Prishtinë, 14 maj 2026
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar, të kryeministrisë dhe të mediave,
Të dashur qytetarë,
Teksa po përgatiteshim për mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, na erdhi lajmi që Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Skenderajt, njëherazi edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 Qershorit, Hysni Mehani u sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë, teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë.
Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm, që shpërfaqë mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet.
Nga kjo mbledhje u bëjmë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit e të drejtësisë që me urgjencë të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm.
Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritarë,
Të hënën dhe të martën, pra, më 11 dhe me 12 maj, si shtet partner dhe bashkë-organizatore e konferencës ndërkombëtare “Future Industry Minds” apo “Mendjet e Industrisë së Ardhshme” në Schloss Bensberg, të Gjermanisë, Republika e Kosovës ishte në qendër të vëmendjes të komunitetit të biznesit në Gjermani dhe jo vetëm.
Përveçse përfaqësim për shtetin, ky forum i mbajtur në landin Nordrehein Westfalen, që është i pari për nga popullsia dhe zhvillimi industrial në Republikën Federale të Gjermanisë, ofroi një mundësi të jashtëzakonshme për kompanitë tona nga sektori privat, që synojnë zgjerim në tregje e partneritete të reja për eksport shërbimesh e produktesh të tyre.
Në pritjet e ngrohta nga kryeministri i landit, Hendrik Wüst dhe përfaqësues të parlamentit atje, patëm diskutime miqësore dhe të frytshme për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe me theks bashkëpunimin ekonomik e tregtar, kulturor e arsimor, si dhe rolin e mërgatës sonë të dashur.
Më 3 maj, gjatë vizitës zyrtare që patëm në Jerevan zhvillova takim bilateral me Qeverinë e Republikës së Armenisë me kryeministrin, Nikol Pashinyan, të cilin e falënderova për pritjen dhe për diskutimin konstruktiv, si hap fillestar për avancimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Atje, krahas përfaqësimit të Republikës së Kosovës në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, pata një sërë takimesh me liderë shtetesh, por edhe të institucioneve euro-atlantike.
Të dashur qytetarë,
Kjo është mbledhja e parë fizike që prej kur si Qeveri na u shtua mbiemri në detyrë, pasi opozita zgjodhi ta përdorë kuorumin për zgjedhjen e presidentit si armë për të na e prerë mandatin që qytetarët na e dhanë me 51.1% të votave, para vetëm katër muajve e gjysmë.
Por, ne nuk do të ndalemi. Kemi vazhduar me punët e mira në përmbushje të zotimeve tona.
- Sot në mëngjes në Frashër të Mitrovicës vumë gurthemelin e Parkut Industrial.
- Në Ferizaj pamë nga afër punët që janë bërë në fazën e dytë të restaurimit të tërësishëm të kompleksit të Kishës Katolike, projekt që pritet të përmbyllet në fund të këtij muaji, pra në Maj 2026.
- Po në këtë qytet, vizituam edhe teatrin “Adriana”, punët për renovimin e të cilit kanë nisur muajin e kaluar.
- Dje, ndërkaq, ishim në Kalanë e Prizrenit ku do të investojmë afër 450 mijë euro për zhvendosjen e rezervuarit të ujit jashtë mureve të Kalasë, si projekt i sigurisë dhe mbrojtjes së këtij monumenti të trashëgimisë kulturore e historike.
- Në kryeqytetin kulturor e historik, po ashtu dje, përuruam investimet në efiçiencë të energjisë në tri ndërtesa shumë banesore të banimit social.
- Një investim të tillë e përuruam edhe javën e kaluar, në dy shkolla në komunën e Shtimes.
- Ndërkaq, nisëm punët për rindërtimin e rrugës Kijevë – Malishevë.
- Digjitalizuam regjistrimin e lindjes dhe vazhduam me modernizimin e pajisjeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
- Pastaj, Agjencia e Kosovës për Akreditim u njoh dhe pranua zyrtarisht nga Këshilli për Akreditimin e Arsimit të Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
- E, Republika e Kosovës në anën tjetër pranoi zyrtarisht Planin e Punës mbi Punësimin dhe Politikat Sociale, në kuadër të Ministerialit të Procesit të Berlinit.
- Nënshkruam marrëveshjen për bashkëpunim financiar ushtarak me Republikën e Turqisë.
- Nënshkruam edhe memorandumet për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit në Mitrovicë dhe atë për ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore islame në Republikën e Kosovës. Dhe, sot pikërisht në këtë mbledhje që e filluam tani, do të bëjmë edhe vendimin për financimin e rindërtimit të xhamisë së Ibrit, e cila siç e dini u pat djegur nga forcat armike serbe më 2 maj të vitit 1999-të, ndërkohë që është një objekt i trashëgimisë kulturore i vjetër 250 vjet.
Edhe shumë punë të tjera, të gjitha vetëm në dy javët e fundit. Sepse, Qeveria është në krye të detyrës dhe në kryerje të detyrave.
Të dashur qytetarë,
Serbia po vazhdon me metodat e saj të spastrimit etnik në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në njërën anë me mohim të drejtave, politika diskriminuese e përjashtuese ndaj shqiptarëve dhe në anën tjetër me bllokim të mbështetjes prej anës sonë.
Me pamundësimin e transferimit të mjeteve të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, fqinji ynë verior me sjellje abnormale po i lë rreth 3650 nxënës pa libra falas, më shumë se 750 studentë pa bursa, më shumë se 950 bujq pa mbështetje, sikurse edhe shkolla, organizata, media dhe mijëra qytetarë, në mesin e tyre rreth 90 fëmijë jetimë.
Këtë brengë serioze unë tashmë ia kam përcjellë shefes së Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, znj. Kaja Kallas, ndërkaq edhe sot përsërisim thirrjen që bashkësia ndërkombëtare të veprojë menjëherë.
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, sot rreth orës 1:30 të mëngjesit, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV Stan Tërg, është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça – Stan Tërg.
Ekipi i Trepçës, i përkrahur nga ekipi i KOSTT-it, është angazhuar menjëherë, maksimalisht për ta rikthyer furnizimin.
Në kohën kur është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, në minierë kanë qenë 47 minatorë, prej të cilëve përmes shkallëve emergjente nga ora 3:00 e mëngjesit deri në orën 8:00 të mëngjesit kanë dalur 29 prej tyre, ndërkaq pjesa tjetër, përveç atyre që janë në kujdestari, kanë dalur në ora 14:00 pasi ekipet teknike kanë bërë lidhje alternative emergjente për të rikyçur Linjën 35 kV nga Nënstacioni Trepça në Stantërg.
Të gjithë punëtorët- minatorët janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që shkaqet e avarisë te nënstacioni janë duke u hetuar nga organet kompetente.
Në rend dite të mbledhjes së sotme i kemi 19 pika, por para se të nisim me shqyrtimin e tyre një nga një fjalën e ka kërkuar ministri për Komunitete dhe Kthim, z. Nenad Rashiq.

