Prishtinë, 14 korrik 2009
Procesi i reformës së qeverisjes lokale, përfshirë themelimin e komunave të reja dhe zgjerimin e një komune, është duke shkuar përpara. Ky është një obligim kushtetues dhe gjithashtu një komponent i rëndësishëm në rrugën e Kosovës në drejtim të Integrimit Evropian.
Të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura për të sjellë këtë proces në përfundime të suksesshme, në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Presidenti dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës falënderojnë dhe mbështesin fuqishëm punën që ka bërë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në përmbushjen e këtyre obligimeve. Kjo punë është bërë në bashkëpunim të plotë me Zyrën Civile Ndërkombëtare.
Presidenti dhe Kryeministri mirëpresin emërimin nga Përfaqësusesi Civil Ndërkombëtar të Ekipit Përgatitor Komunal për Kllokot/Vërbovc dhe presin që Ekipet Përgatitore Komunale për komunat e reja të emërohen në kohën e duhur.
Puna e këtyre ekipeve është e natyrës teknike dhe ka për qëllim përgatitjen e themelimit të komunave të reja.
