Fjala e Kryeministrit Kurti në mbledhjen e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”

Prishtinë, 30 tetor 2026

Të nderuar anëtarë të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare,
Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen.

Sot do të shqyrtojmë ecurinë e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 dhe hapat që kemi përpara. Do t’i trajtojmë edhe çështjet e ngritura në komunikimin e fundit Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), në funksion të vazhdimit të punës dhe bashkëpunimit për organizimin e Lojërave.

Synimi ynë i përbashkët është organizimi i suksesshëm i Prishtina 2030. Për këtë, na duhet bashkëpunim i ngushtë dhe angazhim i përbashkët gjatë gjithë përgatitjeve.

Libri i Kandidaturës është baza mbi të cilën e kemi fituar të drejtën e organizimit të Lojërave. Në të kemi paraqitur vizionin e përbashkët për shtrirjen e tyre nëpër Republikën e Kosovës, me përfshirjen edhe të Shqipërisë, përkatësisht Durrësit, për zhvillimin e infrastrukturës dhe për trashëgiminë që do t’i mbetet vendit. Ky vizion duhet të na udhëheqë edhe në përgatitjet e mëtejme.

Ashtu siç është konceptuar që në fillim, objektet që ndërtojmë dhe renovojmë duhet t’u shërbejnë sportistëve dhe qytetarëve për shumë vite pas vitit 2030. Shfrytëzimi i kapaciteteve ekzistuese dhe përfshirja e investimeve në realizim e sipër janë pikënisje e domosdoshme për organizimin e Lojërave, ndërsa ndërtimet e reja duhet t’u përgjigjen nevojave të garave dhe zhvillimit afatgjatë të sportit, me planifikim të qartë të kostos, përdorimit dhe mirëmbajtjes së tyre.

Me këtë qasje do ta shqyrtojmë draftin e Masterplanit, organizimin dhe koordinimin e punës, si dhe infrastrukturën prioritare e planin e prokurimit. Vendimet tona duhet t’i lidhin kërkesat e Lojërave me qëllimet strategjike të vendit: zhvillimin e sportit, përmirësimin e infrastrukturës publike dhe shpërndarjen e përfitimeve nëpër komuna. Kjo kërkon plane të realizueshme, financim të qëndrueshëm dhe përdorim me përgjegjësi e transparencë të parasë publike.

Për t’i çuar përpara përgatitjet, na duhet kuptim i përbashkët i drejtimit që ndjekim dhe i hapave që do të ndërmarrim. Në përcaktimin e investimeve, krahas kërkesave për organizimin e Lojërave, duhet të na udhëheqin prioritetet e zhvillimit të vendit dhe nevojat e qytetarëve. Kjo i shërben edhe bashkëpunimit me ICMG-në dhe përmbushjes së angazhimeve që kemi marrë përsipër.

Qeveria mbetet e angazhuar për përmbushjen e zotimeve të dhëna që në fazën e kandidaturës. I njëjti përkushtim ndaj zotimeve të përbashkëta duhet ta udhëheqë punën e të gjithëve ne.

Me këtë qëllim, le të vazhdojmë me çështjet e rendit të ditës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors