Prishtinë, 24 shtator 2026
E nderuara Kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së Presidentes të Republikës, znj. Albulena Haxhiu,
E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla Schwarz,
I nderuari Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme,
I nderuari kolonel Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës,
E nderuara familje Bunjaku, bashkëshorte Lumnije, vajza Arbenitë, djemtë Fatlumi e Jetlumi, vëllai Mujë Bunjaku,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik, shkëlqesi ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të akredituar në vendin tonë,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, ministra, zëvendësministra e kolegë të tjerë nga Qeveria,
Të nderuar zyrtarë policorë, kolegë të Rreshter Afrim Bunjakut,
Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të dashur qytetarë të Republikës,
Të nderuar të pranishëm,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Në vazhdimësi e për shumë vite është shkruar e folur, e përfolur për veriun e Kosovës si vatër destabilizimi, tokë e askujt, zonë e pakontrolluar ku lulëzon krimi i organizuar, strukturat paralele dhe grupet kriminale. Vargmalet dhe territori i vështirë atje, e i thepisur ishin shndërruar në hapësira lehtë të qasshme për kontrabandim armësh e mallrash, aktivitete ilegale të llojllojshme e hyrje-dalje të figurave të shumta kriminale. Ekzistonte një pajtim në heshtje se në veriun e Kosovës mund të jetohej dhe përfitohej jashtë orbitës së sundimit të ligjit dhe të rendit demokratik. Kjo situatë e papranueshme dhe alarmuese duhej të ndryshonte medoemos. Ndryshimi në kalimin nga anomalia në normalitet, u përball me mobilizim të strukturave e grupeve kriminale të dirigjuara dhe të organizuara nga Beogradi zyrtar.
Serbia dështoi disa herë të ruante ndikimin e saj të madh në veriun e shtetit tonë. Nuk funksionuan as barrikadat, as sulmet e përsëritura ndaj institucioneve tona dhe KFOR-it, as dorëheqjet kolektive të orkestruara, as kërcënimet me aeroplanë luftarak MIG e me ushtri të stacionuar afër kufirit, as bazat e përparme ushtarake të xhandarmërisë dhe me nivel të gatishmërisë për sulm. Serbia e kuptoi se tashmë e ka humbur kontrollin dhe është eliminuar prania e aftësia e strukturave të saj brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Në këtë situatë të re, synuan të imitojnë përsëri një tjetër metodë hibride të Rusisë: aneksimin e territorit. Sulmi paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë tri vite më parë, u bë nga një grup terroristësh të mbështetur e financuar, trajnuar e instruktuar nga shteti i Serbisë, udhëhequr nga Millan Radoiçiq. Të veshur me uniforma taktike ushtarake të pajisur me armatim të Ushtrisë dhe të Forcave të Armatosura të Serbisë, atë mëngjes, hasën në një patrullë policore të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e së cilës i sulmuan. Duke e aktivizuar një minë me kabllo nga distanca, terroristët serbë e vranë Rreshterin Afrim Bunjaku dhe e plagosën zyrtarin policor Alban Rashiti.
Tre vite nga sulmi i Banjskës, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, vazhdojnë të strehohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofron mbrojtje dhe shërbime. Ata duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë dhe të gjykohen për sulmin me përmasa ushtarake të organizuar ndaj shtetit tonë dhe vrasjen e Afrim Bunjakut. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë drejtësi të plotë.
Afrimi, heroi ynë, i doli në ballë terroristëve të këtij agresioni shtetëror e sulmi kriminal. Ai u vra duke mbrojtur shtetin dhe paqen. Rënia e tij në krye të detyrës, e skalit si figurë të ruajtjes së sovranitetit shtetëror e integritetit territorial, rendit publik e sundimit të ligjit. Falë sakrificës dhe aktit heroik të Afrim Bunjakut, nuk u ndal rruga e drejtë e shtrirjes së sovranitet në 17% të territorit të vendit tonë. Pas neutralizimit të sulmit të grupit paramilitar serb, për herë të parë nisi funksionimi i plotë i shtetit dhe i të gjitha institucioneve të tij në veri të vendit tonë. Pasoi arritja e shumë sukseseve dhe fitoreve në këtë trevjeçar në funksion të sundimit të ligjit dhe të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Periudha e ilegalitetit dhe kriminalitetit atje mori fund. U ndalua përdorimi i dinarit serb, dolën jashtë funksionit targat dhe patentë-shoferët e strukturave paralele serbe, u mbyllën 62 institucione paralele ilegale, u mbyll Posta e Serbisë e pikat e derivateve të kompanisë serbe “Nis Petrol” që njihet si pjesë e Gazprom-it rus. Vijuan të mbyllen rrugët e shtigjet ilegale e të parandalohet kontrabandimi i armëve, municioneve dhe thasëve me dinarë. Sasi të mëdha armatimi u gjetën dhe sekuestruan gjatë tri viteve të fundit, ndërkaq për herë të parë filloi edhe faturimi i energjisë elektrike për banorët në katër komunat në veri të Kosovës. U hapën 844 biznese të reja, u rikthyen 71 familje në shtëpitë e tyre të uzurpuara dhe 51 familje në shtëpitë që u përkisnin por të cilat ishin djegur e rrënuar. Në veri u hapën edhe dega e Postës së Kosovës, zyrat komunale të Kadastrit, zyrat e Agjencisë për Punësim, Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agjencisë së Pyjeve e të Administratës Tatimore.
Veriu po lidhet me jugun edhe në rrugë tokësore, gjersa janë ndërtuar dy ura të reja për këmbësorë e automjete kurse e treta urë është në ndërtim e sipër. Shtrirja e sovranitetit në veri dhe prania e operimi i institucioneve shtetërore atje, bëri të mundur edhe zbulimin e varrezave masive të luftës së fundit dhe zbardhjen e krimeve e masakrave të regjimit gjenocidal të Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit. Në gërmimet e realizuara në tri lokacione në Jabukë dhe Kalludër të Zubin Potokut, u gjetën mbetje mortore të 23 qytetarëve tanë, që i përkasin grupit të njohur si Grupi i Intelektualëve të rrëmbyer dhe ekzekutuar më 19 prill 1999.
Siguria u ngrit dhe u zgjerua, e rrjedhimisht sundimi i ligjit mbizotëron. Për shembull përgjatë vitit të kaluar nuk u shënua asnjë rast i vrasjes apo grabitjes së rëndë atje. Republika është më e sigurt se asnjëherë më parë, e secili qytetar në veri të vendit tonë jeton i lirë, i mbrojtur nga shteti, dhe më larg influencës dhe kërcënimeve të grupeve kriminale serbe dhe Beogradit zyrtar. Në secilën prej këtyre arritjeve, i gjejmë gjurmët dhe kontributin e Rreshterit, Heroit tonë Afrim Bunjaku. Ai është dëshmi e vlerave dhe e rëndësisë së Policisë së Kosovës dhe e veshjes së uniformës së saj. Afrim Bunjaku është frymëzim dhe orientim për çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës. Ai është dëshmia sesi zyrtari publik e mbron shtetin e së drejtës dhe të drejtën e shtetit.
Lavdi heroit Afrim Bunjaku, dëshmorit të territorit dhe sovranitetit të pacenueshëm të Republikës së Kosovës!
Ju faleminderit!