Fjala e Kryeministrit Kurti pas homazheve që bëri te varrezat e vëllezërve Bytyqi në New York

New York, 20 shtator 2026

I dashuri Ilir, Sumeja dhe të gjithë familja Bytyqi,
Të nderuar ministra, kolegë nga Qeveria që keni ardhur nga Prishtina, Hekuran Murati i Financave, Lulëzon Jagxhiu i Digjitalizimit dhe Administratës Publike,
E nderuara kryetare Komunës së Preshevës, Ardita Sinani,
Deputet nga Bujanovci, Shaip Kamberi,
Ambasadorë të nderuar, Ilir Dugolli dhe Blerim Reka,
E nderuara kryebashkiake,
Të nderuar të pranishëm,
Vëllezër dhe motra,

Për neve është edhe nder që jemi bashkë me juve, por edhe pikëllim, për shkak se tre vëllezërit Bytyqi, Ylli, Agroni dhe Mehmeti, të cilët sot do të ishin rreth 50 vjeç, e në përfundim të luftës nuk ishin as 25 vjeç, ende kërkojmë drejtësi, ndërkohë që të vërtetën e dimë.

Varret e tyre janë varre, të cilat neve na mbushin me përgjegjësi, që bashkë me shtetin amerikan, si Republikë e Kosovës, të mos ndalemi, derisa ata që e urdhëruan vrasjen e tyre dhe ata, të cilët e ekzekutuan atë, të ndodhen prapa grilave dhe të gjykohen për krimin mizor.

Ylli, Agroni dhe Mehmeti janë tre dëshmorë të kombit, janë tre shqiptarë, janë tre amerikanë, janë tre luftëtarë të lirisë, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që ne e gëzojmë dhe për shtetin që ne e kemi.

Secili brez ka për detyrë të bëjë krejt çfarë mundet edhe dinë, që botën qe e ka gjetur, që Kosovën që e ka gjetur, që shqiptarinë që e ka gjetur, ta shpijë më tutje, në mënyrë që gjeneratat që vijnë ta kenë edhe gjendjen më të mirë, por edhe mundësitë më të mëdha për përparim të mëtutjeshëm.

Pak çka fillon me neve dhe nëse diçka përfundon me neve, i takon brezave të tjerë të tregojnë. Ajo çfarë pritet prej nesh, është të jemi një hallkë sa më e fuqishme në zingjirin historik të kombit shqiptar.

Ne i kemi shembujt e flijimit. Tash, gjithnjë e më shumë i kemi institucionet shtetërore që t’i realizojmë qëllimet e përbashkëta, zhvillimin e rritjen ekonomike, progresin shoqëror e kulturor dhe mbrojtjen e sigurinë, e cila do të na ruajë territorin, sovranitetin, por gjithashtu edhe popullsinë e të drejtat e qytetarëve.

Lavdi Yllit, Agronit, Mehmetit dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors