Prishtinë, 22 dhjetor 2014
Faleminderit i nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
I nderuari kabinet qeveritar,
Ju përshëndes të gjithëve,
Dëshiroj që para jush me disa fjalë të prezantoj orientimet makroekonomike të cilat i kemi për vitin 2015, dhe poashtu edhe disa elemente nga buxheti, përkatësisht nga projekti i buxhetit i cili është sot në diskutim para jush.
Ky është ligji i parë, që unë para jush e prezantoj në cilësinë e kryeministrit të vendit dhe njëherit konsideroj që është një ndër dokumentet më të rëndësishme që Qeveria sjell para deputetëve për aprovim. Ky projektbuxhet procedohet shpejt në Kuvend për shkak të shumë arsyeve, që neve na orientojnë ta aprovojmë buxhetin brenda këtij viti dhe të krijojmë kushte normale që buxheti të filloj të realizohet në fillim të vitit të ardhshëm, për arsye se kemi shumë detyrime të cilat duhet t’i përballojmë.
Të nderuar deputetë,
Në vijim për shkak të lidhshmërisë së drejtpërdrejtë që ka performanca fiskale në zhvillimet ekonomike, unë do të flas shkurtazi mbi projeksionet makroekonomike për vitin 2015, pasqyruar në pjesën makrofiskale të materialit të buxhetit që sot e keni para jush.
Në vitin 2015, me vlerësimet e tanishme, ne presim që ekonomia e vendit të ketë një normë vjetore të rritjes prej mbi 4 %. Në këndvështrimin afatmesëm kjo normë e rritjes pritet të jetë edhe më e lartë, si rezultat i reformave substanciale që Qeveria planifikon të ndërmarrë gjatë vitit 2015.
Në kuadër të rritjes makroekonomike, pritet që kontributin më të madh ta kenë investimet në veçanti investimet private. Është normale të theksohet se sektori privat do të presë që Qeveria e Republikës së Kosovës, të krijojë ambientin e nevojshëm për bizneset prandaj theksoj se ne jemi shumë të përkushtuar që të zhvillojmë një partneritet dhe bashkëveprim me sektorin privat dhe që të gjitha veprimet dhe reformat tona t’i orientojmë drejt plotësimit të gjitha parakushteve për rritjen e sektorit privat për vitin e ardhshëm.
Si rrjedhojë investimet private pritet që gjatë viteve të ardhshme të rriten me një normë mesatare prej 8.6 %, dhe rrjedhimisht pjesëmarrja e këtyre investimeve në bruto produktin vendor pritet që do të rritet.
Vërtet për t’a përmirësuar strukturën e tanishme të ekonomisë së vendit, patjetër duhet që t’i orientojmë politikat tona drejt investimeve, ngase vetëm kështu do të bëhej i mundshëm shtimi i prodhimit vendor, zëvendësimi i importeve dhe zvogëlimi i deficitit tregtar i cili është shumë i lartë.
Rritja e investimeve duhet të theksoj se është shumë ngushtë i lidhur me kapacitetin e vendit për të eksportuar. Gjatë viteve të kaluara ka pasur një rritje modeste të eksporteve, por duke marrë parasysh se baza e eksporteve është mjaftë e ulët, ne synojmë që në vitet në vijim eksportet t’i rrisim edhe më shumë. Ngjashëm me eksportet e mallrave ne presim që edhe tregu i shërbimeve të zgjerohet dhe ta zgjeroj aktivitetin e tij, dhe kështu ky treg të ndikoj në rritjen e eksporteve të shërbimeve në tregjet e jashtme, edhe në tregun evropian dhe tregun botëror.
Më duhet të them se struktura e eksporteve tona vazhdon të jetë mjaft e koncentruar dhe kjo në vete përbën një lloj rreziku për shkak se kemi raporte zhvillimore botërore të cilat nuk e parapëlqejnë shumë këtë strukturë.
Në rënien e çmimeve në tregun botëror, produktet dhe shërbimet që Kosova eksporton në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikohet edhe në sasinë dhe vlerën e eksporteve të shërbimeve të cilat ne do t’i realizojmë në periudhën e ardhshme kohore.
Prandaj, kërkohet që gjatë viteve në vijim përveç rritjes në tërësi të eksporteve, të punojmë edhe në diversifikimin e mallrave dhe shërbimeve për eksport si parakusht që ne ta rrisim eksportin e shërbimeve.
Komponent tjetër shumë e rëndësishme e bruto produktit vendor që është konsumi, është projektuar që në vitin 2015 të ketë një rritje prej 4 %, ndërsa konsumi privat pritet të ketë një rritje edhe më të madhe.
Ekonomia e vendit është shumë e hapur ndaj ekonomive regjionale dhe më gjerë dhe çdo lëvizje e çmimeve, mallrave dhe produkteve në nivel botëror do të bëj që inflacioni në Kosovë të ndiqet në bazë të këtij trendi.
Ne nuk kemi mundësi, siç e dini, të kontrollit të çmimeve pasi nuk e kemi valutën tonë, që do të mundësonte që Banka Qendrore ta bëj një gjë të tillë. Megjithatë duke u bazuar në ecuritë e viteve të fundit si dhe në pritje, për vitet në vijim ne presim që niveli vjetor i inflacionit gjatë tri viteve në vijim mesatarisht duhet të sillet rreth 1 %.
Më lejoni poashtu, t’ju them se gjatë viteve të kaluara pavarësisht vështirësive ekonomike dhe të punësimit në shumë vende të Evropës, diaspora jonë ka vazhduar me dërgesat e tyre tek familjarët dhe bizneset në Kosovë, kjo ka bërë të mundur që të kemi një financim stabil të konsumit dhe pjesërisht investime nga remitencat.
Sa i përket viteve të ardhshme, pritet që niveli i dërgesave nga diaspora, të jetë stabile dhe të vazhdoj me kontributet e domosdoshme për ekonominë tonë. Dua të them se të gjitha këto projeksione të theksuara deri më tani, në masë të konsiderueshme do të varen nga performanca e ekonomive regjionale, ekonomisë evropiane dhe më gjerë.
Kosova sot ka një ekonomi mjaft të integruar dhe çdo lëvizje në ekonominë e vendeve të jashtme potencialisht do të ndikoj edhe në ekonominë tonë.
Krahasuar me vitet e kaluara, sot ekonomia e Euro-zonës duket më stabile dhe më e qëndrueshme, por vazhdon të jetë mjaft e hapur ndaj një numri të rreziqeve potenciale.
Megjithatë, dua t’iu siguroj se Qeveria do të bëjë më të mirën në mënyrë që varshmëria nga ecuritë të jashtme të bjerë, dhe kështu, të bëhet e mundur që ekonomia e vendit të jetë rezistente, për aq sa është e mundur, ndaj tronditjeve në tregjet e jashtme.
Më lejoni në vazhdim të kthehem te Buxheti, respektivisht te të hyrat dhe të dalat buxhetore.
Të hyrat e përgjithshme buxhetore për vitin 2015 janë planifikuar të jenë në nivel prej 1 miliard e 576 milion euro, që është një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014.
Projeksionet tona për rritje të të hyrave tatimore nuk parashohin rritje të normave tatimore, por rritja e të hyrave do të vijë si rezultat i fitimit i cili do të realizohet në ekonomi dhe si rezultat i luftimit të ekonomisë joformale dhe rritjes së ekonomisë vendore, duke u bazuar në parimin e partneritetit dhe bashkëpunimit me sektorin privat.
Qeveria është shumë e interesuar dhe përkushtuar në fuqizimin e Administratës Tatimore dhe Doganore, për të rritur nivelin e shërbimeve të tyre, për mbledhje e tatimeve dhe për rritjen e performancës së tyre.
