Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në edicionin e 8-të të festivalit “Mitrovica Guitar Days”

Mitrovicë, 14 qershor 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Edicionin e 8-të të festivalit “Mitrovica Guitar Days”, i cili po mbahet në Mitrovicë dhe mbledh artistë dhe kitaristë të njohur ndërkombëtarë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri në detyrë Kurti tha se festivali Mitrovica Guitar Days, tashmë është shndërruar në një pikë të rëndësishme takimi për artistë, studentë dhe adhurues të muzikës nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.

“Festivali nuk ishte vetëm një seri koncertesh. Ai është një investim në edukimin estetik, në zhvillimin e të rinjve dhe në promovimin e Kosovës si një vend i cili e vlerëson kulturën, talentin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Çdo student i cili mori pjesë në masterklasa, çdo garues që u ngjit në skenë dhe çdo i ri i cili u frymëzua nga këto ditë muzike, është pjesë e suksesit të këtij festival”, u shpreh kryeministri në detyrë Kurti.

Kryeministri vlerësoi se Kosova ka nevojë për më shumë ngjarje të këtilla, sepse kultura dhe arti siç tha si janë ndër ambasadorët tanë më të mirë.

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

Të nderuar organizatorë të Mitrovica Guitar Days, Erhan Mujka dhe Anisa Suhodolli,
I nderuari ambasador i Malit të Zi në Kosovë, z. Bernard Çobaj,
Të dashur qytetarë e banorë të Mitrovicës,
Të dashur artdashës,
Zonja dhe zotërinj,

Sot po mbyllim edhe një edicion të suksesshëm të festivalit Mitrovica Guitar Days, një ngjarje që tashmë është shndërruar në një pikë të rëndësishme takimi për artistë, studentë dhe adhurues të muzikës nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.

Gjatë këtyre ditëve, Mitrovica ka qenë shtëpi e talentit, e kreativitetit dhe e shkëmbimit kulturor. Përmes tingujve të kitarës, artistë nga Italia, Sllovenia, Turqia, Mali i Zi, Kosova dhe vende të tjera kanë dëshmuar se arti është një gjuhë universale që na bashkon përtej kufijve dhe dallimeve.

Dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për organizatorët, pedagogët, anëtarët e jurisë, vullnetarët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar që ky festival të zhvillohet me standarde të larta artistike dhe profesionale. Një falënderim i veçantë shkon edhe për artistët e ftuar, të cilët ndanë me neve jo vetëm performancat e tyre të jashtëzakonshme, por edhe përvojën dhe njohuritë e tyre me brezin e ri të muzikantëve.

Festivali nuk ishte vetëm një seri koncertesh. Ai është një investim në edukimin estetik, në zhvillimin e të rinjve dhe në promovimin e Kosovës si një vend i cili e vlerëson kulturën, talentin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Çdo student i cili mori pjesë në masterklasa, çdo garues që u ngjit në skenë dhe çdo i ri i cili u frymëzua nga këto ditë muzike, është pjesë e suksesit të këtij festivali.

Kosova ka nevojë për më shumë ngjarje të këtilla, sepse kultura dhe arti janë ndër ambasadorët tanë më të mirë. Përmes tyre ne ndërtojmë ura ndërveprimi, krijojmë miqësi të reja dhe prezantojmë para botës potencialin krijues të vendit tonë.

E sonte, ndërsa e përmbyllim këtë edicion, ne nuk po i japim fund vetëm këtij festivali. Ne po vendosim themelet për edicionet e ardhshme, me bindjen se ‘Ditët e Kitarës në Mitrovicë’ do të vazhdojnë të rriten dhe të forcojë pozitën e saj në hartën kulturore evropiane.

Urime të gjithë fituesve të garave, urime organizatorëve për punën e shkëlqyeshme dhe faleminderit të gjithë pjesëmarrësve që e bëtë këtë festival një sukses të vërtetë.

Ju uroj rrugë të mbarë mysafirëve tanë ndërkombëtarë dhe mezi presim që t’ju mirëpresim përsëri në Kosovë.

Faleminderit dhe shihemi në edicionin e ardhshëm të “Mitrovica Guitar Days”.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors