Prishtinë, 29 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pranuan 12 kamionë ushtarakë UNIMOG 5T, 4×4, të blerë për nevojat e FSK-së.
Në ceremoninë ku morën pjesë edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Rainer Rudolph dhe shefi i shitjes në Daimler Truck Defence and Mercedes – Benz Special Trucks, Daniel Zittel, Kryeministri Kurti tha se këta kamionë ushtarakë iu shtuan sot flotës prej 15 kamionëve Rheinmetall.
“Ditë më parë kanë arritur edhe 8 kamionë të tjerë KX 8×8 të blerë nga Rheinmetall. Me këto prurje të reja, numri i kamionëve të këtyre dy kategorive të pranuar deri më tani arrin në 35 automjete. Dhjetëra kamionë të tjerë Unimog dhe Rheinmetall janë blerë dhe do të vijnë në vitin 2027”, tha kryeministri Kurti.
Kamionët UNIMOG 5T janë të projektuar për të ofruar lëvizshmëri në terrene të vështira, përfshirë rrugët e paasfaltuara dhe zonat malore, kurse kamionët Rheinmetall me konfigurim 8×8 shtojnë kapacitetet transportuese të FSK-së dhe kontribuojnë në forcimin e mbështetjes logjistike.
Kryeministri shtoi se “një forcë moderne nuk ndërtohet vetëm përmes armatimit dhe pajisjeve luftarake, por edhe përmes kapaciteteve që i mundësojnë asaj të lëvizë, të furnizohet dhe të veprojë në mënyrë efikase”.
Këto investime janë pjesë e angazhimit të Qeverisë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Republikës së Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe me synimin për të garantuar sigurinë e vendit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Të premten e kaluar u betuan 515 rekrutë të rinj, në fillim të kësaj jave filluan trajnimin edhe 209 rekrutë të tjerë, ndërsa këtë javë po e mbyllim me pranimin e 12 kamionëve.













