Prishtinë, 6 tetor 20026
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Mirë se keni ardhur në këtë konferencë për media.
Çështjen e dënimit të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë ne asnjëherë nuk e kemi ndërlidhur me zhvillimet e brendshme këtu, politike e institucionale, rrjedhimisht as më çështjen e Presidentit. Këto janë tema të ndara për neve. Por, të dyja janë tema të cilat e tejkalojnë një parti, i tejkalojnë edhe të gjitha partitë, janë çështje të interesit të përbashkët shtetëror e kombëtar. Për katër të dënuarit në shkallë të parë ne besojmë për korrigjim në Apel në njërën anë, dhe, në anën tjetër, një strategji shtetërore e kombëtare për të fituar këtë betejë.
Por, ne nuk mund t’i mohojmë pengesat e menjëhershme që i kemi përpara nesh drejt atij synimi, e të cilat i kemi të gjithë së bashku, pra, çështja e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së re. Sepse mozgjedhja e tij ose saj na çon direkt në zgjedhje, dhe jo vetëm se na çon në zgjedhje, por na pamundëson të gjithëve të merremi edhe me strategjinë shtetërore e kombëtare, por edhe me apelin, i cili në fakt është shumë i ngutshëm. Nuk do të mund të fillojmë të merremi me çështjen e apelit në vitin e ardhshëm, por duhet të fillojmë të merremi në këtë muaj.
Pa president sot, Kosova për muaj të tërë është në zgjedhje dhe pa institucione funksionale. Në këto rrethana është emergjente çështja e Presidentit, që ta zgjedhim dhe ta heqim këtë presion mbi shtetin dhe të kemi gjithë energjinë, vëmendjen dhe mendjen te mbrojtja e luftës së popullit tonë për liri dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë në burg në Hagë. Ata janë dënuar në shkallë të parë, ndërkohë sonte në mesnatë mund të shkojmë në zgjedhje këtu, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Duhet kuptuar dhe trajtuar me sinqeritet: çështja atje do të marrë kohë, angazhim e qe besa do edhe shumë nerva dhe nuk do të bëjmë kurrfarë mrekullie brenda natës pse votojmë një Projektligj. Për këtë duhet të jemi të përgatitur të gjithë. Ndërkaq, si për ta bërë edhe më të rëndë, ne me mosvotimin e Presidentit sonte shkojmë brenda orësh në zgjedhje.
Është paradoksale, përveçse e dëmshme, të thuash se nuk ka temë më të rëndësishme se Gjykata Speciale dhe mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së dhe ta dërgosh vendin në zgjedhje për President. Për prioritetet që i kemi dhe duhet t’i kemi, gjëja e parë që duhet të bëjmë për të ecur përpara është heqja e pengesave imediate që i kemi të gjithë ne bashkë, sot dhe tani dhe këtu dhe të gjithë. E kjo është çështja e Presidentit. Gjykata Speciale është temë në horizontin tonë përpara, por që në fillim të fillimit, pra sot e sonte, ne kemi temën e Presidentit, që me pamaturi mund të na errësojë edhe më tutje këtë horizont duke na çuar përsëri në zgjedhje të paarsyeshme, të panevojshme e të kushtueshme.
Mos të harrojmë, ne vazhdimisht jemi konstruktivë e të përgjegjshëm e bashkëpunues. Katër hapa i kemi bërë në drejtim të realizimit të kërkesave të Partisë Demokratike të Kosovës: e bëmë deklaratën e përbashkët në Kuvend, në Qeveri miratuam përgjigjen për nismën ligjore për projektligjin, e thirrëm seancën e djeshme me 40 nënshkrime për trajtimin e atij Projektligj dhe aty e votuam në lexim të parë. Këto po i marrim si të mirëqena, por do të ishin të pamundura pa votën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Për asnjërën nga këto nuk patëm asnjë fije hezitimi. Ne i bëmë katër hapa drejt tyre, asnjë hap nuk e bëri PDK-ja drejt nesh. Kjo është e padrejtë dhe e padobishme.
Në anën tjetër, me lejoni të përshëndes Kuvendin e Republikës së Kosovës, deputetët, për kalimin e disa projektligjeve tjera dje, siç ishte ai për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, pastaj Ratifikimi i Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë, votimet për fondet IPA, pastaj për projektligjet për parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, mandej Projektligji për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pastaj ai për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për energjinë e kështu me radhë.
Nga takimi i mbrëmshëm e lamë mundësinë hapur që të takohemi edhe sot, por meqë kryetari i PDK-së, Hamza, s’po do të takohet më me mua, unë po ju drejtohem në këtë konferencë. Ju e dini që unë s’kam folur deri më tash në këto katër takime që kemi pasur. Kam dashur e dua marrëveshje, transparencë të procesit të bisedimeve, por definitivisht konfidencialitet të tyre. Por, tash Bedri Hamza na ka kushtëzuar në mënyrë ultimative dhe refuzon të takohemi. Prandaj, edhe s’na mbetet rrugë tjetër përveçse t’ju drejtohemi kësisoj.
Përveçse nuk po duan bashkëpunim, tash nuk duan as takim. Atëherë, si mund të kërkohet marrëveshje pa takim, pa bisedim, pa bashkëpunim?
Ju e dini që ne ua patëm votuar edhe Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit, meqenëse pa votat tona ajo nuk mund të zgjidhej, ndërkaq në anën tjetër, nënkryetari i parë Ardian Gola nuk kishte nevojë për votat e PDK-së. Pastaj e votuam deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, e thirrëm seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit me 40 nënshkrime, të cilën ata nuk do të mund ta thirrnin po ashtu për shkak se i kanë 22 deputetë, duhen 40. Ne e thirrëm seancën dhe e vendosëm si të parin Projektligjin për Dhomat e Specializuara, të cilin paraprakisht e kishim miratuar procedimin në vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës pasi kishim marrë opinionet nga Departamenti i Buxhetit të Ministrisë së Financave, nga Zyra Ligjore në Ministrinë së Drejtësisë dhe nga Zyra këtu në Kryeministri, përfshirë edhe atë të Integrimeve Evropiane. Dhe, përmbyllja e të gjitha këtyre ishte dje kur e votuam Projektligjin në lexim të parë, në parim, që është votim tejet i rëndësishëm. Është votimi parimor. Këto janë veprime konkrete që dëshmojnë gatishmërinë tonë për bashkëpunim në mirëbesim. Katër hapa në drejtim të tyre, ata asnjë në drejtim tonë. Tash s’duan as të takohen dhe vendosin qëndrime në formë kushtesh ultimative.
Tash e dy vjet unë i kam ftuar në takim. Zakonisht kanë refuzuar, para tri jave filluan të vijnë dhe sot prapë po refuzojnë, edhe takimin, edhe bashkëpunimin, rrjedhimisht edhe marrëveshjen.
Pra, refuzojnë takimin dhe bashkëpunimin, refuzojnë bisedimet, por njëkohësisht kërkojnë nga Lëvizja VETËVENDOSJE! 53 vota mbështetje blanko, a vet nuk janë as sa gjysma e VETËVENDOSJES! E VETËVENDOSJA! me partnerët e saj si mazhorancë është 62. Na 62 ata 22. Edhe i dojnë blanko këto votat tona. Këto të jenë të gatshme. Ndërkaq, ata, ne duhet t’i lusim, e tash s’mund as t’i takojmë më. Bëhet fjalë që sillen thuajse e kanë një mbështetje të qytetarëve që nuk e kanë marrë nga në fakt. Që në fakt e kemi marrë ne. Subjekti fitues i zgjedhjeve është Lëvizja VETËVENDOSJE!
Marrëveshja nuk bëhet duke refuzuar dialogun. Bashkëpunimi kërkon që palët të ulen në tavolinë dhe secila ta marrë përgjegjësinë që i takon e të sillet në bazë të mbështetjes që ka. E sot kemi dy përgjegjësi konkrete: zgjedhjen e Presidentit dhe votimin e ligjit.
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Ligji është urgjencë, por Presidenti është emergjencë. Presidenti duhet të zgjidhet sot, ndërsa ligjin mund ta votojmë më pastaj, duke e respektuar edhe afatin 72-orësh, sipas Nenit 85 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Më lejoni ta lexoj paragrafin e parë të Nenit 85 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës:
Neni 85, procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të Projektligjeve.
Pika 1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit me procedurë të përshpejtuar nuk mund të bëhet më herët se 48 orë nga shpërndarja e materialit, ndërsa shqyrtimi i dytë nuk mund të bëhet më herët se 72 orë nga dita e miratimit në parim, me përjashtim të gjendjes së jashtëzakonshme, ose shpalljes së gjendjes emergjente.
Nga paraditja e së hënës duhet të kalojnë 72 orë. Le ta zgjedhim Presidentin sonte dhe unë publikisht zotohem para jush që në paraditen e së enjtes kalon leximi i dytë i Projektligjit për Dhomat e Specializuara. Pra, ne e votojmë në lexim të dytë Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe këtë e bëjmë duke respektuar Rregulloren e Punës së Kuvendit. 72 orë i bije, paraditja e së enjtes.
Nuk mund ta shkelim Rregulloren edhe për një arsye shtesë. E ky është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 9 janar sivjet, pra para 9 muajsh, i cili në pikën 183 thotë kështu, në fund: Rrjedhimisht Gjykata vlerëson se procedurat e përcaktuara në Nenin 85, procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të projektligjeve dhe 86 procedura urgjente për shqyrtimin e projektligjit të Rregullores së Kuvendit nuk janë aplikuar në rrethanat e rastit konkret.
Edhe neve na i ka rrëzuar tashmë 13 projektligje të tilla, të cilat ne i kemi kaluar në dy lexime. Në janar, sivjet, Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar këtë mënyrë, e cila tash neve po na vendoset si kushtëzim ultimativ.
Andaj, nëse vërtet kërkojnë zgjidhje, zgjidhja ekziston. Ajo arrihet përmes takimit, bisedimit, bashkëpunimit, marrëveshjes, por nëse refuzojnë edhe takimin, edhe bisedimin, edhe bashkëpunimin, edhe marrëveshjen, atëherë çështja nuk është më se nuk po duan zgjidhje, por se po duan zgjedhje.
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Krejt në fund, meqë jemi në orët e mbrama kur skadon afati për të zgjedhur President a Presidente të re, ne po e bëjmë edhe një ofertë shtesë e konkrete: nëse Partia Demokratike e Kosovës zotohet publikisht se i sigurojnë së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Prof. Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër i kemi bashkë me LDK, në bazë të marrëveshjes politike dhe deklarimeve të më pastajme, atëherë ne po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Por, kërkojmë nga PDK-ja, publikisht, meqenëse s’po mund t’i takojmë më, që të zotohen para jush, para opinionit publik, para qytetarëve të Kosovës, se së paku gjysmën e grupit të tyre parlamentar mund të na i sjellin në seancë e të votojnë qoftë edhe kundër për Bekim Sejdiun. Pra, neve na kanë kërkuar votën PËR, katër herë kemi qenë të gatshëm. Katër herë votën PËR. Unë po ua kërkoj votën kundër, gjysmës së tyre, për prof. Bekim Sejdiun që nuk është i VETËVENDOSJES!. E kuptoni! Pra, sa herë kanë kërkuar prej neve ne kemi qenë të gatshëm për votën PËR, unë gjysmës së tyre po ua kërkoj votën kundër. Tash nëse dojnë ata PËR, në rregull është, nuk kemi kundërshtim, por jemi PËR edhe për kundërshtimin e tyre, vetëm le të marrin pjesë në seancë, mos ta bojkotojnë seancën.
Me Prof. Bekim Sejdiun e kemi një shans unik përpara. Edhe nëse nuk janë 18 të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë 11 a 12! Edhe PDK nëse nuk janë 22, a janë 11?! A është Bedri Hamza vet i 10-ti?! Le të vijë vet i 10-ti. Edhe LDK në anën tjetër edhe p’e zgjedhim presidentin. Unë ju garantoj si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si kryeministër i Republikës, që 62 deputetë të mazhorancës do të jenë aty për të votuar në lexim të dytë Projektligjin për Dhomat e Specializuara paraditen e së enjtes, këtë javë.
Faleminderit shumë e tash do të mund t’ju përgjigjemi pyetjeve tuaja!






