Përurohen investimet në efiçiencë të energjisë në shkollën “28 Nëntori” në Viti

Viti, 2 shtator 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, morën pjesë në përurimin e investimeve të kryera në efiçiencë të energjisë në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “28 Nëntori”, në komunën e Vitisë.

Krahas kursimit të energjisë, kryeministri Kurti tha se me këtë investim në vlerë rreth 118 mijë euro do të mundësohen kushte më të mira dhe më të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Kjo është një prej pesë objekteve të rinovuara në Viti, në kuadër të Marrëveshjes së Qeverisë me komunat dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Në gjithë skemën, Qeveria po investon 3.8 milionë euro për rinovimin energjetik të 13 objekteve publike në katër komuna: në Viti, në Podujevë, në Lipjan dhe në Shtime, e këto 13 objekte, po iu shtohen 125 objekteve të rinovuara më herët në 21 komuna”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti ofroi mbështetje të pakursyer për mësimdhënësit dhe nxënësit për kushte më të mira, por edhe arsimim cilësor, ndërsa i uroi sërish për vitin e ri shkollor.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit në detyrë Kurti:

Jemi këtu para shkollës “28 Nëntori “ në komunën e Vitisë, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pastaj me drejtorin e shkollës, Sherif Nezirin, me zyrtarin e DKA-së të Vitisë, Xhevdet Llullecin dhe me drejtoren e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxhën, me rastin e instalimit të masave të efiçiencës së energjisë në këtë shkollë, e cila e kursen energjinë, e mban ajrin e pastër, por gjithashtu edhe të ngrohtë gjatë dimrit kur ka mot me acar, dhe njëkohësisht e mban të freskët atëherë kur e kemi vapën e verës.

Mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle dhe jo vetëm, do ta kenë mbështetjen e pakursyer e Qeverisë së Republikës së Kosovës për efiçiencë të energjisë, por gjithashtu edhe për arsimim cilësor.

Për efiçiencë të energjisë në këtë shkollë kemi investuar rreth 118 mijë euro. Ideja është që temperatura, ndriçimi, ajri, pastaj dritaret, kaldaja, që të gjitha këto të përbëjnë një sistem, që mundëson kushte sa më të dinjitetshme e të përshtatshme edhe për mësimdhënësit që punojnë, por edhe për nxënësit që mësojnë.

Kjo është krahas subvencionimit të teksteve dhe materialeve mësimore, për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën dhe krahas shtesave për fëmijë për rreth 400 mijë fëmijë në Republikën tonë.

Jemi të vendosur që të ndërtojmë një rrugë sa më të plotë nga shkolla deri te studimet dhe punësimi. E dini që arsimi i lartë është pa pagesë tash në Kosovë, ndërkaq në fokus i kemi pasur studentët. Rreth 18 mijë studentë gjatë pesëvjeçarit të kaluar kanë marrë bursa, me ç‘rast më shumë se gjysma e këtyre bursave apo rreth 9600 sosh, janë bursa elitare për studentë me notë mesatare mbi 9.0, ndërsa rreth 7300 bursa janë për studentë në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës apo rreth 40 për qind të bursave në përgjithësi.

Nëpër shkolla po e zhvillojmë edhe programin “Arti në shkolla dhe sporti në shkolla”, sepse nuk duhet t’i përgatisim nxënësit vetëm për të dhënë një provim, por ta zhvillojnë dijen, talentin, mendimin kritik, por edhe shëndetin e vetëbesimin.

Kjo është një prej pesë objekteve të rinovuara në Viti, në kuadër të Marrëveshjes së Qeverisë me komunat dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Në gjithë skemën, Qeveria po investon 3.8 milionë euro për rinovimin energjetik të 13 objekteve publike në katër komuna: në Viti, në Podujevë, në Lipjan dhe në Shtime, e këto 13 objekte, po iu shtohen 125 objekteve të rinovuara më herët në 21 komuna.

Tash, u thamë edhe nxënësve edhe mësimdhënësve edhe drejtorit të nderuar, që do të na kenë përherë pranë për t’i përkrahur, por pas rinovimit të ndërtesës tash, edhe ruajtja e saj varet nga ju të gjithë, po edhe nga ne të gjithë.

Kursimi i energjisë fillon me izolimin e mirë, por vazhdon me kujdesin e përditshëm.

Drejtorit të shkollës, mësimdhënësve, Drejtorisë Komunale të Arsimit këtu në Viti dhe të gjithë nxënësve e prindërve të tyre, iu urojmë një vit të mbarë shkollor me shëndet, dije dhe shumë suksese.

Ju faleminderit për mikpritjen dhe e gëzofshi!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors