16.04.2009

Zëvendëskryeministri Manaj: Përurimi i Kullës së Eksodit në Kukës, vetëdije për kohën, historinë dhe kujtesës për to

Fjala e zëvendëskryeministri z. Ramë Manajt në Manifestimin e përurimit të kullës, Eksodi `99 në Kukës, Shqipëri

Prishtinë, 16 prill 2009

Dhjetë vjet më parë, mbi Kosovën,po derdhej tërbimi i një regjimi, ndaj një populli etnik në trojet e veta dhe në të drejtën e tij për identitet e mëvetësi.

Për më se një decenie,shqiptarët dhe grupe të tjera etnike,të organizuar në parti politike ndërtuan një lëvizje të fuqishme demokratike ku artikuluan dhe institucionalizuan vullnetin politik të popullit të Kosovës për liri,pavarësi dhe demokraci.

Rezistenca dhe politika paqësore e ndërtuese institucionale afirmoj në botën demokratike të drejtën legjitime të mohuar e shtrembëruar gati një shekull.

Funksionimi i pavarur e demokratik i institucioneve në fushat me interes vital dhe njohja e këtij procesi nga demokracitë e zhvilluara perëndimore e acaruan skajshmërisht regjimin e Beogradit.

Humbja e betejës politike e diplomatike me Kosovën në botë bëri që t’i kthehen mjeteve dhe makinerisë vrastare që shumë herë u sul mbi ne gjatë historisë.

Masakrat e provuara e të paralajmëruara,në një popull të pambrojtur,do të merrnin përmasa tragjike.

Rezistenca me armë u imponua si zgjidhje.

Përpjekjet diplomatike,konferenca e Rambujesë nuk u pranuan.

Fushatat ndëshkuese dhe krimet ndaj civilëve krijuan një gjendje të katastrofës humanitare.

Qendrat e vendosjes dhe opinioni demokratik ndërkombëtar e morën në konsideratë përdorimin e forcës ushtarake që të parandalohej katastrofa.

Intervenimi i NATO-së përshkallëzoj edhe më luftën, krimet dhe masakrat nuk kishin të ndalë.

Afër një milion njerëz,pleq,gra e fëmijë,mes tyre,të sëmurë,invalidë,u dëbuan nga shtëpitë e veta,me qëllim ndërrimin e strukturës demografike e etnike në Kosovë.

Shteti shqiptar, Bashkia e Kukësit ishin porta e parë e hapur e zemrës,e pritjes a mikpritjes të qindra e mijëra kosovarëve,të plagosur,keqtrajtuar,e si mos më keq.

Përkrye gjithë kësaj,ata nuk e kishin humbur shpresën se do të ktheheshin sërish në shtëpitë e veta,në Kosovën e lirë.

Aq sa ishte me dhembje e vuajtje shpërngulja dhe përmasa e saj,po aq e madhe qe dëshira dhe sakrifica e shtetit shqiptar dhe qytetarëve të Kukësit dhe gjithë Shqipërisë,me pritë dhe kujdes tej mundësive të veta për vëllezërit e tyre të gjakut.

Duket se në këtë fatkeqësi gjetëm,e kuptuam dhe mirëkuptuam më mire e më fort njëri-tjetrin.

Ja ku jemi sot,dhjetë vjet pas,në përjetësim të kujtesës, me kullën,simbolin mikpritjes e qëndresës,dhe, përurimin po e bëjmë bashkë,në Kukës,në Shqipëri,si vëllezër me objektiv në Evropën e bashkuar.

Shtetit shqiptar,popullit të Kukësit dhe të gjithë Shqipërisë,ua përcjellë përshëndetjet dhe falënderimin e presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi për gjithë çfarë keni bërë për Kosovë dhe popullin e saj.

Përurimi i Kullës është vetëdije për kohën,historinë dhe kujtesës për to.

Faleminderit!