Prishtinë, 23 nëntor 2026
E nderuara Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,
E nderuara Zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla,
I nderuari Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani,
I nderuari Kryeprokuror i Shtetit, z. Zejnulla Gashi,
I nderuari Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Arian Gashi,
I nderuari Ushtrues Detyre i Drejtorit të Policisë së Kosovës, z. Fehmi Hoti,
I nderuari Gjeneral Brigade i ushtrisë sonë, Mehmet Lladrovci,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve të Republikës sonë,
Të nderuar përfaqësues të ambasadave, të Zyrës së Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, EULEX-it e të OSBE-së,
I nderuari Drejtor i Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu,
I nderuari Udhëheqës i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Sot po shënojmë 27-vjetorin e themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, një institucion tejet i rëndësishëm i Republikës sonë, i veçantë për sundim të ligjit dhe funksionim të sistemit të drejtësisë.
Ky përvjetor është një mundësi për të nderuar rrugëtimin e këtij institucioni dhe për të vlerësuar të gjithë ata që, për 27 vite rresht, kanë kontribuar në ndërtimin dhe zhvillimin e tij.
Mirënjohja jonë e veçantë u takon zyrtarëve korrektues dhe gjithë stafit të Shërbimit, të cilët me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim kryejnë një detyrë të vështirë dhe me rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë dhe për drejtësinë e vendit tonë.
Gjatë këtyre viteve, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar përparim të rëndësishëm në profesionalizimin e stafit, avancimin e legjislacionit, modernizimin e infrastrukturës, forcimin e sigurisë dhe zgjerimin e programeve të rehabilitimit dhe të risocializimit.
Natyrisht, që burgu nuk është i mirë, por është i domosdoshëm për ta mbrojtur shoqërinë, pa harruar asnjëherë që i burgosuri ose i paraburgosuri e humbet lirinë, por asnjëherë të drejtat, të cilat mbrohen e respektohen nga të gjithë ne bashkë dhe nga secili prej jush, varësisht nga funksioni përkatës që ka. E, progresi i madh i Shërbimit Korrektues të Kosovës është dëshmuar edhe përmes vlerësimeve të çmuara ndërkombëtare.
Në vitin 2025, Shërbimi Korrektues u nderua nga Asociacioni Ndërkombëtar i Institucioneve Korrektuese dhe Burgjeve, ICPA, me çmimin e ekselencës në fushën e kujdesit shëndetësor korrektues, për projektin “Comprehensive Care and Rehabilitation”.
Po ashtu, edhe projekti “Art from Prison: Turning Prison into Opportunity”, pra “Arti nga Burgu: Shndërrimi i Burgut në Mundësi”, u përzgjodh ndër pesë iniciativat më të mira në kuadër të çmimit të EuroPris për burgjet.
Këto vlerësime, së bashku me anëtarësimin në rrjete profesionale evropiane dhe ndërkombëtare, pjesëmarrjen në samite, konferenca dhe forume ndërkombëtare, dëshmojnë se Shërbimi Korrektues i Kosovës po bëhet pjesë gjithnjë e më aktive e zhvillimeve dhe praktikave më të avancuara në këtë fushë.
Edhe raportet e Komisionit Evropian për vendin tonë kanë pasqyruar progresin e sistemit korrektues, duke vlerësuar në përgjithësi përshtatshmërinë e sistemit të ekzekutimit të sanksioneve penale dhe përputhshmërinë e tij me standardet ndërkombëtare.
Të nderuar të pranishëm,
Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Shërbimin Korrektues, ka vazhduar të investojë në kapacitete të reja dhe përmirësimin e kushteve institucionale.
Ndër projektet me rëndësi të veçantë janë ndërtimi i Shtëpisë së Nënave në Qendrën Korrektuese për Gra në Lipjan, zgjerimi i kapaciteteve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë dhe përshtatja e Burgut të Gjilanit në kuadër të zbatimit të marrëveshjes që kemi bërë me Mbretërinë e Danimarkës.
Një arritje e rëndësishme është edhe themelimi i institucionit për trajtimin e personave të burgosur me nevoja të veçanta, me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës Amerikane. Po ashtu, investimet në teknologji, përfshirë sistemet e video-mbikëqyrjes dhe video-konferencave, kanë kontribuar në rritjen e sigurisë, transparencës dhe të efikasitetit institucional.
Vëmendje e posaçme i është kushtuar edhe burimeve njerëzore. Qindra zyrtarë të rinj i janë bashkuar Shërbimit, ndërsa shumë të tjerë kanë përfituar nga trajnimet dhe programet profesionale, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Por një sistem korrektues nuk matet vetëm me sigurinë që ofron. Ai matet edhe me mundësitë që krijon për ndryshim. Për këtë arsye, kemi zgjeruar programet e rehabilitimit dhe risocializimit, si dhe kemi krijuar mundësi që personat e dënuar të angazhohen në punë jashtë institucioneve korrektuese, përmes bashkëpunimit me kompani publike dhe private. Pra, burgu nuk është thjesht një ndëshkim, por është edhe një obligim i të gjithë neve që të burgosurit, kur ta vuajnë dënimin, të mos rikthehen aty. Suksesi ynë nuk do të matet vetëm me ndëshkimet që bëhen por edhe me parandalimin e delikuencës si të tillë.
Këto janë hapa konkretë, të nderuar pjesëmarrës, zyrtarë të shtetit tonë, drejt një sistemi institucional i cili nuk e sheh, pra dënimin vetëm si kufizim të lirisë, por edhe si një shans për edukim, për aftësim dhe për rikthim të përgjegjshëm në shoqëri.
Siguria, luftimi i korrupsionit dhe respektimi i të drejtave të njeriut mbeten padyshim prioritete të pandashme të punës sonë.
Vlerësimet dhe rezultatet e arritura janë padyshim arsye për krenari, për juve dhe gjithë neve, por natyrisht për juve dhe të gjithë neve edhe përgjegjësi për të ardhmen. Ne jemi të vetëdijshëm se mbeten sfida dhe se puna për përmirësimin e vazhdueshëm nuk përfundon dhe atëherë kur vlerësohesh lart, çmohesh shumë, natyrisht që priten edhe rritjet e të tjerëve. Do të presin gjithnjë e më shumë prej juve, gjithnjë e më mirë sa i përket kryerjes së funksioneve dhe detyrave që kemi.
Qeveria e Republikës së Kosovës në këtë ngritje të vazhdueshme do të jetë përherë mbështetëse e Shërbimit Korrektues në ngritjen e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e kushteve të punës, modernizimin e infrastrukturës dhe avancimin e programeve rehabilituese.
Ky është misioni i cili duhet të vijojë me përgjegjësi dhe me përkushtim. Ju faleminderit shumë për gjithë atë punë, angazhim dhe kontribut që keni dhënë për shumë vite të gjithë ju e secila e secili prej jush. Andaj, me plot zemër, urime 27-vjetori i themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës!
Ju faleminderit për ftesën e për vëmendjen!