Prishtinë, 23 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e betimit të 515 ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që u mbajt në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë.
Duke e vlerësuar këtë ditë të veçantë jo vetëm për ushtarët e rinj dhe familjet e tyre, por edhe për Republikën e Kosovës, kryeministri Kurti tha se kjo është gjenerata më e madhe ndonjëherë me 515 qytetarë që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut.
“Rrugëtimin tuaj sot e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj që liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë. UÇK-ja ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit tonë për të mos nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë. Flijimi i dëshmorëve e martirëve të kombit na obligon që ta ruajmë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare dhe të krenohemi më të kudo që jemi e ngado që shkojmë”, tha kryeministri.
Teksa theksoi se ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit, shtoi se për këtë arsye, rritja e forcimi i ushtrisë ka qenë dhe mbetet një prioritet i Qeverisë. Ai tha se gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë, ndërsa në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri.
“Kemi realizuar blerje të armatimit me vlerë mbi 430 milionë euro. Mbështetjen ajrore e kemi me dronat Bayraktar dhe SkyDagger ndërsa nga toka kemi mbi 40 lloje të armatimit të rëndë e të lehtë, modern e sipas standardëve të NATO-s. Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur. Synimi ynë është i qartë, t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë pjesë e NATO-s”.
Duke uruar ushtarët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryeministri Kurti u tha atyre se janë pjesë e brezit që duhet ta ruajë këtë liri që gëzojmë dhe ta forcojë shtetin që e garanton atë.
“Le të jetë emri i kryekomandantit legjendar Adem Jashari një kujtesë e përhershme e asaj se çfarë do të thotë të qëndrosh për atdheun. Le të jetë historia jonë një burim përgjegjësie, ndërsa e ardhmja jonë një zotim për punë, angazhim dhe zhvillim. Ky është atdheu ynë. Ky është shteti ynë. Liria është amaneti. Dhe mbrojtja e saj është tërësi funksionesh që i ndajmë bashkë, përgjegjësi zyrtare dhe qytetare e përbashkët”, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Kosovës,
I nderuari z. Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes,
I nderuari Komandant i Ushtrisë sonë, Gjenerallejtënant, Bashkim Jashari,
I nderuari Drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Petrit Ajeti,
Të nderuar pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Të nderuar oficerë, nënoficerë dhe ushtarë,
Partnerë të vendeve mike,
Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar deputetë, kolegë nga Qeveria dhe përfaqësues e drejtues të institucioneve shtetërore,
Të dashur ushtarë të rinj të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Sot, këtu në Kazermën “Adem Jashari”, në një vend ku emri i kryekomandantit simbolizon qëndresën shqiptare dhe sakrificën për liri, jemi mbledhur për të shënuar një ditë të veçantë për ju, për familjet tuaja dhe për Republikën e Kosovës.
Sot po betohen 515 ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njëherit gjenerata më e madhe që kemi pasur ndonjëherë; 515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut; 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit; 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes.
Të dashur ushtarë,
Rrugëtimin tuaj sot e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj që liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë. UÇK-ja ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit tonë për të mos u nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë. Flijimi i dëshmorëve e martirëve të kombit na obligon që ta ruajmë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare dhe të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë.
Nga Malet e Drenicës te kullat e Dukagjinit, nga Drini i Bardhë te Ibri e Sitnica, nga Llapi e Gollaku te Anamorava e Karadaku, nga lartësitë e Sharrit te thellësitë e minierave të Trepçës e te majat e Bjeshkëve të Rugovës, çdo krahinë e rajon, qytet e fshat, kodër e luginë, ruan kujtime të rezistencës dhe kryengritjes, të përpjekjeve për liri dhe të dashurisë për atdheun. Në këtë tokë, liria është histori familjesh, sakrificë brezash dhe përgjegjësi që trashëgohet.
Të nderuar të pranishëm,
Ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit. Zhvillimi i saj është obligim i yni për të ndërtuar institucione me mundësi dhe aftësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe ligjor. Për këtë arsye, rritja e forcimi i ushtrisë ka qenë dhe mbetet një prioritet i Qeverisë sonë.
Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë. Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri.
Kemi rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj, duke zgjeruar radhët e Forcës sonë dhe duke arritur më shumë se dyfishimin e saj në numër. Pas jush kemi edhe një gjeneratë tjetër që do të fillojë këtë vit trajnimin dhe, së bashku me ta, ne po i mbërrijmë kapacitetet ushtarake që janë paraparë të arrihen në vitin 2028. Pra, kemi përshpejtuar për dy vjet realizimin e objektivave tona strategjike.
Kemi realizuar blerje të armatimit me vlerë mbi 430 milionë euro. Mbështetjen ajrore e kemi me dronat Bayraktar dhe SkyDagger ndërsa nga toka kemi mbi 40 lloje të armatimit të rëndë e të lehtë, modern e sipas standardëve të NATO-s. Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur. Synimi ynë është i qartë, t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë pjesë e NATO-s.
Me misionet ndërkombëtare që kemi realizuar dhe po i realizojmë, me pjesëmarrje në Defender 21, 23 e 25, ushtria jonë sot është kontribuuese e paqes dhe sigurisë në botë.
Gjithashtu kemi avancuar në industrinë e mbrojtjes. Deri në fund të këtij viti do të fillojmë edhe prodhimin e municionit në fabrikën që po e ngrisim në Gjakovë, 100% vendore dhe po përkrahim sektorin privat që duan të prodhojnë produkte ushtarake. Këto investime janë pjesë e një vizioni më të gjerë, që Republika e Kosovës të ketë një forcë profesionale, bashkëkohore dhe të përgatitur për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë.
Por, të dashur të pranishëm,
Një shtet nuk matet vetëm me buxhetin që ndan për mbrojtjen. Ai matet edhe me përgjegjësinë për t’i shndërruar këto investime në siguri për qytetarët, në aftësi për ushtarët dhe në besim për të ardhmen. Pajisjet moderne janë të domosdoshme. Teknologjia është e rëndësishme. Armatimi është jetik. Kapacitetet operacionale janë thelbësore.
Megjithëkëto, në zemër të çdo ushtrie qëndron ushtari me zemër. Janë njerëzit ata që e kthejnë investimin në aftësi, përgatitjen në profesionalizëm dhe betimin në ndërgjegje.
Prandaj, investimi ynë nuk është vetëm në pajisje, armatim e municion. Është edhe në përgatitjen, edukimin, mirëqenien dhe zhvillimin profesional të ushtarëve tanë, e për këtë arsye kemi katërfish më shumë ushtarakë që janë trajnuar e shkolluar jashtë vendit.
Ne duam një ushtri që e respekton qytetarin, që vepron me profesionalizëm, që qëndron e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe që ndërton bashkëpunim të qëndrueshëm me aleatët tanë strategjikë amerikanë dhe evropianë.
Të dashur ushtarë të rinj,
Shërbimi ndaj atdheut kërkon më shumë se guxim. Kërkon disiplinë, karakter, maturi dhe besnikëri ndaj betimit tuaj.
Ju do të përfaqësoni Republikën në çdo detyrë, në cilëndo stërvitje dhe në secilin mision. Për këtë arsye, kërkoni gjithmonë më shumë nga vetja, mësoni vazhdimisht nga eprorët tuaj, qëndroni përherë pranë njëri-tjetrit dhe mos e harroni asnjëherë detyrën që ju është besuar.
Ne nuk e ndërtojmë ushtrinë kundër askujt. E ndërtojmë për Kosovën. Për paqen. Për sigurinë. Për lirinë. Për të drejtën e popullit tonë në shtetin e tij. E paqja dhe siguria, e drejta dhe liria, kërkojnë institucione të forta, gatishmëri për mbrojtje dhe vendosmëri për të mos lejuar që historia e dhimbshme të përsëritet. Çdo gur e çdo arë, çdo burim e çdo mal, çdo pëllëmbë e kësaj toke është pjesë e atdheut tonë dhe e amanetit që kemi për ta mbrojtur e për ta ruajtur.
Të nderuar familjarë,
Sot, kjo krenari ju takon juve dhe shtetit. Pas secilit prej këtyre ushtarëve qëndron një familje, një histori përkushtimi dhe një përkrahje që ka ndihmuar në formimin e tyre. Ju falënderoj që keni rritur dhe mbështetur të rinj e të reja që kanë zgjedhur t’i shërbejnë Republikës. Shteti ynë ka përgjegjësi të kujdeset për ata që mbajnë mbi supe përgjegjësinë e mbrojtjes së tij.
Të dashur ushtarë,
Mos harroni kurrë se pas uniformës suaj janë qytetarët e Kosovës, familjet e tyre, fëmijët që duan të rriten në paqe dhe një popull që e ka fituar lirinë me shumë mund e vuajtje.
Ju jeni pjesë e brezit që duhet ta ruajë këtë liri që gëzojmë dhe ta forcojë shtetin që e garanton atë.
Le të jetë emri i kryekomandantit legjendar Adem Jashari një kujtesë e përhershme e asaj se çfarë do të thotë të qëndrosh për atdheun. Le të jetë historia jonë një burim përgjegjësie, ndërsa e ardhmja jonë një zotim për punë, angazhim dhe zhvillim.
Ky është atdheu ynë. Ky është shteti ynë. Liria është amaneti. Dhe mbrojtja e saj është tërësi funksionesh që i ndajmë bashkë, përgjegjësi zyrtare dhe qytetare e përbashkët.
Urime diplomimin, ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës! Ju priftë e mbara në shërbim të Republikës!
Rroftë Forca e Sigurisë së Kosovës! Rroftë Republika dhe populli ynë!



















