Vendoset gurthemeli i Parkut Industrial në Frashër të Mitrovicës

Mitrovicë, 14 maj 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Faton Peci, mori pjesë në vënien e gurthemelit të Parkut Industrial në fshatin Frashër.

Kryeministri në detyrë Kurti tha se në këtë park industrial do të mund të vendosen bizneset e ndryshme nga Mitrovica dhe mbarë Kosova, por edhe investitorë të huaj, ashtu që të rritet prodhimtaria e të shtohet punësimi.

Teksa ftoi edhe bizneset nga mërgata që të investojnë, ai tha se sa më shumë që bizneset prodhojnë, aq më shumë krijohen kushtet për rritje të eksporteve dhe për zëvendësim të importeve, për përmirësim të bilancit tregtar dhe për progres të gjithmbarshëm socio-ekonomik.

Vlera e investimit është afër 1 milion euro, ndërsa punimet për ndërtimin e Parkut Industrial parashihet të zgjasin 150 ditë.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

Jemi këtu bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, znj.Mimoza Kusari Lila dhe me nikoqirin në Mitrovicë, kryetarin e komunës, Faton Pecin dhe me kolegë të tjerë nga Qeveria e Republikës dhe Komuna e Mitrovicës, në Frashër të Mitrovicës, ku do të ketë një park industrial tejet të nevojshëm dhe të dobishëm për bizneset prodhuese, jo vetëm nga Mitrovica.

Në këtë mënyrë, ne po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që ia kemi Mitrovicës, e cila i dha aq shumë zhvillim e kulturë jo vetëm Kosovës, por edhe mbarë kombit shqiptar dhe, tash ne po ia kthejmë këtë me një investim këtu në Frashër në shumën e gjithmbarshme prej afër 1 milion euro për këtë park industrial, në të cilin do të mund të vendosen bizneset e ndryshme nga Mitrovica, nga Kosova, por edhe investitorë të huaj, ashtu që të rritet prodhimtaria e të shtohet punësimi. Sa më shumë që bizneset prodhojnë, aq më shumë krijohen kushtet për rritje të eksporteve dhe për zëvendësim të importeve, për përmirësim të bilancit tregtar dhe për progres të gjithmbarshëm socio-ekonomik.

Në tri vitet në vijim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të investojë mbi 30 milionë euro për 14 parqe industriale anembanë Kosovës, sepse dëshirojmë që infrastruktura për bizneset që prodhojnë e punësojnë, të jetë sa më moderne.

Këtu në Frashër, punimet tashmë kanë nisur dhe po ndërtohet infrastruktura bazike e pas kësaj infrastrukture themelore do të kemi edhe infrastrukturën tjetër, e cila e modernizon parkun industrial dhe e bën atraktiv për bizneset.

Natyrisht që këtu do të mund të vijnë edhe bizneset nga mërgata, ku e dimë që bashkatdhetarët nga Mitrovica janë anembanë Evropës dhe jo vetëm, e në veçanti e dimë që janë në Gjermani, në Londër, e në Suedi, dhe ata nuk do të mund të vijnë tash në Mitrovicë vetëm te familjet e tyre, por do të duhet ta konsiderojnë që edhe ndërmarrësinë e profesionin që e ushtrojnë në Perëndim, të mund ta sjellin së paku pjesërisht edhe në vendlindjen e tyre të dashur, të cilës i mungojnë ata dhe, e cila dëshiron që ata të kthehen e të zhvillohen si individë e si familje edhe këtu në Mitrovicë.

Në rajonin e Mitrovicës, ju e dini që e kemi edhe Ibrin edhe Trepçën. Mitrovica ka qenë kryeqendër e industrializimit të Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XX, prandaj edhe këtë park industrial duhet ta shohim si një hap të ri në shekullin XXI për atë qysh e kemi njohur Mitrovicën ngaherë, pra vatër e teknologjisë, e industrisë dhe e zhvillimit, e cila i tejkalon suazat jo vetëm të kësaj komune, por edhe të Republikës së Kosovës.

Falënderoj edhe operatorin ekonomik, i cili po punon me dinamikë të shtuar dhe këtu, siç e shihni, në këtë tabelë, plani parasheh që brenda 150 ditëve të përmbyllen punimet, pra për vetëm 5 muaj, që do të thotë patjetër sivjet, do të vijmë sërish që ta prejmë shiritin ë këtij parku industrial, ku do të vendosen shumë biznese.

Por, natyrisht, para prerjes së shiritit në vjeshtë, tash në pranverë do ta vendosim gurthemelin bashkë me kryetarin e komunës dhe me ministren e Industrisë, Ndërmarrëssië, Tregtisë dhe Inovacionit.

Gëzuar punëtorëve, qytetarëve, urime të gjithëve!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors