Livadicë, Podujevë, 17 gusht 2026
I nderuari z. Shpejtim Bulliqi, Kryetar i Komunës së Podujevës,
E nderuara Ministre Kusari-Lila, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,
Të dashur qytetarë të Podujevës,
Kam kënaqësinë që të jem sot me ju këtu në Podujevë për të shënuar fillimin e punimeve në Parkun Industrial të Livadicës.
Synimi ynë si Qeveri është ta transformojmë ekonominë e Kosovës, ta forcojmë prodhimin vendor dhe të krijojmë sa më shumë produkte në lloje dhe në numër “Made in Kosova”, ashtu që jo vetëm t’i zëvendësojmë importet, por edhe të rrisim eksportet në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare.
Parqet industriale janë të menduara për bizneset vendore të cilat duan të zgjerohen dhe të rrisin kapacitetet e tyre, për qytetarët tanë nga diaspora që duan të sjellin kapitalin dhe përvojën e tyre në vendlindje, si dhe për investitorët e huaj që shohin mundësi për të zhvendosur një pjesë të prodhimit të tyre në Republikën e Kosovës.
Kosova ofron një sërë përparësish për investitorët, duke filluar nga fuqia punëtore e re, e kualifikuar dhe konkurruese, afërsia me tregun e Bashkimit Evropian, kostot konkurruese të operimit, si dhe një politikë fiskale e favorshme.
Prandaj, nisja e këtij investimi në Podujevë është një hap konkret drejt këtij vizioni, duke krijuar një bazë të re për investime, prodhim dhe zhvillim ekonomik në këtë pjesë të Kosovës.
Dua të falënderoj Kryetarin e Komunës për bashkëpunimin dhe punën e mirë që është bërë së bashku me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Projekte si ky kërkojnë koordinim të mirë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, dhe projekti që po nisim sot dëshmon se ky bashkëpunim mund të sjellë rezultate konkrete.
Si Qeveri, do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin e sektorit privat dhe krijimin e kushteve më të mira për investime dhe prodhim. Sepse kjo nënkupton më shumë vende pune, më shumë të ardhura për familjet dhe gjithsesi më shumë mundësi për të rinjtë tanë.
Sot po fillojmë me punimet, ndërsa së shpejti pres që ky park të bëhet shtëpi e madhe e re për bizneset.