Prishtinë, 24 qershor 2026
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar dhe të mediave,
Të dashur qytetarë,
Jam thellësisht i pikëlluar nga vdekja tragjike e tre të rinjve tanë në dy raste të ndryshme, ditëve të fundit. Motrat, Erza dhe Aulona Zubaku në një aksident rrugor në Gjermani dhe Valmir Morina në vendin e tij të punës në Prizren.
Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet, Zubaku nga komuna e Kamenicës dhe Morina nga komuna e Malishevës.
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Mirë se e gjejmë njëri tjetrin në mbledhjen e 25-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e para në të cilën po takohemi fizikisht pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Më lejoni të uroj qytetarët për procesin e rregullt, të lirë dhe demokratik zgjedhor.
Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë e ripërsëritur, para se ato të ndodhnin. Sido që të jetë, qytetarët folën sërish qartë. Rezultati duhet të pranohet e respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike, të angazhuara e të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, për siguri e mbrojtje, industri e prodhim, investime të mëdha infrastrukturore nga hekurudhat te digat, e jo vetëm.
Andaj, porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit, formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes.
Të dashur qytetarë,
Afër 27 vjet e gjysmë pas Masakrës së Reçakut, janë arrestuar pesë ish-pjesëtarë të policisë së Serbisë. Derisa në njërën anë përgëzojmë institucionet për arrestimin e të dyshuarve pas, siç u tha, një hetimi prej gjashtë muajsh, nuk mund të mos vëmë në spikamë faktin se deri në vitin 2020 askush nuk është marrë me këtë rast. Rrjedhimisht, nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjë nuk ishte për Masakrën e Reçakut.
Në njërën anë kemi arrestim pas gjashtë muajsh hetim, e në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada dështim apo kurrfarë përpjekjesh për ndjekje të përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi lidhur me këtë rast.
Derisa po i afrohemi tri dekadave të plota nga lufta e fundit, dëshmitarët po plaken e jo pak të tjerë edhe kanë vdekur, andaj është e domosdoshme që hetimet dhe gjykimet për krimet kryera gjatë luftës të marrin hov e ritëm të shtuar.
Si Qeveri e Republikës jemi gjithnjë të interesuar, të angazhuar dhe të përkushtuar të ndihmojmë në këtë drejtim.
Të dashur qytetarë,
Sot dua të uroj ditën e komunitetit Egjiptian, duke i falënderuar për kontributin e tyre të vazhdueshëm për shtetin tonë. Do jemi krah jush dhe pranë jush ashtu siç kemi qenë përherë. Urime!
Meqenëse në agjendë kemi 14 pika, por edhe aktivitete të tjera pas mbledhjes, ju ftoj të nisim shqyrtimin e tyre sipas renditjes.
Ju faleminderit.

