Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e 12-të të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik


Image


Image


Image

Prishtinë, 2 tetor 2013

Faleminderit shumë e nderuara zëvendëskryeministre MimozaKusari-Lila, faleminderit për punën tuaj, faleminderit për udhëheqjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Ky është takimi i 12-të dhe për mua ka qenë një kënaqësi e veçantë që të jem pjesë e këtyre takimeve në shumicën e rasteve.

Ju falënderoj për punën shkëlqyeshme, e munguar më herët në Kosovë sa i përket këtij sektori në këtë nivel të cilësisë dhe ju përgëzoj për suksesin e plotë që keni pasur nën udhëheqjen e këtij Këshilli, që ka sjell risi dhe sukses dhe ndër meritat kryesore ju takon juve.

Të nderuar zëvendëskryeministra,
Ministra,
Përfaqësues të biznesit,
Të nderuar ët gjithë ju të pranishëm,
Të nderuar pjesëmarrës,

Gjatë këtij tremujori, Qeveria e Republikës së Kosovës ka realizuar një mori suksesesh të reja në fushën e ekonomisë, sidomos në atë të tregtisë, investimeve në sektorin privat, infrastrukturës rrugore si dhe në atë të energjisë.

Si rezultat i negocimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Turqisë, qeveritë e të dy vendeve kanë nënshkruar marrëveshjen për tregti të lirë.

Kjo marrëveshje pritet të hapë rrugë të reja për shkëmbime tregtare në mes të bizneseve të vendit tonë me ato të Turqisë, si dhe për rritjen e investimeve turke në Kosovë dhe anasjelltas.

Me këtë marrëveshje është paraparë edhe mbrojtja e disa sektorëve të ndjeshëm prodhues.

Republika e Kosovës ka filluar të përgatis një marrëveshje të ngjashme edhe me Republikën e Shqipërisë dhe këtë e kemi diskutuar edhe në vizitën e fundit, në takimet që kemi zhvilluar me kryeministrin Rama.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që të nxitet dhe lehtësohet tregtia mes dy vendeve duke thjeshtësuar dhe harmonizuar rregulloret dhe kërkesat për transportin, tregtinë dhe doganat.

Progres i rëndësishëm është shënuar edhe në procesin e negocimit të Marrëveshjes së Stablilizim Asociimit.

Menjëherë pas marrjes së lajmit për vendimin e Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stablilizim Asociimit, institucionet e Republikës së Kosovës kanë mbajtur takime për të definuar planin e veprimit rreth përgatitjes së negociatave.

Po e përsëris, pjesë përbërëse dhe e  rëndësishme e kësaj marrëveshjeje janë edhe çështjet ekonomike, pra ato rreth zhvillimit ekonomik dhe tregtisë.

Prandaj, implementimi me sukses i këtyre negociatave do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së mjedisit afarist për të gjithë investitorët dhe me këtë në fuqizimin e sektorit privat.

Progres tjetër me rëndësi që Qeveria e Republikës së Kosovës ka realizuar në punën e saj drejt fuqizimit të sektorit privat dhe përmirësimit të kornizës ligjore për tërheqjen e investimeve të huaja është edhe amandamentimi dhe miratimi i Ligjit për Investimet e Huaja.

Me këtë ligj përforcohet përkushtimi i institucioneve të vendit për inkurajimin, ndihmën dhe mbrojtjen e investimeve të huaja.

Në këtë pikë, më duhet të theksoj se gjatë këtij tremujori, Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë shënuar rritje rreth tri herë më të lartë sesa gjatë tremujorit të njëjtë të vitit të kaluar.

Të nderuar të pranishëm,

Ne kemi vazhduar me projekte kapitale për të kompletuar infrastrukturën rrugore. Punët rreth projektit të ndërtimit të Rrugës së 6-të që lidhë Republikën e Kosovës me Maqedoninë janë duke u realizuar me sukses. Njëkohësisht, kemi vazhduar punimet në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Pejë, ndërsa autostrada do të përmbyllet me lehtësi, për të vazhduar më tutje në këtë pjesë që është duke u punuar dhe do të përmbyllet brenda dy muajsh.

Puna me intensitet në rritje në sektorin e energjisë gjithashtu po vazhdon. Qëllimi kryesor në këtë sektor është sigurimi i furnizimit të rregullt me energji, shfrytëzimi më efikas i energjisë, si dhe modernizimi dhe zgjerimi i sistemit të ngrohjes.

Qeveria e Republikës së Kosovës me ndihmën e donatorëve ka filluar implementimin e projektit për lidhjen e sistemit të ngrohjes qendrore me termocentralin Kosova B dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë.  

Të gjithë e dimë që energjia është parakusht për zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Prandaj, përmirësimet në këtë sektor do të kenë ndikim pozitiv të drejtpërdrejt në zhvillimin e biznesit por edhe në ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve.  

Vazhdimisht do të analizojmë mundësitë për lehtësime shtesë të procedurave që ndërlidhen me të bërit biznes, fushë kjo ku kemi shënuar progres të vazhdueshëm.

Suksesi në implementimin e këtyre projekteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të ndikojnë në krijimin e kushteve për rritjen dhe zhvillimin ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, dhe për ngritjen e mirëqenies materiale dhe shoqërore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.   

Edhe sot, si çdo herë tjetër, po e përmbyll duke ju falënderuar për bashkëpunimin intensiv të deritashëm dhe ju inkurajoj për bashkëpunim edhe më të ngushtë publiko-privat në rrugën drejt fuqizimit të sektorit privat, i cili është motor i zhvillimit dhe rritjes ekonomike e me këtë edhe i ngritjes së mirëqenies materiale dhe shoqërore të të gjithë qytetarëve.

Faleminderit zëvendëskryeministre për punën, angazhimin dhe përkushtimin.

Faleminderit të gjithëve.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors