Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e radhës të Komitetit Ndërministrorë për të Drejta të Fëmijëve


Image

Prishtinë, 31 maj 2013

Të nderuar anëtarë të Komitetit Ndërministrorë për të Drejta të Fëmijëve,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe Zotërinj,

Jemi mbledhur sot këtu për të nderuar një ndër ditët më të rëndësishme për ne dhe për mbarë botën, “1Qershorin” ditën ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Andaj, jam i nderuar që sot kryesoj takimin e radhës së Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve, duke vënë në pah punën dhe përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar të drejtat e fëmijëve sot që ata ti festojnë nesër.

Fillimisht dëshiroj të shpreh konsideratën time më të lartë ndaj fëmijëve në përgjithësi, e veçanërisht ndaj fëmijëve kosovarë, të cilët përfaqësojnë realitetin e sotëm, e padyshim se do të ndërtojnë dhe prezantojnë edhe të ardhmen e suksesshme të vendit tonë.

Me këtë rast ua uroj përzemërsisht të gjithë fëmijëve të Republikës së Kosovës ditën e tyre “1 Qershorin”.

Për mua është kënaqësi e veçantë të jem në mesin tuaj për të diskutuar lidhur me të arriturat mbi jetësimin e të drejtave të fëmijëve, për problemet apo sfidat e hasura, si dhe për planifikimin e veprimeve të nevojshme institucioneve qeveritare mbi adresimin dhe tejkalimin e po këtyre vështirësive.

Një ndër të arriturat e Qeverisë së Republikës së Kosovës është hartimi i Raportit të parë Shtetëror mbi zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në Kosovë, si dhe dorëzimi i tij për shqyrtim para trupave të Traktateve të OKB-së.

Vlen të theksohet se ky hap i Qeverisë është evidentuar si e arritur edhe në Raportin e Progresit të vitin 2011.

Me këtë veprim Republika e Kosovës ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e mirë politik që të marrë përsipër për t’i përmbushur obligimet ndërkombëtare, të cilat sigurojnë realizimin e të gjitha të drejtave themelore e të patjetërsueshme për të gjithë fëmijët në Kosovë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ia ka bërë të qartë Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve në OKB, se me kënaqësi do t’i përgjigjet çfarë do pyetje, vrojtimi, këshille apo rekomandimi që dëshiron të na e drejtojë.

Për të vendosur fëmijën në qendër të prioriteteve të Qeverisë, janë bërë përparime duke bërë të mundur krijimin dhe funksionimin e një varg mekanizmash ndërinstitucional që merren me dizajnimin e politikave si dhe monitorimin e realizimit të të drejtave të fëmijëve.

Për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat e fëmijëve, kërkohet një koordinim i mirëfilltë i përbashkët i punës dhe një qasje institucionale shumë sektoriale, për këtë qëllim janë themeluar: Komiteti i Kosovës për Parandalimin dhe Eliminimin e Punës së Fëmijëve; Këshilli për Mbrojtje dhe Drejtësi për Fëmijë; Këshilli për Edukim Parashkollorë; Komiteti Kosovar për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës; si dhe grupe të tjera punuese.

Duke qene se zbatimi i të drejtave të fëmijëve kërkon vendosjen e një sistemi funksional të monitorimit, raportimit dhe vlerësimit të brendshëm, e veçanërisht kur kemi të bëjmë me qasjen ndërsektoriale, me punën e palodhshme të Zyrës për Qeverisje të Mirë, është krijuar sistemi unik i monitorimit, vlerësimit  dhe raportimit të zbatimit të Strategjisë për të Drejtat e Fëmijëve, sistem ky që kërkon vendosjen e përgjegjësisë në punë, ofron rekomandime, këshilla dhe mënyra të qarta për të adresuar sfidat, mangësitë dhe vështirësitë eventuale të identifikuara. 

Arritje tjetër që do ti shërbej reformimit të sistemit të drejtësisë për të mitur, janë  aprovimi nga ana e Qeverisë dhe zbatimi i Treguesve për Drejtësinë për Fëmijë, pastaj Hartëzimi dhe vlerësimi i sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, hartimi i Protokollit për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit paruniversitar, e një sërë arritjesh të tjera.

Duke theksuar të arriturat e deritanishme dhe duke qenë të vetëdijshëm se para nesh kemi edhe shumë objektiva të tjera për të përmbushur, ju lus që këto të arritura të perceptohen vetëm si një tregues i mirë që të na motivojë të punojmë  dhe angazhohemi edhe më shumë duke bashkuar forcat dhe dijet për të zbatuar të gjitha obligimet që dalin nga legjislacioni vendorë dhe konventat ndërkombëtare për garantimin dhe respektimin e plotë të të drejtave të fëmijëve dhe sigurimin e standardit cilësorë për të gjithë fëmijët.

Mekanizmat shtetërorë, të cilët përveç tjerash janë përgjegjës për të lehtësuar zbatimin e të drejtave të fëmijëve, në vazhdimësi do të ju ofrohet përkrahje institucionale për zbatimin e Planeve të Veprimit të tyre, por nga këta trupa kërkohet që në suaza të rregullta gjashtë mujore të paraqesin raportet e tyre tek Sekretariati i Komitetit Ndërministrorë për të Drejtat e Fëmijëve, i cili tani më funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit/Zyrës për Qeverisje të Mirë, që shërben  për të zhvilluar dhe mirëmbajtur aktivitetet e nevojshme për punën e Komitetit.

Funksionalizimi i plotë i këtyre trupave qeveritarë, lehtëson përmbushjen e plotë të misionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që përveç tjerash është krijimi i kushteve më të mira të jetesës së fëmijëve, si: në familje, shoqëri, institucione publike dhe private, e në veçanti mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e mundshme e diskriminimit, dhunës, keqtrajtimit, shfrytëzimit dhe punëve të rrezikshme, në mënyrë që të siguroj një jetë dhe zhvillim normal të fëmijës; si dhe fuqizimi i mekanizmave që do të sigurojnë  se normat e pranuara për mbrojtjen e fëmijëve janë duke u zbatuar dhe respektuar, interesi më i lartë i fëmijës është marrë parasysh dhe zëri i fëmijës është dëgjuar.

Një punë shumë të mirë që ka rezultuar me të arritura drejt zbatimit të të drejtave të fëmijëve janë duke e  bërë  edhe organizatat joqeveritare të  ndryshme vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Dhe me këtë rast shfrytëzoj mundësinë të falënderoj sinqerisht zyrën e Komisionit Europian në Kosovë dhe Zyrën e UNICEF-it në Kosovë për përkrahjen e vazhdueshme që po an ofrojnë në realizimin e projekteve tona të përbashkëta.

Dhe krejt në fund, urojë të gjithë anëtarët e Komitetit për këtë takim dhe i ftoj të gjithë të kemi diskutime konstruktive dhe të shprehni përkushtimin e thellë që do të kemi si institucione të Republikës së Kosovës për të punuar seriozisht në bërjen e Kosovës një vend më të mirë, që do të mbrojë dhe garanton të drejtat e të gjithë fëmijëve të Kosovës.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors