Prishtinë, 9 prill 2012
Nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Shoqata e veteranëve të luftës së Koshares “Brigada 138” organizoi manifestimin me moton: “Ditët e Shqipes” për nder të Betejës së Koshares. Merrnin pjesë ish-luftëtarë, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në Ditën e Betejës së Koshares janë bërë homazhe, janë vënë kurora lulesh dhe u bë ceremonia e vënies së gurit të themelit të Kompleksit Memorial Beteja e Koshares.
Në vazhdim po e japim fjalimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi mbajtur në këtë tubim të madh popullor kushtuar Betejës së Koshares.
Jam jashtëzakonisht i nderuar që sot përkujtojmë luftën e lavdishme të UÇK-së. Përkujtojmë një betejë që i ka bërë nderë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e reflektuar në Betejën e Koshares e ka një simbolikë dhe ne e quajmë simbolika e kufirit.
Beteja e Koshares tregon dy simbolikat e kufirit: prishjen e kufirit aty ku nuk është dashur të jetë për 100 vite dhe vendosjen e kufirit ku është dashur të jetë para 100 vitesh, në kufi me Serbinë.
Sot sa herë kujtojmë Betejën e Koshares duhet të kemi parasysh se ajo ka prishur një kufi për ta ndërtuar një kufi tjetër me luftën e UÇK-së.
Të nderuar bashkëluftëtarë të komandantëve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahu dhe luftëtarëve tjerë, Ndjehemi krenarë që beteja juaj dha shumë dëshmorë, ndjehemi krenarë që brigada juaj dha aq shumë liridashës dhe dëshmorë. Ndihemi krenar që nga brigada juaj dolën heronj të kombit Sali Çekaj dhe Agim Ramadani.
Beteja e Koshares është pjesë e luftës së pandashme të UÇK-së, është pjesa e atij vullneti dhe asaj gatishmërie dhe asaj sakrifice që e bërë komandanti legjendar Adem Jashari dhe luftëtarët e UÇK-së anë e kënd Kosovës.
Dy , tri gjëra për Betejën e Koshares: e para Beteja e Koshares ka simbolikën e unitetit politik, por edhe kombëtar. Kur e them këtë kam parasysh se në këtë betejë, luftuan djem dhe vasha anë e kënd Kosovës, anë e kënd trojeve shqiptare.
Në këtë betejë luftuan djem dhe vasha që në zemër e kishin Adem Jasharin, që respektuan urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.
Kjo betejë tregon se lufta për pavarësi dhe liri si luftë e popullit shqiptar dhe sot të gjithë ne kur flasim për luftën, qoftë si protagonist të luftës, qoftë si ata që e kanë ndihmuar luftën apo edhe ata që kanë dëgjuar për luftën, luftën duhet ta shohim ashtu si ka qenë, luftën duhet ta shohim të madhe: Sa më e madhe është lufta për liri aq më i madh do të jetë çdo luftëtar i asaj lufte.
Sot duhet të bëjmë libra për luftën, duhet të bëjmë filma për luftën , jo vetëm për ne që jemi gjallë sot por për brezat që do të vijnë. Lufta jonë duhet të pasqyrohet ashtu si ka qenë dhe lufta jonë duhet të krahasohet me luftën e Skënderbeut dhe organizimin më të lartë që kanë bërë shqiptarët deri në këtë kohë.
Kjo luftë paraqet luftën e unitetit apo bashkimit kombëtarë. Sot kur i shohim këto varre , këta dëshmor i shohim se këta vijnë anë e kënd Kosovës, anë e kënd trojeve etnike dhe mbi t të gjitha shohim se ata vijnë edhe nga diaspora. Kjo brigadë dhe kjo luftë ka pasur një qëllim, ka pasur një ide dhe një ideologji dhe ajo ka qenë liria dhe pavarësia dhe forcimi i kombit shqiptarë.
Sot është edhe Dita e Kushtetutës. Lufta e UÇK-së ka pasur për qëllim lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Kosovës kanë pasur dhe kanë për qëllim realizimin e atij qëllimi, kanë pasur dhe kanë për qëllim implementimin e atij premtimi për një jetë më të mirë dhe demokratike, për rend dhe ligj dhe përkrah kombeve të lira.
Ne kemi arsye të festojmë edhe kur përkujtojmë dëshmorët. Të gjithë dëshmorët kanë rëndësinë . Për dëshmorët që sollën lirinë dhe pavarësinë e vendit janë dëshmorët e krenarisë kombëtare dhe ashtu duhet ti trajtojmë.
Unë jam shumë i lumtur që sot do ta vejmë themelin e ndërtimit të varrezave të dëshmorëve në Koshare . I falënderoj familjet e dëshmorëve që kanë qenë të durueshëm që kanë pranuar që varrezat e bijve dhe bijave të tyre të qëndrojnë këtu dhe ata këtu do të jenë simbolika e kujtimit , simbolika e unitetit dhe e bashkimit të kombit shqiptarë për jetë më të mirë dhe për të jetuar krah kombeve të lira.
Ndërtimi i shtetit tonë, Kosova jonë, kombi jonë të jetë krah kombeve të lira duhet të jetë gjithmonë i harmonizuar dhe në paqe me njëri tjetrin i harmonizuar dhe në paqe me të tjerët dhe në krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që ishin krah nesh në lirinë e vendit, pavarësinë e vendit dhe në integrimet e ardhshme. Të ndihemi krenar për luftën që e keni bërë , ta mbani atë luftë si vlerën më të madhe të kombit tonë dhe sa më shumë që të rritet liria, sa më shumë që të forcohet shteti aq më e madhe do të jetë lufta për liri dhe pavarësi.
Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit;
Lavdi dhe respekt të gjithë komandantëve që nga Adem Jashari she të tjerët;
Lavdi të gjithë luftëtarëve të gjallë të cilët janë pjesë e memories së kësaj lufte dhe pjesë krenarisë sonë për ta ndërtuar shtetin;
Lavdi