Fjala e Kryeministrit Kurti në shkollën P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx në të cilën aplikohet programi akademik dygjuhësh anglisht-shqip

New York, 20 shtator 2026

Të dashur bashkatdhetarë,
Mirëdita të gjithëve e mirë se ju gjejë këtu në Bronx të New York-ut,
I dashuri Mark,
E dashur Drita,
I nderuari Ambasador i Republikës së Kosovës në Washington, D.C. këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli,
I nderuari Ambasador Blerim Reka, pranë misionit të Kombeve të Bashkuara këtu në New York,

Unë jam këtu bashkë me ministrin e Financave të Republikës së Kosovës, Hekuran Muratin, me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmetin dhe me tre miq të mi të dashur, të veçantë, kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinanin, deputetin Shaip Kamberin dhe këshilltarin tim për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ragmi Mustafin.

To the American officials with us today, I am very pleased to have joined you here and to have you in the audience. I apologise in advance for speaking Albanian, but in the spirit of bilingualism and of this school I will deliver half of my remarks in Albanian and half in English.

And as a gesture of good will I will be very happy to welcome you to Kosova, and I promise I will be a much better host than guest. Thought I should warn you: I don’t know anyone who came to Kosova and did not soon after return.

Është një kënaqësi e veçantë që jemi sot në vendin e parë jashtë trojeve shqiptare ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe në atë angleze. Ruajtja e gjuhës sonë ka qenë një nga arritjet tona më të mëdha dhe një nga mjetet tona më të fuqishme.

Në historinë tonë, ashtu edhe si në historinë e shumë popujve të tjerë të cilët janë përballur me pushtime e sundime të huaja, një nga instrumentet për t’i nënshtruar njerëzit ka qenë pikërisht ndalimi i gjuhës së tyre, përkatësish i shkollimit në gjuhën e tyre. Sepse gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi. Është edhe themel identiteti.
Gjuha e bart kujtesën kolektive të një populli. Ajo e shprehë mënyrën se si, brez pas brezi, një popull ka mësuar t’i japë formë përvojës së vet, shtegun se si e ka kuptuar veten dhe botën përreth. Ajo është latuar ndër shekuj nga përvoja e brezave, nga përpjekja për ta kuptuar realitetin tonë dhe gjithashtu nga përballja me atë që të tjerët janë munduar të na e imponojnë.

Gjuha që është e jashtëzakonshme është gjithashtu edhe fisnike. E ajo që është e posaçme te gjuha shqipe është pikërisht vazhdimësia e saj. Është kjo veçanti e saj, kjo fisnikëri e saj, e cila është bartur nga gjenerata në gjeneratë. Dhe kësisoj shqipja mbijetoi. Mbijetoi jo vetëm falë maleve të larta, që shpesh i mbrojtën shqiptarët nga pushtuesit dhe nga trysnitë e jashtme, por mbi të gjitha edhe falë dashurisë së njerëzve për gjuhën dhe vendosmërisë për t’ua përcjellë atë brezave që vijnë më pas.

Gjuha mbijetoi pikërisht duke ndryshuar pa i humbur rrënjët. Shqipja përthithi ndikime nga pothuajse çdo qytetërim i madh që sundoi në Ballkan, por ruajti mjaftueshëm nga gramatika me sintaksë të fortë dhe fjalori i trashëguar për të mbetur një gjuhë e veçantë e me fjalorë të pasur. Sot ajo është një nga vetëm katër gjuhët e tilla që përbëjnë, secila më vete, një degë të pavarur të familjes indo-evropiane. E keni parasysh te trungujt e familjeve indo-evropiane, i keni degët e shumta të gjuhëve gjermanike, latine dhe sllave. Por, janë katër të tilla që qëndrojnë si degë të pavarura, ndonëse më të vogla, shqipja, greqishtja, armenishtja dhe gjuha baske. Pra janë këto tri familje të mëdha gjermanike, sllave dhe latine, edhe katër degë nga të cilat njëra e veçantë indo-evropiane është pikërisht gjuha jonë e bukur shqipe. Kjo gjuhë sigurisht se është ndikuar nga jashtë, por asnjëherë nuk ka qenë e zëvendësuar.

Shqipja ka mbetur edhe larg atdheut gjallë. Arbëreshët e Italisë e kanë ruajtur gjuhën e tyre për më shumë se pesë shekuj. Dhe vetë gjuha e tyre na e tregon historinë e tyre: është një shqipe e cila e bart udhëtimin, largësinë nga atdheu dhe, njëkohësisht, rrënjosjen e thellë në identitetin shqiptar.

Por rilindësve tanë nuk u mjaftonte që shqipja vetëm të mbijetonte. Ata donin që ajo të ishte gjuhë e dijes, e kulturës së lartë, e shkencës së thellë dhe e mendimit po ashtu. Në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit, shqiptarët u bashkuan rreth një alfabeti të përbashkët. Po atë vit, këtu në Shtetet e Bashkuara, në Boston, Fan Noli mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe. Noli dhe rilindësit tanë në mërgim kuptuan se pa e ruajtur gjuhën, diturinë dhe kulturën, nuk mund të ruhet as kombi. Ata na treguan se diaspora, mërgata jonë pra, nuk është thjesht një strehë larg atdheut, por një motor i mendimit, i emancipimit dhe i shtetformimit tonë.

Sot shqipja është gjuhë zyrtare e dy shteteve, e Kosovës dhe e Shqipërisë. Dhe kjo shkollë e vazhdon këtu misionin e rilindësve pikërisht në Amerikë, ku Noli e nisi atë në mërgim, më shumë se një shekull më parë.

Kjo shkollë është një nismë e jashtëzakonshme për arsimin dygjuhësh në shqip dhe në anglisht. Për këtë, dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për Mark Gjonajn dhe Drita Gjongecajn, si dhe për të gjithë ata të cilët kanë punuar gjatë tetë viteve të fundit që kjo nismë e mrekullueshme të bëhet realitet. Qeveria e Republikës së Kosovës u është thellësisht falënderuese dhe do ta mbështesë këtë shkollë edhe në të ardhmen.

Mesazhi im për ju, të dashura nxënëse e nxënës, është ky: gjuha nuk është thjesht një mënyrë tjetër komunikimi, sikur mendimi të mbetej krejtësisht i njëjtë pavarësisht gjuhës në të cilën shprehet. Kur flisni në gjuhën amtare, ju nuk përcillni vetëm mendimin tuaj. Mendimi juaj takohet me trashëgiminë e brezave para jush, me kujtesën e popullit dhe me dinjitetin tonë kolektiv. Dhe duke folur, shkruar e menduar në këtë gjuhë, ju merrni pjesë edhe në krijimin e kulturës së saj. Kështu jeni më të lidhur me të kaluarën tuaj, më pranë vetvetes dhe keni fuqinë për ta krijuar të ardhmen.

Dhe për mua ishte kënaqësi e veçantë që Fletore pune, Libër leximi dhe Abetare, të mund t’ua jepja fëmijëve, nxënës këtu, sot. Sepse edhe udhëheqësja znj. Mustafa edhe mësuesja Gjongecaj e dinë më mirë se gjithë ne, që fëmijët rriten midis nënës dhe mësueses, jo vetëm nga nëna, jo vetëm nga mësuesja, por nga të dyja. Në njëfarë mënyre nëna është mësuesja e parë, e mësuesja është nëna e dytë. Fëmija rritet midis kujdesit si dashuri dhe mësimit si dije. Midis nënës dhe mësueses. Prandaj është gëzim i madh për çfarë keni bërë në këto vite dhe është shpresë e madhe për sukseset e reja që do t’i keni.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors