Fjala e Kryeministrit Kurti në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome

Prishtinë, 5 nëntor 2026 / Prizren, 4 nëntor 2026

I nderuar kryetar i partisë Rome të Bashkuar të Kosovës dhe deputet i Kuvendit të Republikës, z. Albert Kinolli,
E nderuara nënkryetare e Kuvendit të Republikës, znj. Emilija Rexhepi,
I nderuari Sejnur Veshall, zëvendësministër i Sportit dhe Rinisë,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Fridon Lala, Artan Asllani, Bahrim Shabani dhe Fatma Thaçi,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Në thelb të çdo demokracie qëndron një parim moral. Njeriu dhe komuniteti nuk mund të reduktohen në shifra. Të drejtat nuk janë privilegje apo favorizime që ne duhet t’i kërkojmë, por janë të drejta që na përkasin e na takojnë. Kjo ide nuk është e re, as nuk po e them unë, por vjen që nga shekulli IV qysh para erës sonë. Faleasi i Kalcedonit trajtonte çështjet e pabarazisë dhe të drejtësisë shoqërore. Kjo dëshmon se barazia dhe drejtësia shoqërore kanë qenë ndër çështjet themelore të mendimit politik që nga lashtësia.

Gjuha është një nga themelet e kësaj barazie.

Gjuha rome nuk është vetëm një çështje e normave juridike dhe e të drejtave të garantuara në letër. Ajo është kauzë, është rezistencë dhe është akt i vazhdueshëm i ekzistencës. Sepse çdo gjuhë që lufton për të mbijetuar përballë harresës, margjinalizimit dhe heshtjes, shndërrohet në një formë të qëndresës kolektive. Mbrojtja e gjuhës rome është kërkesë për njohje institucionale sigurisht, por është edhe kërkesë për dinjitet, identitet dhe të drejtën për të qenë pjesë e historisë pa hequr dorë nga vetvetja.

Kosova e ka potencialin dhe përgjegjësinë që, përmes diversitetit të saj kulturor, të dëshmojë se bashkëjetesa nuk është vetëm prani e komuniteteve të ndryshme në të njëjtën hapësirë, por edhe njohje, respekt dhe promovim i ndërsjellë i trashëgimisë së tyre. Komuniteti rom në Prizren, përballë trysnisë së asimilimit ndër breza, ka krijuar vatra të rëndësishme kulturore, të mbështetura në një kauzë të qartë për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit rom.

Këto përpjekje nuk janë vetëm veprimtari kulturore. Ato janë forma të vetëdijes dhe të vazhdimësisë historike. Sepse lëvizjet kulturore kanë edhe dimension politik, kur mbrojnë një identitet, artikulojnë një kauzë dhe ndërtojnë një lidhje të qëndrueshme ndërmjet dashurisë për trashëgiminë dhe forcës për ta mbrojtur atë.

E njëjta dashuri dhe këmbëngulje kanë bërë të mundur që këngët e vjetra rome të mbijetojnë ndër breza. Edhe në periudha kur qasja në arsim dhe mundësitë për të shkruar e lexuar kanë qenë të kufizuara, këto këngë janë përcjellë gojarisht, nga një brez te tjetri. Përmes kësaj trashëgimie gojore, komuniteti rom ka ruajtur jo vetëm meloditë dhe fjalët, por edhe kujtesën, përvojat dhe botëkuptimin e tij.

Në këtë kontekst, rasti i antropologes britanike Amelia Abercrombie na kujton pasurinë kulturore që mbart vendi ynë, Kosova.

Mendoni për një çast. Një antropologe britanike vjen në Prizren, qëndron këtu për të studiuar komunitetin rom, mëson gjuhën rome dhe hulumton lidhjet ndërmjet gjuhës, identitetit, historisë dhe marrëdhënieve shoqërore. Më pas, këtë përvojë e shndërron në vepër akademike që e çon përvojën e komunitetit rom të Kosovës në hapësirën ndërkombëtare të dijes.

Gjatë qëndrimit të saj në Prizren, nga shtatori i vitit 2013 deri në mars të vitit 2015, Abercrombie zhvilloi hulumtime etnografike mbi komunitetin rom në Terzimahallë dhe veprimtarinë e organizatës joqeveritarë Durmish Aslano. Hulumtimi i saj u kurorëzua me librin Mixing and Unmixing Languages. Romani Multilingualism in Kosovo, botuar nga Routledge në vitin 2021. Ky është një shembull domethënës i vlerës që ka Kosova si hapësirë e studimit, e kujtesës dhe e trashëgimisë kulturore. Prizreni nuk është vendi vetëm ku thjeshtë kjo histori ka jetuar, por edhe vendi prej nga ajo mund të kuptohet dhe të ndahet me mbarë botën.

Romët ne i shohim si pjesë përbërëse të identitetit të përbashkët dhe si dëshmi të gjallë të multikulturalizmit të thellë që e ka formësuar shoqërinë tonë ndër shekuj. Gjuha rome dhe identiteti rom ruhen, sepse ruhen kujtesa, traditat, mënyra e të menduarit dhe trashëgimia shpirtërore e një populli.

Të nderuar të pranishëm,

Në këtë fjalim dëshiroj të theksoj se ruajtja e gjuhës rome nuk mund të mbetet vetëm një angazhim deklarativ, ajo kërkon veprime konkrete, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.

Në këtë drejtim, dëshiroj të ndaj me ju pesë angazhime konkrete:

  • Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, po punohet intensivisht për përfshirjen e historisë, kulturës dhe traditave të komunitetit rom në tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, si dhe në
  • Rishikimin e plan-programit për mësimin fakultativ të gjuhës rome dhe botimin e teksteve të reja shkollore në këtë gjuhë.
  • Në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, është duke u trajtuar dokumentacioni për përfshirjen e këngëve dhe valleve tradicionale rome në kuadër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore shpirtërore, me kërkesë të OJQ-së “Durmish Aslano”. Ky do të jetë një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe mbrojtjes institucionale të një trashëgimie që ka mbijetuar ndër shekuj.
  • Në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, synojmë të konsolidojmë mbështetjen për aktivitetet që kontribuojnë në mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës rome. Në këtë kuadër, mediat rome duhet të kenë mbështetjen e nevojshme institucionale, sepse ato nuk janë vetëm mjete informimi, por edhe hapësira kyçe për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës.
  • Në aspektin e mbështetjes arsimore, po vazhdon ndarja e bursave për studentët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, si një mundësi për fuqizimin e tyre akademik dhe profesional.

Në dimensionin ndërkombëtar, për herë të parë në kuadër të kësaj Qeverie, është kërkuar një angazhim i posaçëm nga zëvendësministri Sejnur Veshall për të zhvilluar dialogun, bashkëpunimin dhe për të ndërtuar diplomacinë rome me organizatat dhe përfaqësuesit romë në Evropë. Vizita në Berlin dhe konfirmimi i bashkëpunimit me ERIAC (Institutin Evropian për Artin dhe Kulturën Rome) përbëjnë një hap konkret në këtë drejtim.
Të dashur miq,

Në fund dua të ndajë me ju disa vargje nga poezia “Ura”, të cilën në njëfarë mënyre e përmbledhin edhe atë që dëshirova të përcjellë përmes këtij fjalimi, sepse ashtu si ura, e cila nuk shërben vetëm për t’i lidhur dy brigje të lumit, por edhe për të ofruar botë të tëra për të bartur kujtesë dhe për të kapërcyer largësi. E ju e dini që Qeveria jonë, Qeveria juaj, është qeveri e urave. Po. Atyre që kemi ndërtuar në Mitrovicë e gjetiu, por edhe e urave shpirtërore, kulturore, arsimore, ekonomike, tregtare e kështu me radhë. Dhe po i lexoj vetëm dy rreshta të kësaj poezie, që ndoshta flasin më shumë edhe se fjalimi im.

“Ti je ura jeme,
Nga ballkoni i hënës deri tek dritaret e diellit”.

Sejnur Veshall.

Bahtalo Romalen! Gëzuar!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors