Prishtinë, 15 janar 2015
Kryeministri i Republikës Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar të enjten selinë qendrore të forcës paqeruajtëse të NATO-së, KFOR, në Prishtinë, ku është pritur nga komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo.
Kryeministri Mustafa e falënderoi Gjeneral Figliuolon për përkrahjen e vazhdueshme dhe kontributin e KFOR-it për progresin në Kosovë.
Kryeministri Mustafa po ashtu ka vlerësuar lartë rolin dhe profesionalizmin e trupave të KFOR-it për garantimin e një ambienti të sigurt në Kosovë dhe për krijimin kushteve për zhvillim ekonomik dhe social për qytetarët e saj.
Kryeministri Mustafa dhe Gjeneral Majori Figliuolo kanë biseduar edhe për zhvillimet në fushën e sigurisë si dhe aspekte të tjera të bashkëpunimit të mëtutjeshëm.
Në këtë takim, Figliuolo ka uruar Mustafën për marrjen e detyrës së Kryeministrit të Kosovës.
