë strategjik dhe jemi të përkushtuar për të arritur qëllimet e përbashkëta për paqe, demokraci dhe prosperitet.

Theksuam në veçanti se presim që sa më shpejt ta nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me BE-në, dhe heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që edhe ne të kemi liritë fundamentale ashtu siç i ka çdo qytetar i Evropës.

Kosova si shtet më i ri në Evropë, ka arritur që të dëshmohet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, duke i dhënë shumë rëndësi fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal. Mbi këtë bazë kemi krijuar marrëdhënie shumë të mira me të gjitha shtetet fqinje.

Kosova është e interesuar që të ketë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë, dhe presim që dialogu i Brukselit të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes të dy shteteve, që është interes i të dyja vendeve dhe qytetarëve tanë.

Në këtë mënyrë do të mbyllej kapitulli i konflikteve dhe do të hapej kapitulli i paqes dhe bashkëpunimit ndërshtetëror sipas standardeve evropiane.

Që të dyja shtetet kemi obligim që të kontribuojmë për paqe dhe stabilitet në rajon dhe në Evropë, ndërkohë që do të mundësohet që të ardhmen ta kemi më të mirë për qytetarët tanë.

Arritjet e deritanishme të dialogut të Brukselit dhe angazhimi i jashtëzakonshëm i Bashkimit Evropian, dhe mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë bërë që të transformojmë pozitivisht marrëdhëniet miqësore me vendet në rajon, edhe marrëdhëniet fqinjësore në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe vetë dialogu është bërë një model pozitiv për zgjidhjen e çështjeve të hapura të vendeve të rajonit.

Marrëveshja e arritur në Bruksel vitin e kaluar, si dhe marrëveshjet tjera, kanë kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve në planin socio-ekonomik, në lëvizjen e lirë dhe në siguri, në integrimin e qytetarëve serbë  të pjesës veriore në institucionet e shtetit të Kosovës, në zhbërjen e strukturave ilegale serbe, në fushat ku janë arritur marrëveshjet.

Ndërkohë Kosova ka konsoliduar edhe më tej sovranitetin në gjithë vendin. Për herë të parë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, marrin pjesë serbët nga e gjithë Kosova.

Dëshiroj të theksoj se janë të rëndësishme arritjet e marrëveshjeve, por më të rëndësishme janë zbatimet e marrëveshjeve të arritura.

Kosova ka përmbushur me konsekuencë obligimet e saja zbatuese, mirëpo nga ana e Serbisë ka pasur moszbatime, zvarritje, dhe herë-herë edhe shkelje të Marrëveshjeve. Këto ne i kemi prezantuar në Bruksel.

Ky vit ka filluar jo me risi në zbatimin e marrëveshjeve, por me risi në moszbatimin e tyre, sidomos në shtimin e strukturave ilegale komunale, për të cilat e kemi vënë në dijeni Brukselin dhe SHBA-në.

Vizioni ynë si Qeveri, është që dialogu i Brukselit të ofroj mundësi për të trajtuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin bilateral deri në njohjen përfundimtare në mes të dy shteteve dhe mos pengimin e njëra-tjetrës për anëtarësim në BE dhe strukturat euroatlantike.

Poashtu, në fazën vijuese, do të trajtojmë çështjet e demarkacionit të kufirit, reparacioneve të luftës, që janë mundësi për të lehtësuar tragjedinë dhe dhimbjen e popullit të Kosovës, duke përfshirë në veçanti çështjen e të pagjeturve dhe  viktimave të tjera të dhunës, të kompensimit të dëmeve të luftës, kthimin e dokumenteve të marra gjatë luftës, të artefakteve arkeologjike, si dhe çështjet e suksesionit mes dy vendeve, në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Ndër arritjet kryesore të dialogut të Brukselit dhe sfidat që janë paraparë, më lejoni të veçoj si në vijim: ka pasur përparime të dukshme në funksionimin ligjor dhe integrimin e katër komunave veriore në institucionet e Kosovës, pas zgjedhjeve të suksesshme lokale të vitit 2013, në përputhje me Ligjin e Kosovës dhe me Marrëveshjen e Brukselit.

Në periudhën vijuese do të punohet në konsolidimin e plotë të tyre në planin ligjor dhe demokratik, ndërkohë që bashkëpunimi është në rritje në mes të këtyre dy autoriteteve lokale dhe autoritetit qendror, duke shtyrë përpara agjendën për një jetë më të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Të nderuar deputetë

Për çështjet e drejtësisë është zhvilluar një dialog për një periudhë të gjatë kohore, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësuesit dhe ekspertët nga të gjitha fushat, ata të Gjykatës Supreme, të Gjykatës së Apelit, të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe të Prokurorisë së Kosovës.

Të gjitha zgjidhjet janë arritur në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe të ligjeve ekzistuese, dhe asnjë zgjidhje e pranuar nuk kërkon ndryshimin e ligjeve, por vetëm zbatimin e këtyre ligjeve në territorin e Republikës së Kosovës.

Parimet themelore të dialogut për drejtësinë kanë qenë:

–          Sistemi unik i gjyqësorit, përkatësisht një Gjykatë Themelore për tërë Rajonin e Mitrovicës, siç është e paraparë me Ligj, respektivisht një Prokurori Themelore
–          Gjyqtarët dhe prokurorët të punojnë së bashku dhe jo të ndarë mbi baza etnike
–          Aspekti fizik i gjykatave të rregullohet në mënyrë praktike substacionale, që rastet penale të trajtohen në objektin e Gjykatës në veri, ndërsa rastet civile në objektet e Gjykatës Themelore në jug.
–          Kryetari i Gjykatës dhe Kryeprokurori të jenë të përbërjeve të ndryshme etnike, përkatësisht kryeprokurori të jetë shqiptar, ndërsa kryetari i Gjykatës të jetë serb.
–          Numri i gjyqtarëve dhe personelit administrativ të jetë i përafërt me strukturën e popullsisë në këtë pjesë
–          Në funksionalizimin e kësaj marrëveshje duhet të shuhen të gjitha gjykatat dhe prokuroritë në Serbi që i referohen territorit të Republikës së Kosovës, sepse kemi pasur gjykata të tilla edhe brenda edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës; dhe poashtu
–          Dokumentacioni gjyqësor i cili ka qenë jashtë dhe i cili duhet të kthehet në Gjykatën Themelore, përkatësisht në organet e drejtësisë të Kosovës, dhe të trajtohet sipas Ligjeve të Kosovës.

Kjo marrëveshje, ashtu si edhe marrëveshjet e tilla para saj, janë arritur pas muajve të tërë të negociatave mes palëve, kurse qëllimi kryesor i ekipit tonë ka qenë integrimi i gjyqësorit dhe veprimi i tij unik në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Mirëpo, pavarësisht rezultateve shumë të rëndësishme që i kemi arritur me nënshkrimin e marrëveshjes për drejtësi, duhet të theksoj se rimëkëmbja e sistemit të drejtësisë në një vend, gati të izoluar nga dora e drejtësisë tash e 15 vjet, do të jetë një arritur e madhe për ne, por edhe një sfidë mjaft e madhe për ne.

Të gjithë ne kemi qenë dëshmitar të një rezistence të pashembullt të qytetarëve të pjesës veriore ndaj përpjekjeve të shumta si të institucioneve të Kosovës, ashtu edhe të atyre ndërkombëtare, për të rikthyer drejtësinë në këtë pjesë të vendit, prandaj është më se e qartë se rivendosja e drejtësisë jo vetëm në atë pjesë të shtetit tonë, por gjithandej, është ndër parakushtet e forcimit të shtetit ligjor dhe të integrimeve tona evropiane dhe euro-atlantike.

Me marrëveshjen për drejtësi nuk ka palë fituese dhe palë humbëse. Me këtë marrëveshje ka fituar drejtësia, prandaj konsideroj se kanë fituar të gjitha palët, kanë fituar të gjithë qytetarët, ka fituar integriteti dhe sovraniteti i vendit tonë.

Marrëveshja e arritur së fundmi parasheh  një integrim të strukturave të deritanishme të drejtësisë, nga veriu i vendit në sistemin gjyqësor të Kosovës, për të aplikuar kështu  legjislacionin e Republikës së Kosovës.
 
Pika e parë e marrëveshjes e reflekton pikërisht këtë. Në të gjitha pikat e tjera marrëveshja i referohet harmonisë me ligjet e Republikës së Kosovës.
 
Për të siguruar gjithëpërfshirje dhe bashkëpunim, pas këtij procesi të gjatë negociues kemi pranuar një përfaqësim më substacional të gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve serbë në gjykatat tona në këtë rajon.
 
Kështu marrëveshja parasheh një përfaqësim të gjyqtarëve në të gjitha Departamentet e Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Pjesë e këtij përfaqësimi është edhe udhëheqja e Gjykatës nga një gjyqtar serb, ndërkaq  e Prokurorisë nga një prokuror shqiptar.
 
Siç është paraparë me marrëveshjen paraprake në fushën e drejtësisë, përgjatë kësaj periudhe të tranzicionit EULEX-i do të ketë funksione të rëndësishme për të ndihmuar kalimin e lëndëve nga sistemi i kaluar gjyqësor i mbuluar nga gjykatat e Serbisë në sistemin gjyqësor kosovar.
 
