I nderuar ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, z. Lulëzon Jagxhiu,
I nderuar shef i Bashkëpunimit nga Zyra e Bashkimit Evropian, z. Hubert Perr,
E nderuara Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla,
I nderuari ministër i Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri,
Të nderuar zëvendësministra e kryetarë të komunave,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës,
Të nderuara nëpunëse dhe nëpunës,
Të nderuar partnerë vendorë e ndërkombëtarë,
Zonja dhe zotërinj,
Sot jemi mbledhur për të shënuar Ditën e Shërbimit Publik. Por, mbi të gjitha, jemi mbledhur për të shprehur mirënjohjen për njerëzit që çdo ditë e mbajnë shtetin tonë në funksion.
Shpesh, kur flasim për shtetin, mendojmë për ligje dhe politikanë, për ndërtesa qendrore, për vendime e procedura, për buxhete dhe strategji. Por, qytetari nuk e takon shtetin si një nocion abstrakt. Qytetari e takon shtetin përmes njeriut që i shërben: pra nëpërmjet zyrtarit që e dëgjon, mësuesit që edukon, mjekut dhe infermieres që kujdesen, policit i cili e ruan rendin, inspektorit që mbron sigurinë dhe cilësinë, si dhe nëpunësit që i jep një përgjigje të drejtë, të qartë e me kohë.
Në atë moment, shteti nuk është teori. Shteti është shërbim. Prandaj, administrata është fytyra e Republikës karshi qytetarit dhe përjetimi i qytetarit për shtetin. Nga mënyra si e dëgjojmë qytetarin, si i përgjigjemi dhe si e trajtojmë hallin e tij, ndërtohet besimi në institucionet tona.
Qeverisja e mirë, transparente dhe në përkushtim të qytetarëve nuk është një parullë politike. Është parimi ynë udhëheqës. Në një Republikë demokratike, pushteti nuk është privilegj, por përgjegjësi e lartë. Udhëheqja që shërben nuk pyet “sa pushtet kam?”, por “çfarë përgjegjësie kam?”. Nuk pyet “sa kontrolloj?”, por “sa lehtësoj?”. Ky është kuptimi i vërtetë i shërbimit publik.
Reforma e administratës publike është thellësi demokratike. Ajo jeton çdo ditë në sportel, në zyrë, në shkollë, në komunë, në qendër shëndetësore dhe në platformë digjitale. Orientimi ynë është i qartë: administrata publike nuk duhet të jetë pengesë për qytetarin, por ura e cila e lidh atë me të drejtat dhe mundësitë që i takojnë. Për vite me radhë është folur për reforma, por ne tanimë kemi kaluar nga vizioni i përgjithshëm në veprime konkrete, të cilat po e transformojnë rrënjësisht këtë sistem.
Gjatë vitit 2025 kemi shënuar avancim në zbatimin e reformës së administratë publike. 65% e aktiviteteve të planifikuara kanë shënuar progres të plotë ose të pjesshëm, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar dhe publikuar 74 shërbime të reja elektronike në eKosova, duke e çuar në 320 numrin total të shërbimeve digjitale për qytetarët dhe bizneset.
Po ashtu, kemi bërë avancime të rëndësishme në rekrutim, ku teknologjia i shërben një procesi më transparent dhe meritokratik. Meritokracia nuk është më vetëm një synim i cili ngelet në letër, por një mekanizëm objektiv që garanton drejtësi dhe barazi në proceset e rekrutimit. Nëpunësi profesional dhe i ndershëm tashmë ka hapësirën dhe mbështetjen e plotë për t’u zhvilluar dhe për t’u vlerësuar mbi bazën e punës dhe përgjegjësisë.
Së dyti, një shtet i fortë dhe efikas nuk ndërtohet me agjenci të tepërta e pa vija të sakta të llogaridhënies. Andaj, ne po bëjmë reforma strukturore për të racionalizuar institucionet qeveritare që ato ta kryejnë më me sukses misionin e vet ndaj qytetarëve dhe shtetit. Shembull i mirë është racionalizimi i miratuar rishtas në qeveri i institucioneve të trashëgimisë kulturore, përmes të cilit 10 institucione shkrihen në një të vetëm, për të vendosur vija më të qarta të llogaridhënies dhe efikasitet të shtuar institucional.
Transformimi i shtetit nuk matet vetëm me ligje e reforma, por edhe me përvojën që qytetari e ka kur kërkon një shërbim. Për këtë arsye kemi avancuar platformën eKosova, kemi zgjeruar ndjeshëm shërbimet elektronike, kemi lansuar modelin e shërbimeve të integruara sipas ngjarjeve jetësore, kemi thjeshtuar shumë shërbime e procedura dhe jemi duke jetësuar konceptin e qendrave të integruara të shërbimeve. Këta janë hapa konkretë drejt një administrate e cila kursen kohën e qytetarit, ul barrën burokratike dhe e bën shtetin më të afërt me njerëzit.
Sot dua të falënderoj në veçanti ata nëpunës publikë puna e të cilëve nuk shihet gjithmonë në plan të parë. Ata që punojnë pas dokumenteve, pas sistemeve, pas raporteve dhe pas vendimeve të mëdha. Ata që nuk dalin në fotografi, por pa të cilët nuk do të funksiononte asnjë proces i këtij shteti. Puna juaj ka vlerë të jashtëzakonshme. Përkushtimi juaj ka rëndësi të madhe. Republika ju njeh dhe ju falënderon.
Të dashur nëpunës publikë,
Ju jeni ata që e bëni shtetin të prekshëm për qytetarin. Ju jeni ata që e shndërroni ligjin në shërbim, strategjinë në zbatim dhe politikën publike në rezultat praktik.
Le ta vazhdojmë ndërtimin, së bashku, të një administrate që nuk i frikësohet ndryshimit, por e udhëheq atë. Një administratë që nuk e sheh qytetarin si palë, por si vetë arsyen e ekzistencës së saj. Sepse shteti i mirë nuk është ai i cili ka më shumë procedura, por ai që ka më shumë drejtësi, më shumë shërbim dhe më shumë besim.
Urime Dita e Shërbimit Publik!
Ju faleminderit për ftesën dhe vëmendjen!