Do t’ju ofrojmë mbështetjen e duhur Komunave, në mënyrë që Qeverisja lokale të rrisë performancën, dhe rrjedhimisht, të rritet pavarësia fiskale e pushtetit lokal nga ai qendror.
Në anën e shpenzimeve, do të vazhdohen investimet në infrastrukturën rrugore, sektorin e arsimit, shëndetësisë, fushën e sigurisë, në bujqësi dhe shëndetësi.
Për shumë objekte të infrastrukturës janë kryer obligime kontraktuale nga e kaluara dhe ato kanë bërë që të kemi shumë pak hapësirë për intervenime në këtë projekt të buxhetit.
Përmes këtij buxheti, do të bëhet i mundur adresimi i një sërë sfidash në fushën sociale, siç është rasti me kategoritë e dala nga Lufta, Pensionistët, ish të Burgosurit Politik, familjet në asistencë sociale, e kështu me radhë.
Sa i përket rritjes së pagave në buxhet është përfshirë rritja nga ky vit, kurse rritjet e tjera të mundshme do të shqyrtohen gjatë vitit në harmoni me mundësitë buxhetore.
Niveli i përgjithshëm i të dalave buxhetore për vitin 2015 është planifikuar të jetë në vlerë prej 1 miliardë e 682 milion euro, që paraqet një rritje prej rreth 6% krahasuar me nivelin e përgjithshëm të shpenzimeve të planifikuara për vitin 2014.
Gjatë vitit 2015 do të fillojmë me implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, dhe Kosova do të ketë skemat e sigurimeve shëndetësore për qytetarët e saj.
Pas fjalës sime, Ministri i Financave do të bëjë një paraqitje më të detajizuar të Buxhetit.
Por, më lejoni që edhe njëherë të them se presioni kohor që të aprovojmë Buxhetin sa më parë dhe që në fillim të janarit, Qeveria të mund të operoj normalisht, me pagesat për të punësuarit në sektorin publik, pensionet, asistencën sociale me obligimet që i kemi ne lidhur me projektet investuese nuk ka mundësuar që ne të ndërhyjmë në tekstin e buxhetit të cilin e ka përgatitur qeveria e deritanishme, prandaj tekstin që e kemi marrë sot, është tekst që është përgatitur, është një tekst i cili nuk shpreh as dëshirat e kësaj qeverie e as dëshirat e Qeverisë së kaluar, shprehë një situatë objektive të kufizimeve tona sa i përket të hyrave fiskale dhe sa i përket burimeve buxhetore ,por edhe obligimeve që i kemi marrë deri më tani.
Por, ne do të bëjmë përpjekje maksimale që të bëjmë disa ndryshime të mundshme dhe të domosdoshme dhe këto ndryshime t’i bëjmë brenda dy leximeve mbi bazën e propozimeve dhe vërejtjeve që do t’i jepni sot në Kuvend, mbi bazën e punës së Komisioneve të Kuvendit, sidomos Komisionit për Buxhet dhe të identifikimeve që do t’i kemi nga ministritë përkatëse gjatë kësaj periudhe e cila është shumë e shkurtë.
Çështjet më fondamentale që ndërlidhen me realizimin e programit të Qeverisë, ne mund t’i përfshijmë dhe mund t’i adresojmë gjatë procesit të rishikimit të buxhetit të ardhshëm, prandaj ajo do të jetë koha kur ne do t’i adresojmë këto dhe po ashtu do t’i adresojmë edhe shumicën e kërkesave që ju mund t’i keni sot këtu.
Të nderuar deputetë,
Unë ju falënderoj paraprakisht, dhe pas prezantimit nga ana e ministrit të Financave z. Avdullah Hoti dhe diskutimeve që do të kemi, ju ftoj që ta përkrahni këtë propozim të Buxhet në mënyrë që të procedojmë më tutje dhe të arrijmë që ta aprovojmë para përfundimit të këtij viti.
Ju faleminderit!
