Fjala e Kryeministrit Kurti në shënimin e Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit

Prishtinë, 21 prill 2026

E nderuara znj. Mimoza Kusari – Lila, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,
E nderuara znj. Saranda Bogujevci, ministre e Kulturës dhe Turizmit,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë, dhe përfaqësues të shteteve mike në Republikën e Kosovës,
Të nderuar zëvendësministra Fatban Bunjaku dhe Jeton Mehmeti, te MINTI,
Të nderuar ministra kolegë nga Qeveria e Republikës dhe nga Kuvendi i Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit, ju që bartni barrën më të madhe të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit në vend,
Të nderuar profesorë, studiues dhe studentë,
Të nderuar sipërmarrës, inovatorë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Aftësia për të prodhuar dije, për ta shndërruar atë në vlerë ekonomike dhe për ta orientuar drejt mirëqenies shoqërore, është në themel të zhvillimit të një vendi – dhe, pikërisht për këtë do të reflektojmë sot, në Ditën Botërore të Inovacionit dhe të Kreativitetit.

Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është rezultat i rastësisë dhe as i resurseve natyrore në vetvete. Ai është rezultat i institucioneve publike funksionale, i politikave publike adekuate dhe i një sektori privat dinamik ku vlerësohen inovacioni dhe kreativiteti.

Çdo vit, universitetet tona nxjerrin mijëra të diplomuar në fusha si inxhinieria, shkencat kompjuterike, ekonomia, dizajni dhe disiplina të tjera. Në të njëjtën kohë, mërgata jonë përfaqësojnë një burim të rëndësishëm të kapitalit, jo vetëm financiar, por edhe profesional dhe rrjetëzues.

Pra, ne nuk kemi mungesë mundësish apo idesh dhe ajo në të cilën po punojmë është se si të ndërtojmë një sistem që sjellë transformimin e mundësive dhe ideve në nisma konkrete të cilat kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë.

Në një botë e cila po ndryshon me shpejtësi marramendëse, nga transformimi digjital, inteligjenca artificiale, te ekonomia e gjelbër dhe ri-konfigurimi i tregjeve globale, vendet që ecin përpara janë pikërisht ato të cilat investojnë në dije, në teknologji dhe në kreativitet.

Kosova ka një ndër popullsitë më të reja në Evropë, ku më shumë se gjysma janë nën 35 vjeç dhe kjo është një nga asetet tona më të mëdha. Kemi një komunitet në rritje të ndërmarrësve dhe profesionistëve të teknologjisë, të cilët tashmë po eksportojnë shërbime dhe po konkurrojnë në tregje ndërkombëtare. Ky është potencial i gjeneratës së re dhe paraqet dëshmi të qartë të frymës inovative që e formëson të ardhmen e vendit tonë.
Dhe, këta të rinj nuk dallohen vetëm për idetë e tyre, por edhe për aftësitë e tyre, përfshirë zotërimin e gjuhëve të huaja kryesore në botën e biznesit dhe të komunikimit ndërkombëtar. E në ekonominë globale të inovacionit, aftësia për të lëvizur me lehtësi ndërmjet gjuhëve dhe kulturave është një avantazh i madh konkurrues.

Këtij potenciali të madh i kemi dhënë mbështetje institucionale dhe vitet në vijim do ta rrisim atë edhe më shumë. Po hartojmë politika të qarta publike, po bëjmë investime të qëndrueshme për një ekosistem i cili mundëson zhvillimin e iniciativave.

Mbetemi të përkushtuar për ndërtimin e ekosistemit më të plotë dhe funksional i cili mbështet inovacionin dhe ndërmarrësinë. Në këtë drejtim kemi bërë progres në zhvillimin e strategjive nacionale përkatëse, plotësimin e kornizës ligjore dhe krijimin e instrumenteve financiare për përkrahjen e bizneseve. Dje, në mbledhjen e Qeverisë së Republikës, miratuam Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili është një tregues i qartë i angazhimit dhe i përkushtimit tonë.

Me këtë Ligj parashihet edhe Fondi për Inovacion dhe Ndërmarrësi, në kuadër të Agjencisë përkatëse në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e gjithashtu edhe ngritja e shërbimeve dhe start up-eve, me theks te kujdesi i veçantë të bizneseve të grave.

Si Qeveri po investojmë edhe në infrastrukturën e inovacionit.

Kemi dhënë mbështetje financiare në vlerë prej 8 milionë euro për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, pastaj me rreth 40 hektarë hapësira të gjelbra dhe 50 ndërtesa, aty janë kushtet ideale për zhvillim të inovacionit, i cili tashmë ka ekosistemin e vet.

Mandej kemi funksionalizuar Qendrën e Inovacionit, Ndërmarrësisë me hapësirë prej 1000m² në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, një investim prej 1 milion euro.

Pastaj kemi ndërtuar Inkubatorin e Biznesit në Malishevë dhe e kemi rinovuar Parkun Teknologjik në Shtime, me investime kapitale në vlerë prej 440,000 euro.

Për më shumë hapësirë për kreativitet dhe inovacion për të rinjtë dhe kompanitë e reja kemi dhënë në shfrytëzim për 5 vjet Inkubatorin e Biznesit “Tech Park” në Bërnicë të Prishtinës, me sipërfaqe prej afër 4000 m².

Pastaj janë bërë investime edhe tek maturantët e profilit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, duke ndarë 574 mijë euro përmes kuponëve për trajnime.

U anëtarësua Kosova në “Horizon Europe”, programin më të madh të Bashkimit Evropian për kërkim dhe inovacion. E në periudhën 2021-2024 janë financuar 15 projekte në vlerë të gjithmbarshme prej 1.5 milionë euro.

Po punojmë edhe në forcimin e qendrave të inovacionit, inkubatorëve dhe akseleratorëve në universitete, të cilat shërbejnë si hapësira ku idetë zhvillohen dhe shndërrohen në produkte konkrete.

Këtë mandat të ri, vëmendje të veçantë do t’i kushtohet orientimit të investimeve të diasporës tonë. Ne dëshirojmë që kapitali i bashkatdhetarëve tanë të mos kufizohet vetëm në sektorët tradicionalë, por të kanalizohet gjithnjë e më shumë drejt inovacionit, teknologjisë dhe industrive kreative.

Por, puna jonë e përbashkët nuk përfundon këtu.

Ne e dimë se bizneset tona përballen me sfida reale që nuk zgjidhen brenda ditës, por kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të fortë të gjithë akterëve të ekosistemit të inovacionit.
Ajo që është e rëndësishme është se drejtimi është i qartë dhe vullneti është i plotë. Sa më shumë që rritemi, rriten edhe mundësitë për t’u rritur dhe sa më shumë që përparojmë shfaqen probleme të reja. Pra, problemet e reja janë dëshmi e progresit, sepse kur ngelesh prapa disa probleme as nuk i sheh, sepse je shumë prapa. Por, pikërisht duke ecur përpara ne po përballemi me probleme të reja të cilat jam i bindur që bashkë ia dalim që t’i tejkalojmë.

E sot, para kësaj salle, ku jemi të gjithë këtu bashkë, është organizuar edhe kjo ekspozitë e produkteve dhe shërbimeve inovative nga ndërmarrjet tona, nga start-up-et deri te ndërmarrjet e vogla e të mesme të konsoliduara. Kjo ekspozitë është edhe një dëshmi jo vetëm e potencialit, por edhe e aktualitetit. Aty shohim ide të cilat tashmë janë kthyer në produkte, shërbime që depërtojnë në tregje dhe janë histori suksesi që po ndërtohen e përparojnë për çdo ditë.

Dua të theksoj edhe një herë se ne jemi të përcaktuar që ta mbështesim këtë potencial. Ne dëshirojmë që sa më shumë rinia të mësohet dhe punësimi të jetë pikërisht në sektorin privat, më shumë e më parë sesa le të themi në zyrat e administratës shtetërore. Sepse, administrata shtetërore fasiliton dhe mirëmban, por progresi i madh me inovacion dhe kreativitet ngjanë pikërisht tek sektori privat të cilët ne dëshirojmë t’iu shërbejmë edhe me administratë shtetërore, por në veçanti me sistemin arsimor.

Sistemi ynë është i qartë: deri në vitin 2030, i ka përbrenda mundësitë jo vetëm synimet që Kosova të pozicionohet si një qendër e inovacionit dhe kreativitetit në Ballkanin Perëndimor, apo ta quajmë ndryshe një lloj Estonie e Evropës Juglindore.

Në këtë rrugë, bashkëpunimi është thelbësor. Midis institucioneve publike, sektorit privat dhe institucioneve arsimore, meqenëse bashkë mund ta ndërtojmë këtë ekosistem, i cili karakterizohet nga qëndrueshmëria. Pra, ka ngjarje, por përfundi ngjarjeve janë proceset stabile. Për partnerët tanë ndërkombëtarë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen jo vetëm për mbështetjen financiare, por edhe për angazhimin dhe partneritetin e vazhdueshëm në këtë proces. E të gjitha zotimet të cilat i keni dëgjuar shumë herë prej nesh, sidomos në dhjetorin e vitit të kaluar, ne i shndërrojmë ato në programe të Qeverisë dhe aty hyjnë prej Tech-kullës, pra kullës së Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit në Prishtinë, e deri tek valuta digjitale të cilën do ta kemi.

Krejt në fund, dua të theksoj se inovacioni megjithëkëto nuk është vetëm çështje teknologjie. Ai është mënyrë e të menduarit. Është guxim për të sfiduar status quo-n dhe për të ndërtuar zgjidhje më të mira për shoqërinë. Ata që nuk janë të kënaqur me atë që kanë dhe ata që janë të gatshëm përveç se të interesuar që të mendojnë përtej asaj që tashmë ekziston, ky është motori i progresit, të cilën ne dëshirojmë që ta fasilitojmë e ta ndihmojmë, sepse pikërisht kjo na nevojitet tani më shumë se kurrë.

Unë ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen, kontributin dhe vëmendjen dhe ju dëshiroj suksese gjithnjë e më të mëdha në të ardhmen.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors