New York, 20 shtator 2026
Është kënaqësi dhe nder i veçantë që ndodhem sot bashkë me juve dhe më lejoni që fillimisht ta përshëndes Eminencën e Tij, Kardinalin Ernest Simoni Troshani, i cili me jetën e tij që është vepër na frymëzon që të gjithë neve edhe si qytetarë republike, edhe shqiptarë ngado që jemi, por edhe si zyrtar shteti. Faleminderit shumë Eminenca Juaj, Kardinal Ernest.
Ne po vijmë këtu tek ju nga Jonkers, ku ishim për të vendosur lule të freskëta dhe për të bërë homazhe te varret e tre vëllezërve Bytyqi, Yll, Ilir dhe Mehmet Bytyqi, të cilët në vitin 1999 si luftëtarë të Batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vranë mizorisht nga forcat serbe. Trupat e tyre prehen të qetë në Jonkers, mirëpo jo edhe plotësisht, meqenëse nuk është vënë drejtësia në vend për ta. Prandaj, në çdo takim që kemi me zyrtarët amerikanë, e ngrisim çështjen e mungesës së drejtësisë për këta tre shqiptarë, për këta tre amerikanë, për këta tre luftëtarë për liri, që u sakrifikuan për shtetin që ne e kemi dhe lirinë që e gëzojmë bashkë.
Lavdi vëllezërve Bytyqi dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!
Shkodra është zojë, Zoja e Shkodrës është dyfish zojë e Kisha Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës këtu, është trefish zojë.
Besoj që një ndër faktorët, i cili do të tregojë se sa larg ka shkuar kombi shqiptar në shekullin XXI, do të jetë pikërisht gjendja e Shkodrës. I gjithë kombi shqiptar ka për detyrë që Shkodrën ta zhvillojë e ta ngritë sa më lart, sepse ai është një qytet i lashtë, me shumë traditë e kulturë, që i ka dhënë kombit shqiptar, por edhe më shumë se aq, e, i cili sot meriton përkushtimin tonë maksimal.
Prandaj, edhe një ndër projektet që kemi me Republikën e Shqipërisë, është ndërtimi i hekurudhës Prishtinë-Durrës, që përbrenda do ta ketë segmentin Gjakovë-Shkodër, që përbën zemberekun e kombit shqiptar.
Unë jam me një delegacion nga Kosova në Nju Jork. Bashkë me mua janë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ministri i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, pastaj ambasadori ynë këtu i Republikës së Kosovës në Uashington D.C, Ilir Dugolli, e gjithashtu me mua janë dhe miqtë nga Lugina e Preshevës, kryetarja e Komunës, Ardita Sinani dhe deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi.
Ju e dini që në Republikën e Kosovës, në Parlamentin me 120 ulëse ne i kemi 10 vende të rezervuara për serbët, njëri prej tyre është ministër i imi, nëntë të tjerët janë me partinë e Vuçiqit, edhe Beogradit zyrtar 9-të i duken pak. I duken që janë pak sepse i duan të 10-it. E në anën tjetër edhe i vetmi deputet shqiptar që kemi në Serbi, Shaip Kamberi i duket tepër, se është punëtor dhe i përfaqëson me dinjitet shqiptarët që janë të shtypur e të shfrytëzuar. Prandaj, vëllezër e motra kërkoj mbështetjen tuaj që t’i ndihmojmë shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me krejt çfarë dimë e mundemi.
Shteti duhet të jetë i fortë, por shteti duhet të jetë edhe i mirë. Prandaj, qeverisja jonë mundohet që paqen, drejtësinë dhe dashurinë, t’i bëj bashkë.
Kisha katolike shqiptare historikisht ka dhënë kontribut të madh dhe ajo për neve paraqet një shembull që duhet ndjekur përmes sakrificës për të mirën e përgjithshme dhe përmes vendosjes së interesit publik, përmes vendosjes së komunitetit mbi interesin personal e individual të kujtdo qoftë.
Ju faleminderit shumë juve për këtë mikpritje kaq të përzemërt!
Rrofshin Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë!
Zoti e bekoftë kombin amerikan dhe kombin shqiptar!
Faleminderit!