Prishtinë, 10 korrik 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në kuadër të konsultimeve me partitë politike për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 Qershorit.
Pas takimit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Kurti tha se diskutimet u zhvilluan në një atmosferë konstruktive dhe u përqendruan në aktualitetet politike, dinamikat institucionale dhe orarin përpara, sa i përket konstituimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të.
“Ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur të cilën do të mund ta ndanim me ju, së bashku, këtu. Unë jam optimist për rrugën përpara. Jam me shpresë që racionaliteti i cili po mbizotëron do të vazhdojë të ekzistojë në këto takime. Prandaj po theksoj se është takimi i parë, meqë do të ketë edhe takime të tjera. Në njërën anë diskutojmë koncepte e parime dhe në anën tjetër, gjithashtu, edhe orare dhe funksione. Prandaj është një ndërmarrje e madhe, e gjerë, e cila kërkon besim e mirëbesim dhe e cila kërkon kohë për realizim”, tha ai.
Kryeministri ritheksoi se është i interesuar për marrëveshje politike për president konsensual.
Në kuadër të konsultimeve, në mëngjes kryeministri në detyrë Kurti takoi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
