Fjala e Kryeministrit në detyrë Kurti në vënien e gurthemelit të zgjerimit dhe renovimit të stadiumit “Ferki Aliu” në Vushtrri

Vushtrri, 26 maj 2026

Të dashur lojtarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar punëtorë,
Dashamirë të sportit,

Sot kam kënaqësinë që, fillimisht, t’i uroj “FC Vushtrrisë” rikthimin në Superligën e Kosovës. Ky është një sukses i merituar për klubin, për tifozët besnikë dhe për gjithë Vushtrrinë, që gjithmonë ka qenë e lidhur ngushtë me sportin dhe me talentin.

Krahas këtij suksesi sportiv, me ju dua të ndaj edhe një lajm shumë të rëndësishëm e të gëzueshëm për infrastrukturën sportive në vendin tonë. Po vazhdojmë me investim për zgjerimin dhe renovimin e stadiumit në Vushtrri, një projekt me vlerë 4 milionë e 693 mijë e 987 euro.

Ky stadium do të ndërtohet sipas standardeve të kategorisë II të UEFA-s, me kapacitet prej mbi 4 mijë ulëse për shikues dhe me tribuna të mbuluara nga të katër anët, përmes konstruksionit modern metalik. Afati për realizimin e punimeve është 550 ditë kalendarike.

Si Qeveri, i kemi filluar e realizuar ndërtimet e rindërtimet e ndërhyrjet në stadiume anekënd Kosovës. Edhe mandatin e ardhshëm nuk do t’i ndalim investimet në infrastrukturë sportive. Do të jetë mandati i përfundimit të atyre të cilët ende po ndërtohet, që të jemi gati për të pritur më së miri Lojërat Mesdhetare 2030.

Këto nuk janë veç investime në stadiume, por gjithashtu edhe investime në rininë tonë, në zhvillimin e sportit, dhe në krijimin e kushteve më të mira për klubet, sportistët dhe tifozët tanë. Ne besojmë se sporti është një nga mënyrat më të fuqishme për t’i bashkuar qytetarët, për ta bërë aktive rininë, për shëndetin fizik e mendor të popullsisë dhe për të promovuar talentin dhe për ta përfaqësuar denjësisht Kosovën.

Urime edhe njëherë “FC Vushtrrisë” për suksesin në fushë, dhe uroj që shumë shpejt ky qytet ta ketë një stadium modern, ashtu siç e meriton. Pra më së largu 550 ditë. Bën edhe ma shpejtë, ma shumë nuk bën.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors