Fjala e Kryeministrit në detyrë Kurti, në organizimin ku ia dha flamurin ekipit që do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026

Prishtinë, 16 gusht 2026

I nderuar Ministër i Sportit dhe Rinisë, z. Blerim Gashani,
I nderuari President i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi,
Të nderuar përfaqësues të federatave sportive,
Të nderuar punëtorë sportiv dhe ju trajnerë,
Shumë të dashur sportiste e sportistë,
Të nderuara medaliste olimpike Majlinda, Distria dhe Laura,
I nderuari mjeshtri kampion,Driton Kuka,
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sonte jemi mbledhur për një moment fort të veçantë, për të prezantuar ekipin, i cili do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Lojërat Mesdhetare në Taranto të Italisë 2026.

Por, mbi të gjitha, jemi këtu për t’u thënë sportistëve tanë një gjë të thjeshtë dhe të rëndësishme: Kosova është me ju.

Pas secilës medaljeje, cilësdo fitoreje dhe çdo flamuri të Kosovës që është ngritur në arenat ndërkombëtare, qëndrojnë vite pune, sakrifice, disipline dhe besimi. Këto janë vlera që sporti i kultivon më së miri dhe të cilat i duhen shoqërisë sonë.

Sportistët tanë kanë dëshmuar se, pavarësisht madhësisë së vendit, mund të kemi rezultate të mëdha. Në garat më të rëndësishme ndërkombëtare, ata kanë bërë që emri i Kosovës të dëgjohet, flamuri shtetëror të valëvitet dhe himni të intonohet me krenari.

Sot, një brez i ri sportistësh po përgatitet të shkruajë kapitullin e radhës, një mundësi tjetër që Kosova të paraqitet e të përfaqësohet përmes talentit, angazhimit dhe suksesit të rinisë së saj.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë ta shohë sportin si një investim në njerëz, në shëndetin e shoqërisë, në zhvillimin e të rinjve si dhe në imazhin ndërkombëtar të Republikës sonë.

Dua t’u shpreh mirënjohjen e veçantë trajnerëve, federatave, Komitetit Olimpik të Kosovës, familjeve dhe të gjithë atyre të cilët qëndrojnë pas sportistëve tanë. Shpeshherë, sukseset që i shohim në podium janë rezultat i shumë sakrificave të cilat publiku nuk i sheh.

E sonte, para nisjes suaj për Taranto, dua t’ju them: Shkoni me besim. Shkoni me përkushtim. Shkoni për të dhënë më të mirën tuaj. Fitorja është e rëndësishme, por mënyra se si luftojmë për të është ajo e cila na përcakton.

Kur të hyni në arenat e Tarantos, do të jeni aty si sportistë të Kosovës, por edhe si ambasadorë të vendit tuaj. Ballafaqohuni për Republikën e Kosovës me dinjitetin që e meriton.

Ne do t’ju ndjekim, do t’ju mbështesim dhe do të gëzohemi me çdo sukses tuajin.

Dhe kur flamuri i Kosovës të ngrihet lartë atje, le ta kujtojmë se pas tij qëndron një vend i fortë, një popull i tërë dhe një brez i ri i cili beson në mundësitë e veta.

Ju uroj shumë suksese në Taranto, kthehuni me krenari, me përvoja të reja dhe, pse jo, me sa më shumë medalje.

Suksese sportistëve tanë! Vazhdoni na bëni Krenarë! Ju faleminderit shumë për vëmendjen!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors