Prishtinë, 2 korrik 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, pritën sotdelegatë, përkatësisht deputetë të Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës e cila e ka miratuar Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.
Në fjalën hyrëse kryeministri Kurti tha se Deklarata Kushtetuese ishte shprehje e lirisë, por edhe e barazisë, ishte shprehje e vullnetit të popullit kundër diskriminimit e nënpërfaqësimit. Duke përmendur edhe Kushtetutën e 7 Shtatorit në Kaçanik, ai theksoi se “këto dy akte politike, të cilat e përplotësuan njëra-tjetrën, ishin shpallje deklarative politike, por edhe shpallje normuese e juridike të Kosovës republikë, si një vullnet politik gjithëpopullor e i kamotshëm, i cili deri atëherë ishte qarkulluar masivisht, por vetëm si një parullë”.
“Më 2 korrik 1990, vullneti legjitim politik i shqiptarëve triumfoi mbi dhunën, shtypjen dhe diskriminimin politik të Serbisë ndaj tyre. Republika e Kosovës, e shpallur në vitin 1990, ishte e para republikë e Kosovës, e cila rezultoi të ishte republikë për rezistencë, njëherë për qëndresë paqësore e mandej edhe për luftë çlirimtare”, tha kryeministri.
Duke iu drejtuar delegatëve të pranishëm, kryeministri në detyrë Kurti tha se takimi në përvjetorin e 36-të të Deklaratës është falënderim e mirënjohje ndaj tyre dhe përpjekje për të kultivuar një traditë institucionale të njohjes së vlerave, kontributeve dhe historisë.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
Të nderuar delegatë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës, e cila e ka miratuar Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.
E nderuara Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës, znj.Albulena Haxhiu,
E nderuara Zëvendëskryeministre në detyrë dhe Ministre e Drejtësisë, znj.Donika Gërvalla,
Jam shumë i nderuar që këtë mëngjes, pra sot më 2 korrik 2026, në detyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, t’ju mirëpresim bashkë sot dhe këtu.
Ju faleminderit që keni marrë mundin dhe keni bërë rrugën të vini, për ta shënuar dhe përkujtuar Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990.
36 vite më parë, në një datë sikur e sotmja, pra më 2 korrik, në kushte të jashtëzakonshme, ju dhe delegatë të tjerë, disa nga të cilët prej atëherë kanë vdekur ndër vite dhe të tjerë që nuk kanë arritur të jenë me neve sot këtu, e miratuan një deklaratë kushtetuese me të cilën e shpallën Kosovën njësi të barabartë në Jugosllavi. Pra, Deklarata Kushtetuese ishte shprehje e lirisë, por edhe e barazisë, ishte shprehje e vullnetit të popullit kundër diskriminimit e nënpërfaqësimit.
Dy muaj më pas, më 7 shtator 1990, shumica e këtyre delegatëve, arritën të marrin pjesë në një mbledhje të organizuar në fshehtësi në shtëpinë e kulturës në Kaçanik, ku u miratua Kushtetuta e Kosovës dhe u shpall Kosova republikë.
Këto dy akte politike, të cilat e përplotësuan njëra-tjetrën, ishin shpallje deklarative politike, por edhe shpallje normuese e juridike të Kosovës republikë, si një vullnet politik gjithëpopullor e i kamotshëm, i cili deri atëherë ishte qarkulluar masivisht, por vetëm si një parullë.
Deklarata e 2 Korrikut 1990, në Prishtinë, e pasuar nga Kushtetuta e 7 shtatorit në Kaçanik, erdhën një vit e gjysmë pasi Jugosllavia e dominuar nga Serbia e udhëhequr nga Millosheviqi, ia suprimoi autonominë Kosovës si njësi konstituive, që ishte në kuadër të federatës jugosllave.
Në vitet 1989, ‘90 dhe ‘91, të gjithë e mbajmë mend, që jemi më të moshuar, se si Serbia po ia shtrëngonte lakun në fyt shqiptarëve jo vetëm në Kosovë, duke ua marrë statusin e autonomisë, duke i përjashtuar nga administrata, institucionet publike dhe vendet e punës; duke i dëbuar shqiptarët nga fabrikat dhe universiteti e duke i mbyllur me mijëra shkolla të mesme, por diku edhe fillore. Gjithashtu, të gjitha këto ishin në kuadër të një plani, nuk ishin thjesht aksion; ishin zbatim i një plani për aparteid në Kosovë, ku mënyra se si sillej shteti me qytetarët, varej prej përkatësisë etnike të tyre. Ato vite, në përpjekje për krijimin e Serbisë së Madhe, shteti i Serbisë i nisi katër luftëra në Jugosllavi: luftës në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Më 2 korrik 1990, vullneti legjitim politik i shqiptarëve triumfoi mbi dhunën, shtypjen dhe diskriminimin politik të Serbisë ndaj tyre.
Republika e Kosovës, e shpallur në vitin 1990, ishte e para republikë e Kosovës, e cila rezultoi të ishte republikë për rezistencë, njëherë për qëndresë paqësore e mandej edhe për luftë çlirimtare.
Është interesant janë dy koncepte në atë deklaratë, që duhet të shërbejnë për studiues sot e edhe në të ardhmen; është vetëvendosja politike dhe principet e demokracisë autentike. Pra, edhe vetëvendosja politike edhe demokracia autentike janë dy togfjalësh signifikant, të cilët ndodhen në atë Deklaratë Kushtetuese, që përbëjnë nocione tejet të vlefshme për qëmtime të mëtutjeshme të profesorëve e të studentëve të teorive e shkencave politike, të marrëdhënieve ndërkombëtare, të Fakultetit Juridik e të akademisë në përgjithësi.
Një mbledhje 12 minutëshe në oborrin e Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990, iu hap rruga një Republike të Kosovës, e cila arriti përfundimisht të çlirohej nga Serbia në qershor të vitit 1999.
Formalisht, paraprakisht, atë e njohu vetëm Republika e Shqipërisë, por realisht, ajo u njoh dhe u zhvillua nga qytetarët e saj, të cilët kontribuan masivisht në ngritjen e institucioneve të saj, falë një solidariteti gjithëpopullor dhe rezistence civile të pashembullt në historinë politike të Evropës.
18 vite pas Republikës së vitit 1990, më 17 shkurt të vitit 2008, 109 deputetë të zgjedhur të Kuvendit ë Kosovës, si përfaqësues të popullit, e shpallën Kosovën Republikë, shtet të pavarur, sovran e demokratik, të tillë çfarë po përpiqemi ta ndërtojmë në vijim së bashku çdo ditë, të zhvilluar e me mirëqenie drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Pa Republikën e parë të Kosovës, atë të 1990-ës dhe dekadës pasuese, nuk do ta bënim dot as Republikën e Kosovës si shtet i pavarur të vitit 2008, shtëpinë shtetërore të qenies politike sot.
Pra, ne i takojmë një brezi të politikanëve, që është tejet i ndërgjegjshëm e i vetëdijshëm, se asgjë s’ka filluar me neve, por edhe asgjë s’përfundon me neve. Gjithmonë ka qenë dikush përpara, i cili e ka trasuar rrugën, i cili ka punuar, është angazhuar, sakrifikuar, në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë.
Asnjëri prej nesh nuk është përgjegjës për Kosovën, popullin dhe kombin mbarë, por edhe botën në përgjithësi, të tillë çfarë e kemi gjetur, por secili prej nesh ka përgjegjësi, varësisht nga funksioni e detyra, varësisht nga dija, aftësitë e mundësitë, që brezit të ardhshëm t’ia lë më mirë, më drejt, më përshtatshëm seç e kemi gjetur brezi ynë.
Prandaj, edhe ky takim që kemi thirrur sot, është pikërisht në funksion të kësaj: Falënderim dhe mirënjohje për gjithë atë kontribut që keni bërë e që na e ka mundësuar neve të ecim pak më lehtë e pak më shpejt seç do të ishte rasti kur ju të mos e kishit bërë atë angazhim dhe sakrificë.
Historia politike moderne e Kosovës, ka shtresat e saj të trashëgimisë, në palët e të cilave, ju keni vendosur kontributet tuaja si përfaqësues të popullit të këtij vendi.
E ky takimi pra është falënderim e mirënjohje për brezin tuaj të politikanëve, si dhe njëkohësisht përpjekje për t’u kultivuar një traditë institucionale të njohjes së vlerave, kontributeve dhe vet historisë së gjeneratës suaj.
Në çdo 2 korrik, sa herë që e kujtojmë 2 Korrikun e vitit 1990, ne mësojmë ngjarje dhe detaje të reja për atë mbledhje, për rrethanat dhe kontekstin më të gjerë të kohës.
Sot që jemi mbledhur me juve si protagonistë të asaj kohe, të asaj ngjarjeje dhe besoj që do ta gjejmë fillin e një bisede të lirë mes nesh, duke e kujtuar vitin 1990 dhe zhvillimet e kohës, e ta nderojmë atë kapitull aq të rëndësishëm të asaj periudhe fort vendimtare në historinë tonë më të re.
Andaj, të nderuar deputetë të dikurshëm të Kosovës, fjala është për juve të na flisni për ngjarjet, që çuan te Deklarata e 2 Korrikut dhe ato që e pasuan atë.
Ju uroj diskutime të frytshme sot dhe shumë shëndet e mbarësi në të ardhmen të gjithëve, secilës e secilit prej jush.


