Prandaj prania e stafit të EULEX-it në këtë Gjykatë përgjatë kohës që EULEX-i ka këtë mandat do të jetë më se e nevojshme.
 
Kështu, duke pasur parasysh numrin tashmë të ndryshuar, të ngritur të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës, prezenca e EULEX-it por edhe nevoja për gjithëpërfshirje për të maksimalizuar qasjen e qytetarëve në drejtësi, Gjykata Themelore në Mitrovicë do të jetë e vendosur në dy objekte.
 
Megjithatë duhet bërë të qartë se kjo ndarje është bërë vetëm për arsye funksionale dhe infrastrukturore, dhe ndarja është bërë në bazë të natyrës së lëndëve që departamentet e ndryshme i punojnë.
 
Kështu që Departamenti i Krimeve të Rënda dhe pjesa e departamentit të përgjithshëm që merren me lëndë penale do të jetë e vendosur në Gjykatën Themelore në veri të qytetit.
 
Divizioni i Gjykatë së Apelit në pjesën veriore të Mitrovicës do të përbëhet nga dy gjyqtarë shqiptarë dhe pesë gjyqtarë serbë dhe do t’i përgjigjet drejtpërdrejtë Gjykatës së Apelit.
 
Kurse Departamenti i Krimeve të Rënda do të përbëhet nga katër gjyqtarë shqiptarë dhe katër serbë.
 
Departamenti i Përgjithshëm i cili do të gjykojë të gjithë çështjet penale në pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës dhe Zveçanit do të përbëhet nga pesë gjyqtarë serbë dhe katër gjyqtarë shqiptarë.  Është paraparë poashtu që të jenë nëntë prokurorë shqiptarë dhe nëntë prokurorë serbë.
 
Në jug të qytetit do të gjykohen të gjitha lëndët e natyrës civile dhe për të mitur.
 
Prokuroria do të jetë e vendosur në një objekt tjetër poashtu në veri të qytetit. Kështu do të garantohet një prezencë e barabartë e institucioneve të drejtësisë në këtë pjesë të Kosovës.
 
Integrimi i pjesës veriore të Republikës së Kosovës është një proces i ndjeshëm por që po ndodhë.
 
Vënia e drejtësisë rikthimi i besimit të qytetarëve të kësaj pjese në institucionet e drejtësisë dhe puna e pandërprerë e këtyre institucioneve që, do të filloj së shpejti do të na dëshmoi të gjithëve se të gjitha sakrificat e bëra gjatë këtyre viteve ia vlejnë.
 
Për më tepër avancimi i Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian si një shtet me shtrirje të plotë të sovranitetit të tij në të gjithë territorin,  do të dëshmojë që kjo rrugë që e zgjodhëm do të tejkaloj mosmarrëveshjet tona dhe do të jetë e dobishme për të gjithë qytetarët e vendit tonë dhe po ashtu për marrëdhëniet tona me fqinj.
 
Të nderuar deputetë,
 
Në takimin e fundit me palën serbe diskutuam edhe për bashkërenditjen e punëve dhe bashkëpunimin në ndaljen e migrimit të popullatës së Kosovës që po ndodhë përmes territorit të Serbisë. Pala serbe u deklarua se është duke punuar me palën hungareze dhe atë gjermane dhe u tregua bashkëpunuese në këtë drejtim.
 
Zgjidhja e çështjeve të drejtësisë dhe shuarja e mbrojtjes civile e cila do të jetë me prioritet në takimet e ardhshme do të krijoj mundësi që të diskutojmë për çështjen e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në bazë të ligjeve ekzistuese të Kosovës si dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës ashtu siç e përcakton Marrëveshja e Brukselit.
 
Ne jemi të interesuar të finalizojmë çështjet e Kodit Telefonik për Kosovën, dhe të zbatojmë aspekte të tjera të Marrëveshjes për Telekomin, kurse çështja e Energjisë ka pasur përparime dhe do të vazhdohet të debatohet në vijim, në mënyrë që të merremi vesh edhe për këtë çështje.

Dialogun do ta vazhdojmë dhe do ta zhvillojmë në harmoni me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, dhe do të praktikoj që për të gjitha këto çështje të jem transparent para Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Unë dëshiroj të falënderoj ekipet e ekspertëve që kanë punuar për tu arritur kjo marrëveshje, si dhe Ekipin e Dialogut, me të cilin përfunduam marrëveshjen, dhe poashtu e falënderoj Bashkimin Evropian dhe znj. Mogherini, dhe në veçanti përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.
 
Faleminderit!
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors