Prishtinë, 6 nëntor 2026
U rikthyem në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, për t’u takuar me drejtorin, Dr. Atdhe Hetemin, dhe njëkohësisht me stafin e tij me rastin e pranimit nga ta, unë si kryeministër, të raportit të punës, raportit njëvjeçar, që është hera e tretë që e marrë nga drejtori Hetemi, dhe ku janë të radhitura të arriturat mbresëlënëse, të cilat tregojnë se sa shumë ka pasë nevojë për këtë Institut, me të cilin organizatat e ndryshme, institucionet, komunat e Kosovës dhe qytetarët e Republikës, por edhe më gjerë se kaq, po bashkëpunojnë ngushtë.
Në fund të Korrikut, e kemi pasur publikimin e listës preliminare të viktimave të vrara të luftës, me 13,195 persona të verifikuar për periudhën 1998-2000.
Databaza përditësohet çdo ditë, ndërsa rezultatet e reja të përditësimit do të publikohen pas gjashtë muajsh, që i bie në fund të Janarit të vitit 2027.
Pastaj, është bërë edhe publikimi i vëllimit të parë shkencor nga shtëpia botuese prestigjioze ndërkombëtare Routledge, me 12 punime shkencore, si dhe organizimi i konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare me mbi 200 pjesëmarrës për shkallën dhe gjykimet e dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Pastaj, është organizuar forumi me të mbijetuarit e helmimeve të fillimit të dekadës së viteve të ’90-ta, pra të shekullit të kaluar, dekadës së fundit, kur u paralajmërua gjenocidi i ri që do ta kryej Serbia pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës në vitin 1989.
Mandej, e kemi edhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me marrëveshje të ndryshme me institucione partnere. Në vitin e parë ka pas 7 marrëveshje, në vitin e dytë 10 marrëveshje dhe tash në vitin e tretë 21 marrëveshje, të trajnimeve profesionale të stafit në vende të ndryshme e për bashkëpunim për interes të ndërsjellë.
Është bashkëpunuar edhe me ambasadat dhe konsullatat e Kosovës për ta prezantuar ndërkombëtarisht punën e Institutit para opinionit botëror, pra krimet e kryera dhe dokumentimin që kemi bërë ne me ekspozita të ndryshme.
Pastaj, kemi pasur edhe mbledhjen e dëshmive dhe intervistimit të të mbijetuarve, me mbi 127 intervista të realizuara, nga rreth 1000 sosh sa janë të planifikuara në kuadër të projektit “Kujtesa e masakrave”. Pasurimi i vazhdueshëm i arkivit të Institutit, të cilin gjithashtu e vizitova kësaj radhe përmes mbledhjes, digjitalizimit dhe verifikimit të materialeve dokumentuese mbi krimet e kryera gjatë luftës, është një e arritur shumë e rëndësishme e këtij instituti që po shndërrohet në kujtesë institucionale për historinë e popullit tonë.
Po krijohet, pra, një bazë e qëndrueshme dokumentare dhe shkencore për ruajtjen e të vërtetës historike. Por njëkohësisht edhe një arkiv tejet i vlefshëm për sistemin e drejtësisë, në veçanti për Prokurorinë e Shtetit, në mënyrë që të zbardhet e vërteta, të kërkohet përgjegjësia dhe të gjithë urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimeve ndaj shqiptarëve, që janë bërë në kuadër të forcave të ndryshme të Serbisë, të udhëhequra nga regjimi i Millosheviçit, të gjykohen e të dënohen në Republikën tonë.
Tash është edhe mundësia që ata të dënohen në mungesë. Dhe besoj e keni vërejtur të gjithë se numri është duke u rritur nga viti në vit, i atyre që po akuzohen, gjykohen dhe dënohen.
Edhe njëherë e falënderoj drejtorin Atdhe Hetemi dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët po punojnë pa u ndalur, në mënyrë që edhe ta kompensojnë kohën e humbur. Por, në të njëjtën kohë edhe brezave të ardhshëm t’ju lëmë sa më shumë trashëgimi të dokumentuar mbi atë se çfarë u ka ndodhur prindërve e gjyshërve të tyre.