Deklaratë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim


Image


Prishtinë, 16 nëntor 2012
 
Kam kënaqësinë të ju njoftoj se sot Kosova u bë anëtare fuqiplotë dhe e barabartë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ky lajm sapo mu transmetua në një bisedë telefonike që kam zhvilluar me Sir Suma Chakrabarti, president i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në BERZH është një lajm i shkëlqyer dhe shumë domethënës për Kosovën për disa arsye. Më lejoni të ju shtjelloj procesin dhe benefitet që shteti ynë do të ketë tash e tutje me këtë anëtarësi.

Së pari, duhet të dimë se kjo bankë e themeluar për t’i ndihmuar shtetet në tranzicion dhe që ka kapital vjetor investues prej gati 10 miliardë euro, është pronë e 63 shteteve dhe dy institucioneve. Pra 63 shtete kanë vota, ndërsa një votë e kanë edhe BE-ja dhe Banka Investive e BE-së.
 
Por, gati 30 shtete anëtare të kësaj banke nuk e kanë njohur Kosovën si shtet prandaj lobimi ynë i gjatë ishte që të fitojmë dy të tretat e votave për Republikën e Kosovës, që edhe ne të jemi anëtare e kësaj organizate që investon në shumë fusha të rëndësishme për Kosovën.
 
Tash e dy vite së bashku me partnerët tanë kemi zhvilluar një betejë të jashtëzakonshme që Republika e Kosovës të jetë anëtare fuqiplotë dhe përfituese e investimeve të BERZH. Tani ja arritëm. Është hera e parë që për anëtarësi të një shteti është votuar dhe nuk është përdorur çelësi koncensual. Për Kosovën kanë votuar një shumicë e madhe e anëtarëve dhe me këtë rast i falënderoj qeveritë e shteteve që kanë votuar për Republikën e Kosovës për dhe besimin që kanë shfaqur ndaj popullit dhe Qeverisë së Kosovës. Anëtarësia në BERZH është edhe një projektim zyrtar i besimit të demokracinë kosovare.
 
Ky anëtarësim ka qenë një sukses me të vërtetë i përbashkët, prandaj falënderoj edhe shtetet mike të Kosovës, që sidomos muajt e fundit kanë zhvilluar një fushatë pozitive për anëtarësinë e Republikës së Kosovës.
 
Pra, anëtarësia e Republikës së Kosovës është një fitore e madhe e identitetit shtetëror të Kosovës dhe çimentimit të Kosovës si pjesë e pashmangshme e relacioneve dhe organizatave ndërkombëtare.
 
Benefiti i dytë që do ta ketë Kosova me anëtarësimin në BERZH është ai ekonomik. Kjo bankë është investuese e madhe në shtete që përjetojnë tranzicion dhe investon në një gamë të gjerë. Bizneset private, bankat lokale, projektet publiko-private, por edhe komunat kanë të drejtë aplikimi për fonde dhe kredi të favorshme dhe përqindje të ultë interesi.
 
Kosova është e interesuar të ketë investime në tre fusha me rëndësi nacionale: bujqësi, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, si dhe në sektorin e energjetikës, përkatësisht projektet e Termocentralit “Kosova e Re” dhe Hidrocentralit të Zhurit. Inkurajoj bizneset kosovare që të zhvillojnë projekte të mira dhe të qëndrueshme dhe të përdorin anëtarësinë për rritjen e biznesit dhe vendeve të punës. Pritet që Kosova që në vitet e para të anëtarësisë të përfitojë investime me dhjetëra miliona euro, me kushte shumë të volitshme dhe në projekte konkrete.
 
Arsyeja e tretë e gëzimit tim dhe kabinetit tim për këtë lajm është edhe e ndërlidhur edhe me momentin politik në të cilin po kalojmë sot ne si shtet dhe si shoqëri. Sekretarja e Shtetit Zonja Hillary Clinton dhe Baronesha Ashton para disa javëve garantuan qytetarëve të Kosovës se dialogu dhe integrimet evropiane do të sjellin progres ekonomik dhe mirëqenie. Anëtarësia e Kosovës në BERZH është një dëshmi se procesi i normalizimit në Ballkan dhe njohjes së Kosovës si shtet ka marrë hov të pakthyeshëm dhe tashmë është etabluar si fakt historik. Ne kemi qëndruar besnik marrëveshjeve dhe bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, sepse kjo rrugë e partneritetit me SHBA, BE dhe NATO na ka sjell edhe lirinë dhe pavarësinë. Tash partneriteti i Kosovës me aleatët euro-atlantikë po na sjell edhe dividendat e radhës, përkatësisht forcimin e Kosovës si shtet. Ju ftoj të qëndrojmë të bashkuar edhe në hapat e mëtutjeshëm të integrimeve evropiane, dialogut me fqinjë dhe sukseseve të radhës deri tek anëtarësimi ynë në BE, NATO dhe OKB.
 
Kosova po përjeton një valë njohjesh dhe mirënjohjesh për sukseset që kemi arritur të gjithë së bashku me 5 vite pavarësie. Fjalë miradije po dërgohen Kosovës për të arriturat në këtë gjysmë dekade të shtetit tonë të njomë nga liderë botërorë. Ky është sukses yni i përbashkët.
 
Këtë nëntor po e festojmë 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë por kurrë nuk duhet harruar se në mungesë të aleatëve në Evropë, Kosova dhe shqiptarët përjetuan një shekull të keq dhe të hidhur me shumë pengesa për ta zhvilluar potencialin tonë. Sot Shqipëria, Kosova por edhe tërë Ballkani ka arsye për t’u bërë pjesë e BE-së që kurrë më mos të kthehet prapa fjalori i luftës dhe kërcënimet për jetë.
 
Sot kam urdhëruar krijimin e një komiteti ndër-ministror dhe trans-institucional të përbërë nga ministritë përkatëse që do të kujdeset që bizneset dhe projektet investuese ne Kosove të kenë informata te sakta dhe qarta për mënyrën e financimit të projekteve nga BERZH. Duhet të jemi të zotë të përdorim këtë instrument dhe anëtarësinë tonë për të krijuar vende të reja të punës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors