Prishtinë, 31 mars 2010
Qeveria e Republikës së Kosovës me shqetësim të madh mori lajmin për aktin e shëmtuar të dëmtimit të varrezave të qytetarëve kosovarë, me përkatësi etnike serbe në qytetin e Lipjanit.
Qeveria e dënon fuqishëm këtë akt të rëndë dhe e cilëson atë si akt vandal dhe kriminal që synon të dëmtojë bashkëpunimin dhe bashkëjetesën mes komuniteteve në Kosovë.
Ky akt ka indinjuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe është i dënueshëm nga të gjitha institucionet e Kosovës. Çfarëdo qoftë motivi, ky është akt kriminal i drejtuar kundër angazhimeve dhe përkushtimeve pozitive të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Qeveria fton organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat që ky akt i rëndë të zbardhet dhe shkaktarët e tij të gjenden para drejtësisë dhe të marrin denimin e merituar.
Qeveria e Republikës së Kosovës rikonfirmon edhe njëherë të gjitha përkushtimet e saj për respektimin afirmativ të të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë, me theks të veçantë të komunitetit serb, të drejta këto të garantuara me Kushtetutën dhe me të gjitha Ligjet e Republikës së Kosovës.
Qeveria është e vendosur që pavarësisht veprimeve të tilla të ulëta, që nuk janë në traditën e qytetarëve tanë, të vazhojë me implementimin e plotë të angazhimeve të përbashkëta për thellimin e suksesit të Kosovës, si atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.
