Fjala e kryeministrit Kurti në përurimin e rinovimeve në çerdhen “Albiona Asllani” në Komunën e Shtimes

Të nderuar qytetarë të Komunës së Shtimes,
I nderuari kryetar i Komunës, Dr. Qemajl Aliu,
E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të institucioneve,
I nderuar z. Isak Asllani, familjar i Albiona Asllanit, martire vetëm gjashtë muajshe e luftës së fundit në Kosovë, e kjo çerdhe ku jemi sot, bartë emrin e saj,
Të nderuar prindër dhe staf edukativ,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Komuna e Shtimes është bërë vatër e lajmeve të mira. Sa herë që ftohem të jem këtu, e di se një projekt i mirë për banorët ose po fillon ose tashmë është realizuar. Sot e kemi rastin t’i bëjmë të dyja, ndërkaq investimet që kanë të bëjnë me të ardhmen e fëmijëve janë shumëfish më të mira e më të vlefshme. Çerdhja “Albiona Asllani” është dëshmi tjetër dhe shtesë e përkushtimit të përbashkët për t’u kujdesur për më të vegjlit në mënyrën më të dinjitetshme të mundshme.

Si institucione që aspirojmë shoqëri të drejtë dhe sa më të zhvilluar, jemi të vetëdijshëm që puna jonë fillon nga themelet, që në këtë rast janë moshat më të hershme.

Pedagogu e filozofi amerikan John Dewey thoshte se “Nëse ne mësojmë fëmijët tanë siç mësuam vetë dje, ne ua mohojmë atyre të ardhmen.” Pra, për fëmijët duhet të bëjmë më shumë se sa që është bërë për neve kur ne ishim në moshën e tyre.

E sot, me këtë çerdhe moderne prej 340 metrash katrorë me 40 shtretër, e financuar nga MAShT-i në vlerë prej afër 130,000€ dhe e ndërtuar me standardet më të larta, po e konfirmojmë se ne po ua hapim e po ua lehtësojmë fëmijëve rrugën drejt të ardhmes.

Falënderoj Komunën e Shtimes për rolin dhe angazhimin e saj dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për bashkëpunimin efikas dhe produktiv. 

Çdo herë që e hapim për një fëmijë një derë, është një derë tjetër e mbyllur ndaj padrejtësisë, pabarazive e pamundësisë. 

Qoftë kjo çerdhe shembull për mbizotërimin e dashurisë dhe përkujdesjes për fëmijët si dhe për të drejtat, respektin dhe punën në edukimin e pasardhësve tanë.

Ju faleminderit të gjithëve! Urime dhe e gëzofshi!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors