Zatriq, Rahovec, 10 shtator 2026
Kjo video e shkurtër por shumë e fuqishme tregoi se sa shumë punë e angazhim është bërë që të vijmë deri te kjo ditë. Urime edhe njëherë të gjithëve.
E nderuara Ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,
I nderuari Kryetar i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi,
E nderuara Ambasadore e Zvicrës në Kosovë znj. Anne-Lise Cattin Hennin,
E nderuara e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Turqisë në Kosovë znj. Seyda Cimeli Aydin,
Të nderuar partnerë nga kompania Çalık, z. Ahmet Çalık, z. Nihat Özdemir,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Këtu në Zatriq sot po shënojmë një hap të rëndësishëm për të ardhmen energjetike të Republikës së Kosovës, një të ardhme në të cilën energjia prodhohet gjithnjë e më shumë nga burime të pastra, ndërkaq sistemi ynë energjetik bëhet më i sigurt, më i qëndrueshëm dhe më i diversifikuar.
Kosova ka potencial të madh për energji të ripërtëritshme. Prandaj, si Qeveri e Republikës së Kosovës kemi ndërmarrë hapa konkretë përmes investimeve të mençura dhe në interes të qytetarëve, por edhe për gjeneratat që vijnë pas nesh.
Parku i Erës në Zatriq është një investim ndërkombëtar prej rreth 106 milionë eurosh, i cili do të mundësojë prodhimin vjetor të rreth 185 gigavat-orëve energji të pastër dhe të mbulojë nevojat vjetore për energji të rreth 45 mijë familjeve.
Ky park është veçanërisht i rëndësishëm edhe për sigurinë tonë energjetike. Çdo megavat orë i energjisë së pastër që prodhohet këtu është një hap drejt një Kosove më pak të varur nga burimet e kufizuara dhe më të ekspozuara ndaj krizave të jashtme të energjisë.
Prandaj, diversifikimi i burimeve tona të energjisë është çështje e politikës energjetike, e sigurisë sonë kombëtare dhe e qëndrueshmërisë së ekonomisë sonë.
Për ti arritur caqet tona, po përkrahim investimet e sektorit publik dhe të sektorit privat në kapacitete të reja gjeneruese dhe magazinuese. Disa javë më parë, ne ishim jo fort larg Zatriqit, por sërish këtu në Komunën e Rahovecit, përkatësisht në Kramovik, për të shënuar fillimin e ndërtimit të parkut diellor me kapacitet 105 megavatë, që është rezultat i ankandit të zhvilluar nga Ministria e Ekonomisë. Ndërsa në Kramovik vazhdojnë punimet, këtu në Zatriq po kremtojmë fillimin e punës së Parkut të Erës.
Me 12 turbina, secila me kapacitet fuqie prej 6.1 megavatë, ky park përfaqëson një investim të rëndësishëm në teknologji moderne dhe në kapacitetet tona të reja energjetike. Parku lidhet me rrjet përmes linjës ndërmjet Nënstacionit të Rahovecit dhe Nënstacionit të Zatriqit, duke e integruar lehtësisht energjinë e re në sistemin tonë.
Projekti është dëshmi se kur institucionet publike, investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë punojnë së bashku, mund të realizojmë projekte të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në vendin tonë.
Prandaj, sot dua të shpreh mirënjohjen time për kompaninë EV Wind Park, për partnerët Çalık Renewables dhe Eurokos Holding, si dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në zhvillimin dhe realizimin e këtij projekti.
Falënderoj gjithashtu edhe partnerët ndërkombëtarë financiarë për mbështetjen e tyre, si dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe ekipet profesionale, të cilët kanë punuar që ky projekt të bëhet realitet.
Sot, me këtë park të erës, po shtojmë një tjetër gur në themelet e një të ardhmeje energjetike më të pastër, më të sigurt dhe më të qëndrueshme në Kosovë. Por, ky nuk do të jetë rasti i fundit për kremtim. Ne do të takohemi së shpejti në përmbylljen e ankandit të erës që po e zhvillon Ministria e Ekonomisë për një park tjetër madhor dhe përgjatë vargut të investimeve të mëdha dhe të gjithmbarshme në sektorin e energjisë të Republikës sonë.
Ju faleminderit shumë!
Thank you very much!
Çok teşekkür ederim!