Kryeministri Kurti takoi drejtoren e NATO-s për Operacione, Hallengren

Prishtinë, 8 prill 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren.

Kryeministri Kurti shprehu falënderime për angazhimin e NATO-së për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, si dhe për rolin e rëndësishëm të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) për Ministrinë e Mbrojtjes si organ kyç ndërlidhës dhe këshillues i aleancës veri-atlantike në Republikën e Kosovës.

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit, kryeministri Kurti foli për mundësitë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të ndjekin trajnime ushtarake edukuese dhe profesionale në institucionet e NATO-s. E po ashtu, për rritjen e kapaciteteve të FSK-së në përputhje me standardet e aleancës veri-atlantike.

Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit.

Ai theksoi se Kosova është e përcaktuar, angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj për integrim në NATO.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors