Prishtinë, 20 maj 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, mbajtën konferencë për media, në të cilën shpalosën paketën e emergjencës në fushën e mbeturinave: Aksioni Kundër Mbeturinave.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Sektori i mbeturinave mbase mund të konsiderohet pika më neuralgjike e tërë sistemit institucional në Republikën tonë. Askund si në këtë sektor nuk ka ndërthurje të të gjitha niveleve të pushtetit, të sektorëve publik e privat, të akterëve shoqëror e të secilës familje dhe individ.
Prandaj si sektor, mbledhja e trajtimi i mbeturinave kërkon një harmoni dhe ekuilibër shoqëror e institucional, gjë e cila nuk është lehtë e arritshme.
Në bazën e sistemit të saj, ky sektor ka komunën, e cila pastaj lidhet me komunat tjera nëpërmjet kompanive rajonale të mbeturinave. Megjithëse ka pasur goxha përparime, jo rrallë është parë se ka munguar ekuilibri mes të gjithë akterëve në sektorin e mbeturinave.
Prandaj, sot kemi një situatë me mangësi serioze në menaxhimin e mbeturinave. Kësisoj, ne mendojmë se ky sektor duhet të jetë prioritet i Qeverisë. Me gjithë rolin e kufizuar, i cili pak a shumë është i tkurrur në krijimin e politikave, ne kemi bërë e po bëjmë përpjekje që ta kalojmë këtë ngërç.
Kemi bërë gati projektligjin e ri për mbeturinat dhe shumë pjesë të legjislacionit sekondar që parashohin krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave, i cili synon të arrijë një moment të reduktimit, ripërdorimit dhe riciklimit të mbetjeve, moment, i cili kthen mbetjet nga një problem, madje në një mundësi ekonomike.
Një sistem i tillë do të kërkojë edhe ca kohë. Ligjin e kemi gati, por Kuvendin akoma jo! Ndërkohë që ne përgatitemi që të krijojmë bazën për këtë sistem, situata me mbeturina është bërë serioze. Dhe kjo sidomos në hapësirat që nuk mbulohen nga askush, pra hapësirat jashtë kufijve të vendbanimeve.
Lirisht mund të themi se kemi një emergjencë në sektorin e mbetjeve. Dhe për ta adresuar atë, kërkohen masa emergjente. Sot jemi këtu, se bashku me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacolli Dalipi, për ta shpallur një paketë të emergjencës në fushën e mbeturinave, Aksionin Kundër Mbeturinave.
Ky Aksion ka për qëllim të arrijë dy efekte të njëkohshme. E para të intervenojë në vendet ku hedhja ilegale e mbeturinave rrezikon ambientin dhe shëndetin, por po ashtu kërkon të shtrojë një rrugë të re, ku Qeveria nuk rri më duarkryq, por është prijëse e organizimit dhe nxitjes së akterëve, që kanë përgjegjësi në fushën e mbeturinave.
Kështu, ky program përveçse do të mënjanojë një pjesë të mbeturinave që gjenden në hapësirat e pambuluara nga komunat, mëton të vë në ndërveprim kompanitë publike, siç janë ato rajonale të mbeturinave, Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, Korporatën Energjetike të Kosovës, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe komunat, veçanërisht komunat, në tërë territorin e Republikës.
Që Aksioni të rezultojë i suksesshëm, janë paraparë gjithsej pesë marrëveshje me kompanitë regjionale të mbeturinave dhe kompani të tjera publike, disa prej të cilave veçse janë nënshkruar si parapërgatitje.
Buxheti i paraparë nga Qeveria e Republikës është 1 milion euro.
Ndërkaq, në njërën anë parashihet largimi i 500 deponive ilegale të mbeturinave, në anën tjetër rritja e numrit të të punësuarve dhe ngritja e kapaciteteve, me theks te pajisjet, nëpër kompanitë publike që merren me menaxhimin e mbeturinave, por edhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra publike, duhen theksuar.
Përveç pastrimit, paketa Aksioni Kundër Mbeturinave ka për qëllim edhe vendosjen e përgjegjësisë për ndotjen. Kështu, me këtë paketë ne do të krijojmë një praktikë tërësisht të re të inspektimit në fushën e mbeturinave, e cila do të mobilizojë Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të gjitha departamentet e kësaj ministrie në një aksion të përbashkët për vendosjen e rendit dhe sundimit të ligjit në fushën e mbeturinave.
Ne presim që përgjatë kohës sa zhvillohet aksioni, të kemi dhjetëra inspektorë e zyrtarë të angazhuar ekskluzivisht në inspektim të mbeturinave, ashtu që në njërën anë të krijojnë një sensibilizim në këtë fushë, por në anën tjetër të vë në zbatim ligjin aktual për mbeturinat, nëpërmjet parimit “ndotësi paguan”, pra nëpërmjet parimit, “ndotësi paguan”.
Për më shumë rreth paketës Aksioni Kundër Mbeturinave, e ftoj ministren e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi që ta marrë fjalën.




