Prishtinë, 15 tetor 2014
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përgëzon institucionet pergjegjëse të sigurisë për operacionin e sukseshëm për lirimin nga Siria dhe kthimin në familjen e tij të djaloshit 8 vjeçar Erion Zena.
Në muajin qershor 2014, ne ishim të informuar nga shërbimi ynë inteligjent së shtetasi kosovarë Arben Zena kishte udhëtuar në drejtim të Sirisë së bashku me djalin e tij të mitur 8 vjeçar, Erion Zena. Erioni ishte marrë në këtë udhëtim përkundër kundërshtimit që kishte shfaqur nëna e tij.
Për një kohë të gjatë, ky rast është përcjellë me shqetësim të madh nga ana e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Unë si kryeministër në bashkëveprim me presidentën menjëherë kemi autorizuar Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) që ta ketë prioritet ketë rast.
Si rrjedhojë e një punë serioze të vazhdueshme, ditë më parë AKI ka kërkuar aprovimin për të ndërmarrë një operacion për kthimin e tij të sigurt në Republikën e Kosovës. Në kuadër të pergjegjësive tona institucionale unë si kryeministër së bashku me presidentën, pas konsultimeve dhe analizës përkatëse kemi aprovuar fillimin e këtij operacioni të rrezikshëm dhe të komplikuar. Menjëherë pas aprovimit të kërkesës, AKI me sukses ka realizuar një operacion për lokalizimin, gjetjen dhe kthimin e sigurtë tek nëna e tij të të miturit Erion Zena.
Si kryeministër dua të shpreh mirënjohën time të lartë ndaj të gjithë atyre që kanë bërë të mundur kthimin e sigurtë në Kosovë të Erionit. Unë dhe gjithë qytetarët e Kosovës jemi krenarë me punën tuaj serioze të institucioneve pergjegjëse të sigurisë.
Në fund, si kryeministër edhe një herë iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të mos mashtrohen në asnjë mënyrë nga çfarëdo forme e indoktrinimit për t’iu bashkangjitur konflikteve apo luftërave jashtë Kosovës.
